Nuset e famshme shqiptare të Francës, Nga Liri Begeja te Egla Harxhi dhe Hueyda El Saied

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Mentor Hoxha- Paris

Franca, si kryeqendra historike dhe kulturore e botës është ëndrra e çdo vajze për të për t’u bërë nuse në tokën e lashtë dhe të lavdishme të frankëve, sidomos në Paris. Ashtu siç janë bërë dhëndurë të Francës shumë personalitete të shquara shqiptare: kryeministra, ministra, kontër, princër, deputetë, diplomatë, artistë, shkrimtarë, sportistë etj., janë bërë nuse në Francë edhe shumë femra të njohura nga Shqipëria. Nga këto martesa kanë ardhur në jetë shumë nipër dhe mbesa shqiptare. Disa nga këto martesa, kanë qenë të suksesshme, disa kanë përfunduar në divorc. Më poshtë është biografia e disa femrave të njohura shqiptare që janë martuar në Francë me francezë të njohur.

Egla HARXHI (1991). Arkitekte, aktore, biznesmene, modele dhe “Miss Albania 2007”. Ka dhe nënshtetësi franceze. E martuar me fotografin e famshëm francez, Alexandre de Basseville me të cilin ka një vajzë. Bashkëshorti i saj njihet për fotografitë nudo të ish Zonjës së Parë të Amerikës, Melania Trump. Për shumë vite jetuan në Paris. Më pas hapën një biznes në Lushnjë dhe vendosën të ndërtojnë Principatën e Libofshës. Egla ka kryer studimet për aktrim në shkollën “Cours Florent” në Paris dhe studimet Master në arkitekturë. Ka prezantuar Shqipërinë në “Miss World 2008” në Johanesburg, ka qenë pjesë e revistës “ICON”, ka sfiluar në disa parade mode, si dhe ka qenë imazhi i Eagle-Mobile për një vit në Tiranë. Për 5 vite ka punuar si arkitekte në Studion e mamasë së saj në Tiranë ku ka bërë disa projekte në Don Bosko, një hotel të madh, disa lokale tek Gjykata e Lartë, një hotel tek Liqeni i Thatë dhe te Kopshti Zoologjik etj. Ka bërë dhe studime urbanistike në Tiranë. Si aktore spikati me rolin te filmi i babait të saj, Ilir Harxhi, regjisor i njohur.

Hueyda El SAIED. Balerinë, piktore, aktore, shkrimtare, prezantuese dhe moderatore në disa media dhe spektakle të njohura televizive në Shqipëri. Ka prezantuar edhe një Festival të Këngës në RTSH. Ka shkruar libra, ka aktruar në Francë dhe ka hapur disa ekspozita pikture në Paris dhe në Luksemburg. Është fituese e Çmimit të Parë në konkursin e famshëm në TVSH “12 vallëzime pa një të shtunë”. U lind në Tiranë nga një baba sudanez dhe nga nënë shqiptare me prejardhje turko-sudaneze. Ka kryer shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” dhe Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Ka dhe një Master në Marrëdhëniet Ndërkombëtare nga Universiteti Roma 3, Itali (2012). Për shumë vite ka jetuar në Paris, ku dhe ra në dashuri me francezin Mishel Tamisier. Nga martesa me të vjen në jetë një djalë: Gabriel, i lindur në Paris. Kjo martesë nuk zgjati shumë. Më 2017, pas pesë vitesh martesë, Hueyda divorcohet pasi nuk ia fali dot tradhëtinë. Pas ndarjes me të, ajo largohet nga Parisi dhe më 2015 vendoset në Luksemburg. Këtu përjeton një tjetër histori të fortë dashurie me drejtorin e Institutit Financiar në Luksemburg, një histori e bukur që vazhdon edhe sot. Hueyda është anëtare e Académie Européenne des Arts Grand-Duché de Luxembourg, ku ekspozon pikturat e saj. Ka marrë pjesë në 13 ekspozita pikture brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Alma AJAZI -BOSSUET. Modele, prezantuese, gazetare, poete, analiste, përkthyese, piktore, “Mis Albania 1999” në Amerikë