Visar Zhiti në një rrëfim ekskluziv
Nga Fernada Cenko
Për fjalën e lirë që e ktheu në shkrime bëri tetë vite burgim në atë nen të frikshëm me numër “55”, që rrinte si vetëtimë mbi kokat e intelektualëve duke gërmëzuar akuzën e “agjitacionit dhe propagandës kundër shtetit”. Mund edhe të ishte ridënuar, sepse i “dëmuari për të mos shkruar”, pikërisht atë shkeli, shkroi edhe në burg. Është Visar Zhiti, shkrimtari i butë që paqen dhe madje edhe lirinë kur ishte në burg, e gjeti në poezi. Për Zhitin dënimi ishte ndëshkim nga diktatura, trupin ia burgosën, por mendjen nuk iu mbyllën dot, as kur ishte në qelitë e burgjeve famëkeqe, e as kur futej thellë në nëntokën e minierës. Në copëza letrash të shkruara me emocione ai mundi të “çlironte” krijimtarinë e tij, duke ia dhënë fshehtas shkrimet nënës dhe të afërmve të tjerë që shkonin ta takonin, aq rrallë sa i lejohej. Shkrimtari dhe diplomati Zhiti e rikthen atë atë kohë si të ishte “sot” me librin më të fundit “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”. Nuk është e shtypur, por bash siç është e shkruar në atë copëza letrash që tashmë vijnë në një botim serioz për të kuptuar e mbi të gjithë ndjerë çështë burgu edhe lexuesin e lirë. Në një intervistë për gazetën “Fjala” shkrimtari Zhiti tregon për krijimtarinë e tij në burg, por edhe për 30 vitet e fundit, mes demokracisë hibrite që po zgjat shtat dhe nuk po del aq lehtë nga tranzicioni.
Për sa kohë janë shkruar “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”? Ku dhe pse? Dhe pse vendosët të dalin tani në një botim të veçantë, anastatik, pra, me shkrimin e dorës, ashtu siç janë të shkruara në fletoret e tua?
Libri i porsadalë “Dorëshkrimet e fshehta të burgut” përmbledh kohën që nga dita kur më arrestuan, në 8 nëntor 1979 dhe deri sa më liruan nga burgu, në 28 janar 1987, pra, ato poezi që u shkruan në burg, në natën e gjatë të diktaturës komuniste. Janë mbajtur fshehur
brenda telave me gjemba në kampet e Spaçit dhe të Qafë-Barit. Në librat e mi here pas here ka patur dhe poezi të burgut, por asnjëherë nuk janë botuar të gjitha, të plota. Enti botues “Onufrit”, themeluesi I tij z. Bujar Hudhri dhe e bija e tij që tashmë e drejton atë shtëpi botuese, zonjushë Enxhi Hudhri, si dhe përgatitësi, shkrimtari i ri, z. Andreas Dushi, vendosën që libri të dilte me shkrimin tim të dorës, ashtu siç u shkruan që, ndërkaq lexohet lehtësisht, duke përfitaur ndjesinë sikur atë të mundt ta kishin lexuar vërtet në burg. Siç thotë dhe autori i pasthënësie së librit, studiuesi i njohur i letërsisë, z. Luan Topçiu, kështu janë së bashku dëshmia dhe dokumenti, që për fat janë poezi, të letërsisë tjetër, asaj që mungoi.
Duke shfletuar librin, gjejmë se poezitë tuaja në burg i kanë lexuar disa nga bashkëvuajtësit, miq të tu, nuk janë shumë, aq sa janë listuar emër për emër. Pse janë vetëm ata, pse nuk janë më shumë, të gjithë të burgosurit?
