Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një konferencë të përbashkët me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen shigjetoi sërish Bashkimin Europian që po mban peng Shqipërinë për tekat e Bullgarisë. Ai tha se Shqipëria disa herë është bërë gati për dasmë, por nuk i kanë ardhur krushqit. Duke u ndalur tek Konferenca e Parë Ndërkombëtare, e cila pritet të mbahet brenda këtij viti, sipas Presidentes, Rama është treguar skeptik nëse do të ketë apo jo një datë brenda vitit 2021 që mund të mbahet kjo konferencë. “Objektivi i Presidentes është që para përfundimit të vitit të kryhet më në fund konferenca e parë ndërqeveritare, ku Shqipëria të fillojë normalisht negociatat. Ky është objektivi i presidentes. Sa më takon mua, unë e kam thënë dhe them. Nuk vë më bast për asnjë datë dhe asnjë fat dhe pres me qetësi si në rastin kur ndodh edhe në rastin kur nuk ndodh. Jemi përgatituri për dasmë dhe krushqit nuk janë paraqitur. Ne i bëjmë me vepra deklaratat e dashurisë, por se kur ndodh dasma e kanë në dorë krushqit”, është shprehur Rama duke shigjetuar Bashkimin Europian. Kryeministri theksoi se Shqipëria nuk po i përmbush kriteret për BE, por për veten dhe fëmijët e saj. “Ne kemi në dorë të bëjmë vetëm punën tonë. Punën tonë e bëjmë jo se na i imponon BE, por sepse na i i imponon e ardhmja e fëmijëve tanë. Jemi me fat që gjendemi në mes të Evropës. Është bekim për fëmijët tanë që linden dhe rriten në mes të këtij kontinenti dhe një mur na ndan nga hapësira më e mirë që njerëzimi ka organizuar për paqen dhe sigurinë”, tha Rama gjatë konferencës për shtyp. Të shoqëruar edhe me batuta dashurie, Rama tha se: “Kur e do dikë e do, nuk ke se çfarë bën. Nuk i bën presion që ose hajde me merr tani ose unë do iki me tjetrën. Nuk kemi ku shkojmë. Ne jemi në dashuri me BE, këta janë lodhur nga dashuria me njëri-tjetrin dhe thonë do rrimë ne të marrim edhe një tjetër dhe çdo ndodhë më të. Sa ta kalojnë këtë fazë do na përqafojnë dhe do jetojmë të lumtur në të ardhmen”. Kryeministri u ndal edhe tek Bullgaria e cila është bërë pengesë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Më pas, hapen nuk hapen, mbyllen nuk mbyllen konferencat dhe kapitujt kjo është çështje e BE, më saktë s’është e komisionit, por e këshillit, më saktë s’është e këshillit, por një anëtari të BE, që gdhihet me inat me një tjetër dhe merr peng e një të tretë e kështu me radhë vazhdon kjo histori. Komisioni Evropian, mendojnë që Shqipëria e ka bërë detyrën e vet në raport me BE, në raport me vetveten dhe të ardhmen kemi shumë gjëra për të bërë e nuk duhet të humbasim durimin e shpresën, por duhet të vazhdojmë përpara”, tha Rama duke shtuar se “Komisioni Europian ka disa vite që jep rekomandimin pozitiv për çeljen e negociatave, komisioni është i rreptë por është dhe i parashikueshëm, pasi bazohet në fakte e prova e në raportime që realizohen në përmbushjen politike të detyrave. Duhet konsensus, po nuk ranë dakord 27, mjafton njëri për ta bllokuar siç ndodh me Bullgarinë që ka marrë peng procesin dhe mua s’më ngelet gjë tjetër veçse të falënderoj presidenten për punën që po bën në këtë situatë”.
Ballkani i Hapur
Kryeministri Rama në thuajse të gjithë konferencën me Ursula von der Leyen, vendosi theksoin në nismën e Ballkanit të Hapur që sipas tij është zbatim i Procesit të Berlinit. Ai tha se shtetet që ende nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e saj, si Kosova, Mali i Zi, apo Bosnjë-Hercegovina, do t’i bashkohen herët a vonë. “Ballkani i Hapur është vendosur dhe do të bëhet, dhe çdo vit e më shumë do të provohet që është gjëja e duhur. Ballkani i Hapur do të jetë patjetër hapësira ku do të vijnë, njëri pak më shpejt, tjetri pak më vonë. Dhe kush vjen më vonë, thjesht i humbet kohë vendit dhe popullit të vet. Kaq e thjeshtë është kjo”, tha Rama. Ai nënvizoi se ky bashkim i gjashtë shteteve në një është një interes strategjik. “Ballkani i Hapur është një interes strategjik dhe është mekanizmi që bën Procesin e Berlinit. Për çdo projekt të BE-së ndërtohet një entitet që quhet njësia e zbatimit të projektit. E pra, Ballkani i Hapur është njësia e zbatimit të projektit të Procesit të Berlinit”, tha kryeministri. Shefi i Qeverisë tha se ka diskutuar me presidenten e KE në lidhje me problematikat e procesit të Berlinit dhe ecjen përpara të tij. “Kemi folur për ecurinë e bashkëpunimit rajonal, dihet që Ursula von der Leyen është bashkëpunëtore e ngushtë e Merkel, e cila është njeriu që nisi procesin e Berlinit dhe për këtë arsye e njeh mirë dhe mbështet procesin dhe e sheh siç është në shërbim të përafrimit të Ballkanit Perëndimor dhe rritjes se kapaciteteve brenda Ballkanit Perëndimor. Ne kemi diskutuar për të gjitha problematikat e këtij procesi dhe jemi në të njëjtin linjë që procesi të shkojë përpara dhe paqja e munguar kërkon durim, dialog, bashkëpunim dhe atë që presidentja nënvizoi krijim të besimit reciprok mes palëve. Pa të është shumë e vështirë dhe kjo kërkon shumë durim e mençuri”.