dhe shoqëruesja e parë e “Miss Shqipëria 2000”. U lind më 6 maj 1984 në Sarandë. Prej disa vitesh banon në Francë. E martuar me një francez me të cilën ka një vajzë, quhet Isabelle dhe është personazh Vip në Francë, pasi ka bërë 4 reklama si imazh për firma të fuqishme si Catimini, Okaidi Obaibi, Tissaia, Le Clerk etj. Më 2020, Alma bashkë me bashkëshortin e saj, dërguan një ndihmë me pako ushqimore për 100 familje sarandiote në nevojë. Gjatë qëndrimit në Michigan, SHBA ka prezantuar disa koncerte dhe aktivitete kulturore të këngëtarëve shqiptarë brenda dhe jashtë Amerikës. E diplomuar shkëlqyeshëm për shkenca politike dhe diplomaci. Është shqiptarja e parë në shkollën “American Graduate School of International Relations and Diplomaci në Paris që ka marrë diplomën me mesataren maksimale. Në SHBA ka marrë çmimin “National Dean List”.

Alketa ÇELA. Soprano lirike me famë ndërkombëtare. Prej 27 vitesh banon në Francë dhe ka nënshtetësi franceze. E martuar me një violinist të njohur francez. Për tre vite (1996-1999) ka qenë pjesë e trupës së Opéra National de Lyon Opéra National de Lyon, është krijuesja e Festivalit të parë operistik të këtij qyteti “Lyon Grand Festival Opera” ku morën pjesë artistë të njohur francezë dhe të huaj të shoqëruar nga orkestra sinfonike e Lionit. Alketa pati rolin kryesor, atë të Madame Butterfly. Ka interpretuar role të mëdha të operave botërore, si Madame Butterfly, Pamina (Die Zauberflöte e Mozartit), Susanna (Le Nozze di Figaro e Mozart), Princesha (L’Enfant et les Sortilèges nga Ravel), Chiarella (L’Osteria di Marechiaro nga Paisiello), Tosca, Donna Anna, Liu, Violetta Valery në Operën Kombëtare të Polonisë në Varshavë, Elisabeta në operën “Don Carlo” të kompozitorit Giuseppe Verdi, Cio-Cio-San në “Madame Butterfly” etj.). Ka patur sukses të madh, veçanërisht me rolin e Madama Butterfly. Ka kënduar në shumë koncerte, recitale dhe mbrëmje gala në Francë, Poloni, Tiranë, Itali etj. Ka performuar në teatrot më të famshme të Europës: në Milano, Venezia, Treviso, Gjenevë, Varshavë etj. Veçohet dhe një recital i melodive italiane në “France Musique”. Gjatë viteve 2017-2018 dha shumë koncerte operistike në vendet më të rëndësishme turistike e publike në Lion dhe në qytete të tjera franceze, si në Paris, Bordeaux etj. Në qershor 2019, Alketa ngriti në këmbë publikun francez me intepretimin e shkëlqyer në koncertin “Chapelle de la Trinité”, në Lyon. Gazeta prestigjioze franceze “Le Monde” e ka cilësuar si “soprano me zë diellor dhe me kualitet interpretativ të lartë”, ndërsa regjisorët e operas franceze e cilësojnë si “soprano dhe aktore të jashtëzakonshme”. Alketa ka interpretuar e bashkëpunuar me këngëtarë të shquar lirikë me famë botërore. Nga çmimet që ka marrë në Francë veçohen: Çmimi i Parë të Operës në Konkurrencën Evropiane Mâcon në konkursin ndërkombëtar dhe Çmimi i Parë e Çmimi i Publikut në Concours International de Gascogne. Nga çmimet jashtë Francës bie në sy çmimi “Voce Promessa” në Concorso Internazionale Lirico “G. Lauri Volpi”dhe Çmimi i Konkursit për rindërtimin e Teatro la Fenice e Venecias. Ka fituar edhe disa konkurse internacionale në Milano, Venezia, Treviso etj. Ka lindur në Tiranë. E diplomuar shkëlqyeshëm në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe e specializuar në Itali dhe në Francë. Pas një qëndrimi 20 vjeçar në Francë, u rikthye në skenën e TKOB në koncertin gala “Yjet e operas shqiptare”.