Në burg ishte e ndaluar të shkruarit letërsi, poezi, na kishin dënuar që të mos shkruanim, më ishte hequr me vendim gjyqi, ashtu si e drejta elektorale apo e ushtrimit të profesionit, unë isha mësues, edhe e drejta e botumit. Ishte një kohë kur janë pushkatuar poetë, ku në akuzat kundër tyre si agjitacioni dhe propaganda kundë partisë dhe shtetit, tentativave për arratisje, përmbysje të pushtetit popullor, sajesat për sabotim apo grupazh armiqësor, etj, janë në akuzë dhe poezitë e tyre. Duke shkruar fshehurazi në burg, u shpik dhe lexuesi i fshehtë, që po të zbulohej, dënohej dhe ai, ashtu si dhe poeti, në mos më shumë. Janë aq lexues për mua, 24 bashkëvujatës, sepse sa për aq ishin rrethanat e mia në vite, pata besim të plotë në ta, që e donin let;ersinë, flisnim për libra edhe në terr, në minierat e thella, teksa shtynim vagonat si skllevër. Fakti që poezitë e mia nuk u zbuluan nga policia e burgut, nga komanda, që nuk u ridënova, që mund të shkonte deri dhe në d;enim me vdekje, tregon që pata lexues të bes;es. Lexuesit në burg janë më heroikët n;e botë.
Se si i nxorët dorëshkrimet e poezive nga burgu, tregohet dhe në parathënien e librit, edhe nga shkrimi i bashkëshortes tuaj, zonjës Eda, e cila ka renditur disa nga dëshmitë e të burgusrve që i kishin lexuar ato në burg. Po si u arrit të dilnin nga burgu poezitë e tua?
Unë e kam treguar hollësisht aventurën e tyre të rrezikshme dhe në dy burgologjitë e mia, “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri çarë”, ua jepja gjatë takimeve në burg familjarëve të mi, nënës, vëllezërve, motrës, në fshehtësi të plotë dhe atyre, duke i nxjerrë nga opingat, ndoshta e dini, është një lloj këpucë me gomë të ashpër, që mbanin të burgosurit, ose i fusja fletoret nën hastarin e çantave, të ushqimeve, që më sillnin familjarët për të mbijetuar në burg, etj, etj. Si të thuash unë u bëra, siç e kam thënë dhe tjetër here, “kontrabandist poezish”. Por dhe familjarët e mi rrezikonin. Shumë. I kanë fshehur dhe nën tokë në kopshtin e shtëpisë së motrës, etj. Pra, poezitë e mia u liruan, më saktë u arratisën, para se unë të dilja nga burgu.
Çfarë mendoje, ndërsa ishe në burg? E shpresoje botimin e tyre ndonjëherë dhe lirinë?
Shpresa vdes e fundit, thuhet dhe ne këtë e thoshim shpesh në burg. Ne e ëndërronim lirinë, e shpiknim atë, me bisedat tona, me leximet, me ç’shkruanim fshehurazi, dëshironim sa më parë përmbysjen, megjithëse nuk na dukej e afërt dhe nuk e dinim a do të dilnim gjallë. E ndillnim lirinë, por e gjitha kjo ngjan me ate që quhet “teoria e katastrofave”, që shpjegon se përpëlitja e krahëve të një zogu diku, në Afrikë p.sh., mund të shkatojë më pas një tufan diku tjetër, në Europë, prapë p.sh. Dhe unë besoj se psherëtimat e të burgosurve sollën revoltat dhe shpërthimet kundër diktaturë, që u shëmb Muri i Berlinit dhe ra perandoria komuniste. Që të jem i sinqertë, nuk besoja dot atëhere se do të mund të botoheshin ndonjëherë poezitë e mia, sidomos këto të burgut.
E pse guxonit dhe i shkruanit, madje dhe duke rrezikurar?
