Marie Logoreci u lind më 23 Shtator 1920. Ishte aktore shqiptare e teatrit dhe filmit. Pioniere e kinematografisë shqiptare. Paraqitja për herë të parë në film ishte tek Skënderbeu, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër “Fëmijët e saj”, dhe me pas në filmin e parë shqiptar “Tana” etj. Me interpretimin e saj në skenë e ekran, ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të Nënës shqiptare.
Maria e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndoje në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e teatrit ishte Elmira në komedinë Tartufi të Molierit.
Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te “Çështja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja te Toka jonë, Ledi Milford te “Intrigë e dashuri”, Tringa te “Shtatë shaljanët”, Gertruda te Hamleti, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës”, Tadrahova te “Morali i zonjës Dulska”, nëna Xhun te “Muri i madh pakapërcyeshëm”, Mara te “Përkolgjinajt”, plaka te “Çatia e të gjithëve”, nëna te Cuca e maleve, Gjela te “Përmbytja e madhe”, etj.
Marie Logoreci vdiq në Tiranë në vilën e saj nga një atak kardiak më 19 qershor 1988.
Marie Logoreci përveç urdhrave dhe medaljeve te ndryshme mban edhe titullin e larte Artiste e Popullit dhe Nderi i Kombit.