Liri BEGEJA (1955). Kineaste dhe regjisore e njohur me gjak shqiptar dhe francez. U lind më 16 shkurt 1955 në Paris në një familje shqiptaro-franceze. E ëma e saj, Jeannine Lon Champ është nga Franca, kurse babai, Jusufi, një emigrant politik nga Tirana. Jusufi ishte pjesë e Lëvizjes “La France Libre” të Charles de Gaulle. Pas çlirimit të Francës u dekorua nga Gjenerali i famshëm francez. Liria është diplomuar në Paris për Histori në Universitetin Paris V (1972) dhe në Shkollën e Kinemasë (1978). Është anëtare e grupit themelues të “Tirana Film Festival” (TIFF), mbështetëse e tij dhe kordinatore e filmit shqiptar në Francë. U martua me kineastin e njohur francez Luc Barnier (Lyk Barnier), bashkudhëtarë në jetë dhe në art, realizuan së bashku disa filma. Bashkëjetuan për mbi 33 vjet, deri kur ai u shua më 22 shtator 2012 në Paris. Nga bashkëjetesa e tyrë erdhi në jetë një vajzë (Lea). Luc ishte një nga montazhierët më të mirë të filmit në Francë. Ai i dha publikut francez dhe ndërkombëtar filma të shkëlqyer. I përket gjeneratës së re të kinemasë franceze, gjeneratës së viteve ’80. Për kontributin e madh në kinematografinë franceze” u dekorua nga Ministri i Kulturës së Francës Frédéric Mittérrand me medaljen “Chevalier de l’Odre National de Merite”. Luc bashkëpunoi ngushtë me regjisorë të njohur francezë, si Anne Fontaine, Benoit Jocquot, Maroun Bagdadi, Tony Marshall etj. Ai e deshi Shqipërinë dhe i mirëpriti e i ndihmoi shumë shqiptarët në Paris. U mor me korrespodencën tek botuesi i Claude Durand në “Fayard” për t’ia çuar Ismail Kadaresë në Nibelle të Francë, ku shkrimtari i shquar shqiptar qëndroi për disa muaj pas kërkesës për azil. Në shtëpinë e Luc në Paris kanë buajtur personalitete të shquara shqiptare, si kryeministri Edi Rama, Jusuf Vrioni, Mirela dhe Sajmir Kumbaro, Anri Sala, Inva Mula, Ornela Vopsi, Neshat Tozaj, e Pirro Mani, Sulejman Pitarka, Timo Flloko etj. Luc bëri shumë udhëtime e pushime në Shqipëri, shoqëroi bashkëshorten dhe vjehrrin e tij, Jusufin në rikthimin e tij në atdhe pas gjysëm shekulli, si dhe filmoi e montoi disa filma me tematikë shqiptare të realizuar nga bashkëshortja e tij, Liria, ku veçohen filmat artistikë me metrazh të gjatë “Prilli i thyer” (1987), “Larg nga barbarët” (Loin Des barares, 1994, një bashkëpunim franko-shqiptar) dhe filmi dokumentar “Rendez-vous në Tiranë”, kushtuar kthimit të babait të saj në Shqipëri. Ndonëse u lind dhe u rrit në Paris, Liria nuk e harroi kurrë vendlindjen e të atit. Pjesa më e madhe e filmave të saj kanë lidhje me Shqipërinë. Emri i saj u bë i njohur për artdashësit francez më 1987, kur ajo realizoi filmin “Avril Brisë” (Prilli i thyer, 1987), në bazë të motiveve të romanit të njohur të Kadarese. Filmi u xhirua në Korsikë, ku peisazhet malore mesdhetare ngjanin shumë me tokën shqiptare. Ky film u nderua me Çmimin e Madh të publikut në Festivalin e Lokarnos dhe me Çmimin e Madh në Itali. U nominua si vepër e parë për Çmimin “Ceasers” (1988) dhe u seleksionua në Festivalin Telluride (Detroit) dhe për “Award Globen Art” në San Francisko. Në filmin artistik me metrazh të gjatë “Larg barbarëve” (1994) ka elementë biografik të familjes së saj. Në këtë film protagonistë janë aktorja e njohur franceze Dominique Blanc