Shpejt e shpejt mund të them tani: s’e di. Herë herë më dukej se do të doja të lija një dëshmi, isha dënuar si poet, duhej ta vazhdoja dënimin, pra sfidoja kështu vetë dënimin, ndërkaq krijoja lirinë time të brendshme, duke shkruar, ndjehehsa i lire, qoftë dhe atë çast. Gjithsesi, e kam shpjeguar dhe herë të tjera, duke shkruar fshehurazi, mua më kapte emocioni i bukur i krijimit, i poezisxë, ndjehesha njeri edhe atje ku ishte e ndaluar të ishe. E kam thënë. Emocioni i poezisë dhe frika ndaj tyre më mbajtën gjallë ashtu si dhe imazhi i Krishtit në kryq, që pati ringjallje. Në mos ne, do të ringjallej ëndrra jonë. Dhe ashtu ndodhi…
A mendonit se me lirinë do të vinte dhe demokracia? Tani pas 30 vjetësh a e kemi atë liri dhe demokraci që mendonin të përndjekurit? A keni patur zhgënjime?
Me lirinë vjen shumëçka. Janë të domosdoshme liria e brendshme dhe ajo jashtë nesh, liria për të gjithë, sipas sentencës që liria jote mbaron ku fillon e tjetrit. Shtoj se liria e përgjithshme është e nevojshme për të bërë atë që duhet, jo atë që do. Ose jo vetëm atë. Ne krijuam liri për të bërë më shumë nga ato që s’duheshin. Natysisht nuk mund të mohohen, përkundrazi, janë arritje të mëdha ndërrimi i sistemit shoqëror, nga totalitarizëm barbar, në demokraci shumë partiake, pa përvojë, ku partitë e krijuara befas, mbartnin nga praktikat dhe mendësitë e monizmit të asaj partie sunduese, që lanë. Gjithsesi Shqipëria u hap drejt Perëndimit, mori atë rrugë të ëndërrua me shekuj, drejt Europës, me aleatin jetik SHBA.
U kalua ethshëm dhe rrëmujshëm nga prona socialiste e përbashkët, pra e askujt, në privatizime, në kapitalizëm kaotik, edhe me korrupsion, shpesh galopant, në ekonominë e tregut të lirë dhe të të drejtave të njeriut. Drejtësia ishte e zbehtë, e përdorur, ekonomia mori konturet e zymta oligarkike, megjithatë Shqipëria ishte më mirë se në diktaturë, edhe me tranzicionin e stërzgjatur dhe politikat acaruese, konfliktuale, dritë shkurt:era.
Megjithatë Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe po shpejton drejt ëndrës evropiane, realitetit të Bashkimit Europian, familja jonë e natyrshme. Ne ndjehemi dhe jemi evropianë, jo thjesht gjeografikisht, por dhe si identitet, histori dhe kulturë. Që s’jemi de juro anëtarë të Bashkimit Europian, aq sa është përgjegjësi e plogështisë tonë politike, është dhe vetë e Europës së Bashkuar, që duhej të kishte zemërgjerësinë e duhur politike. Ne jemi eurpianë të hershëm, rrënjës. Sa më gjatë të na lënë jashtë Europës, po aq gjatë Europa lë jashtë vetes një pjesë të saj, të historisë dhe lavdisë.
Dhe e fundit, ju, edhe pse jeni shkrimtari dhe poeti Visar Zhiti, duke qenë ndërkohë edhe diplomat, me karrierë në Itali, Vatikan, SHBA, keni qenë dhe deputet, edhe ministër kulture, vazhdimisht gazetar, si i shikoni nën këto optika zhvillimet e tanishme në vend, PS, e cila mori mandatin e tretë qeverisës, PD e përçarë, etj. Cila do të ishte porosia juaj?