dhe aktori i madh shqiptar Timo Flloko. Përmes portretit të një gruaje të brishtë, të interpretuar nga aktorja e njohur franceze, franceze Dominique Blanc, Liria sjell dhimbjen e ikjes dhe dramën e refugjatëve. Ky film ka marrë çmimin “Naguib Mafouz” në Festivalin e Kajros (1994 dhe është vendosur në fondin e përhershëm të videotekës së Parisit, i përzgjedhur dhe në festivalin e Venecies (1994). Në dokumentarin “Rendez-vous në Tiranë” (“Takim në Tiranë”, 1992), i transmetuar në kanalin franko-gjerman “Arte” (1992), personazhi kryesor është babai i saj, Jusufi, i cili pas 50 vitesh si emigrant në Paris rikthehet më 1992 si 80 vjeçar në atdheun që e la në moshën 27 vjeçare, një dokumentar sa i përmallshëm aq dhe i dhimbshëm, që u shfaq në Tiranë. I mallëngjyer, Jusufi i moshuar gjen forca t’i kërkojë të bijës të filmojë skenat prekëse të ritakimit me vendlidhjen dhe me njerëzit e tij më të dashur. Ky dokumentar u vlerësua me çmim të posaçëm të jurisë në çmimin “Italia” (1992). Nga filmat dhe serialet televizive që Liria ka realizuar në Francë si regjisore spikasin: “Prapa Diellit” (një adaptim i romanit të Ismail Kadaresë, film i xhiruar në Korsikë), “Paris Paparazzi”, “Brenda dekorit” (bashkskenariste me Jerome Beaujour), “Avril Brisë” (Prilli i thyer, 1987), “Larg barbarëve” (1994), “Konfrontimi” (serial televiziv në FR3), “Change My Life (“Ndryshoni jetën time”, 2001), “Without You” (“Pa ty”, 2004) etj. Filmat e saj vlerësohen për ndjeshmërinë ndaj temave sociale, emigracionit, varfërisë apo prostitucionit. Në filmin “Ndryshoma jetën” ku Liria është skenariste dhe regjisore shfaqet shpirti human i saj. Ky film është cilësuar nga kritika dhe mediat franceze si një nga filmat më të mirë të saj. Që në ditën e parë të shfaqjes, ky film u rendit i treti në Paris për nga numri i shikuesve (7 000 brenda disa orësh). Liria e nisi karrierën në mesin e viteve ’80, fillmisht si stazhire dhe asistent regjisore duke bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë franceze, si Patrice Chereau, Diana Kyrys, Christian Challonge, Chantal Akerman etj. Më pas spikati si regjisore dhe skenariste. Liria ka dhënë një kontribut edhe në sferën humanitare dhe atë shqiptare. Gjatë Luftës së Kosovës, mbështeti çështjen kosovare dhe mori pjesë në shumë aktivitete kulturore dhe manifestime në mbështetje të Kosovës në Paris. Gjithashtu, ka ndihmuar në Paris shumë shqiptarë duke u krijuar kontakte në fusha të ndryshme të artit, duke i strehuar në apartamentin e saj në Paris, apo duke i ndihmuar financiarisht. Kryeministri Edi Rama është ndër miqtë më të mirë të saj, i cili ka buajtur në shtëpinë e saj në Paris. Liria ka qenë kumbaro e Edit në martesën e tij me Lindën. Është gruaja që i bekoi dhe i lidhi në martesë. Ajo kreu ceremonialin e unazave. Në prag të fushatës zgjedhore të vitit 2003, kur Rama kandidonte për kreun e bashkisë së Tiranës, Liria erdhi nga Parisi për të realizuar diçka speciale për mikun e saj. Bashkë me Ramën dhe grupin muzikor “West Side Family” ajo realizoi videoklipin e këngës “Tirona jonë”, i cili pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe impakt të madh në publik. Përmes këtij klipi ajo kishte si qëllim të fitonte zemrat e atyre që s’ishin bindur për punët e Edi Ramës.

Lexo edhe :  Fushata e LaCivita-s? Jo, e 6 milionë dollarëve

Rina ÇELA-GRASSET. Përkthyese, autore disa librave, redaktore, gazetare për revistën “Univers Littéraire”, kryetare e shoqatës shqiptare “Iliria” në Lyon (nëntor 2003 e në vazhdim), nënkryetare nderi e shoqatës së Biznesit “Francë-Shqipëri” (mars 2018 e në vazhdim), koordinatore e Misionit Secours Cathoolique -Caritas France për më shumë se tre vite dhe prej shumë vitesh punonjëse sociale në Bashkinë e Lyon-it. Ka qenë anëtare e Bordit të Teatrit Kombëtar Eksperimental në Tiranë (prill 2012 – prill 2017). Për kontributin e saj të madh në fushën e letërsisë dhe të përkthimimit është nderuar nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë me diplomën “Personaliteti Frankofon i Vitit 2015” dhe nga Kryeministri shqiptar Edi Rama me titullin “Ambasadore e Kombit” (shkurt 2019). Ka marrë dhe çmimin “Iliria Prix” (2015). Ka lindur në Elbasan. Prej shumë vitesh banon në Lyon të Francës. Ka dhe nënshtetësi franceze. Prej 16 vitesh është e martuar me francezin Fabien Grasset (i lindur në Bourg – en- Bresse në Francë). Ka tre djem: Arditi, Rafaeli dhe Eduardi. Rina ka një diplomë për gjuhë-letërsi dhe një Master nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan (1991 -1996), si dhe dy mastera në Francë: Master në Sociologji (Shkencat Sociale, 2004 -2005, Universiteti Lumière Lyon 2) dhe Master në Inxhinierinë e zhvillimit lokal (Shkencat Ekonomike dhe Sociale) nga Universiteti Katolik i Lyonit (2002 -2004). Ka botuar dy libra në Francë: “L’Esprit du Temps” (“Bukë, kripë dhe zemër”, 25 tetor 2019, libër mbi kuzhinën shqiptare me 45 receta shqiptare) dhe “Tresors Albaniais” -Proverbes du pais des aigles (“Thesare shqiptare -Proverba nga vendi i shqiponjave” (2016). Parathënia e këtij libri është bërë nga studiuesi dhe profesori i shquar shqiptar në Paris, Luan Rama, ku ndër të tjera shkruan: “Është e dyta herë që proverbat shqiptare botohen në Francë në gjuhën frënge. Në fillim ishte konsulli francez në Janinë, Auguste Dozon….Pothuaj 120 vjet më vonë, përsëri në Francë, Rina Çela, përkthyese e talentuar, kapërceu “urën midis dy brigjeve” nga Shqipëria në Francë (fillimisht për të kryer studimet pasuniversitare e pastaj qëndroi për një histori dashurie), me pasionin e trashëgimisë kulturore e të folklorit na përcjell kësaj rradhe rreth 500 proverba”. Rina ka spikatur edhe si përkthyese e shkëlqyer e gjuhës frënge. Ka përkthyer në shqip disa romane të shkrimtarit të njohur francez, Erik Emanuel Shmit dhe disa autorë bashkëkohorë francezë, si: “Guximi që u duhet lumenjve” (Albas, 2018) nga Emmanuelle Favier, “Ju shkruaj në errësirë” (bashkpërkthyes me Luan Ramën, Albas, 2017) nga Jean-Luc Seigle, dhe nga Eric-Emmanuel Schmitt: “Gruaja në