Vërtet shqetësuese. Një klimë politike e ashpërsuar që ndikon në realitetin e vendit, në jetën e tij, deri në përditshmërinë e gjithsecilit. Nëse PS mori mandanin e tretë qeverisës, kjo është dhe kërkesë për rritje të përgjegjësive të qeverisë, e përgjegjshmerisë së saj, e një dialogu më të mirë me popullin, që nga starti i ri, si nisi, pra si u votua, si ishin zgjedhjet, sa përndryeshuese ishin parregullsitë dhe rregullsitë, tek opozita si pushteti moral i një vendi, shprishjet e saj sjellin forma të totalitarizmit e deri te bashkëveprimi i sinqertë dhe i hapur qeveri-popull. Ministër do të thotë shërbyes, sa shërbyese do të jetë qeveria e ministrave të rinj, nga u përzgjodhën ata, sa tribadizëm e klientelizë ka, ç’do të bëjeë qeveria më shumë e më mirë për të tashmen dhe të ardhmen, por dhe trajtimi i së shkuarës. E shkuara na ka dalë shpesh e më shpesh në të ardhmen. Në format e korrupsionit dhe të mungesës së drejtësisë. Drejtësia duhet të jetë e drejtë vetë së pari, aspak politike, në kuptimin që të mos përdoret për interesat e saj, për sundimi apo për rrënim të kundërshtarit politik, etj, etj. Kur shqetësimet janë më të mëdha. Punësimi dhe arsimimi. Kultura, edhe ajo si çështje e dorës së parë. Përçjaret në PD si partia më e madhe e opozitës nuk janë vetëm problematikë e saj e brendshme, por e vendit. Prishja e spektrit politik është prishje e politikës si arti i së mundurës. Partia s’është prone e kryetarëve të saj, por ideali, vizioni, programi që bashkon njerëz në dobi të vendit dhe të jetës. Konfliktet në lidership nuk duhet të personalizohen si çështje të karrierave të tyre, por ecuri të vërtetash politike me përgjegjegjësi, të hapura para drejtësisë e jo të kamuflohen me retorikë agresive politike e prapakthime. Korrupsioni është gjenral. Por më rëndësishme është demokracia e vendit. Përse po duam të bëjmë? Të mbrojmë të kaluarën dhe ata që bënë atë të kaluar te riaktivizohen duke i forcuar me pushtet e duke i pasuruar oligarkisht? Të nëpërkëmbin vuajtjen e popullit dhe idealin e një Shqipërie Euroatlantike, që më mirë se në çdo parti e institucion është e mishëruar te të përndjekurit, tek ata që ishin burgjeve dhe internimeve, që janë përdoruar dhe mashtruar më shumë se çdo shtresë e popullsisë. Fryma e tyre duhet të përshkojë punët sot. Tek vështirmi i tyre, me Yll polar e aleat jetik SHBA-në, që i është gjendur Shqipërisë në kohëra kyçe e kriza të historisë për të siguruar ekzistencën dhe të ardhmen. Se nuk janë çudi rrezikimi i tyre. Me fqinjët të sillemi po aq mirë sa sillen ata me ne. T’ua kthejmë ç’na japin. Me një Shqipëri normale dhe të sigurtë dhe marrëdhëniet do të jenë normale dhe të sigurta.
Kjo do dhe diplomaci. Diplomacia shqiptare le mjaft per te deshiruar. Një pjesë e ambasadorëve janë më të papërshtatshmit, në vende që as i njohin e as i duan, madje dhe Shqipërinë e përdorin në interesa të vogla. Dhe si të jenë ambasadorët, janë madje dhe emëruesit dhe dekretuesit e tyre.
Shqipërisë ende nuk i ka ardhur Presidenti përbashkues, mbi partiak, me vizion, kulturë dhe dhembshuri, patriot dhe euroatlantist, kryeshtetar dhe mik i gjithsecilit. Thënë rëndomshëm, gjersa Pallatin Presidencial e quanjë ende “pallati i brigadave”, kemi presidentë në nivele brigadierësh. Shqipëria meriton më të mirën, më të bukurën, më të begatën. Është vendi i një populli të lashtë dhe të virtytshëm, pavarësisht nga bjerrjet e mjerimi, ka patur një konstitucion të brendshëm të fuqishëm, Kanun shekullor të madhërishëm, oda burrash shumë e shumë më lartë se parlamenti, edukatë kombëtare nga e cila duhet të mësoje arsimimi i tanishëm, aq vuajtje sa mund të na bëjë të pasur. Me shpresë dhe me punë e me besim. Me besim hyjnor. Amen!