pasqyrë” (Toena, 2016), “Tradhtia e Ajnshtajnit” (Teatri Kombëtar Eksperimental, 2016), “Odiseja nga Bagdadi” (Toena, 2015), “Odetë Gjithkushi dhe histori të tjera” (Toena, 2011). Ka përkthyer në frëngjisht një vëllim poetik nga Besnik Camaj, ka redaktuar e korrektuar mbi 200 libra, ka organizuar aktivitete të shumta letrare e kulturore me shqiptarët e Lionit, si dhe ka promovuar libra në Panairin e Librit në Paris. Karrierën letrare e nisi në Tiranë si redaktore në shtëpinë e njohur botuese “Toena”, më pas si përkthyese e letërsisë për “Toenën” dhe “Albas” (janar 2006 -2021) në Tiranë.

Zelina ZAGORÇANI-BARTH. Sipërmarrëse e njohur shqiptaro-franceze dhe menaxhere e Protokollit në qytetin e Dionit (3 mars 2021 e në vazhdim). Është bashkëthemeluese dhe udhëheqëse e sipërmarrjes “Magnesia Process”. Prej shumë vitesh banon dhe punon në Francë. E martuar me një francez dhe ka dy fëmijë. Ka lindur në Pogradec në një familje të njohur. Gjyshi i saj ishte funksionar i lartë, kurse e ëma violiniste. Familja e saj deshi t`i krijojë një ardhmëri të ndritshme dhe Zelina zgjodhi Francën. Ishte 15 vjeç kur u largua e vetme nga Shqipëria dhe u vendos në Dizhon të Francës ku kreu studimet në Kolegjin “Boris-Vian dhe studimet e larta për menaxhim biznesi. Pas përfundimit të studimeve, filloi praktikën në një agjenci turistike biznesi në Dizhon ku takon Isabelle Provau. Së bashku themeluan më 2009 kompaninë “Magnesia Process” (sipërmarrje e specializuar në organizimin e kongreseve, seminareve dhe konventave), e cila brenda pak kohës pati një sukses të madh.

Erifi BEZHANI (1910-1959). Juriste, avokate dhe përkthyese e njohur. Është avokatja e parë shqiptare që ushtroi profesionin në Marsejë të Francës, femra e parë avokate në Shqipëri, avokatja e parë që u dënua mer grupin e deputetëve opozitarë (1947) dhe femra më e emancipuar shqiptare në vitet ’30-të. Fliste rrjedhshëm frëngjisht, anglisht, greqisht, italisht dhe rusisht. U lind në qytetin e Vlorës në një familje të pasur. Babai i saj, Leko Bezhani ishte pronar i “Banka di Napoli, kurse e ëma, Amalia ishte motra e atdhetarit të shquar, Sotir Kolea. Që 9 vjeç ndoqi studimet në Montpelie dhe në Paris. Kreu studimet për Letërsi Frënge, studimet e larta për drejtësi në Universitetin e qytetit Alix-en-Provence (1939) dhe studimet e thelluara në Paris. Doktoraturën e mbrojti për Kriminalistikë në Paris. Pas diplomimit, punoi për dy vjet si avokate në Marsejë. Më 1941 fejohet me një avokat të njohur francez, por lumturia e saj nuk zgjati shumë. U detyrua ta lër Francën pas një fatkeqësie që i ndodhi motrës së saj, Evrinomit që studionte në Montpellier. Largohen të dyja nga Franca në dimrin e vitit 1943 dhe kthehen në Vlorë. Më 1944 u vendos në Tiranë dhe u bashkua me disa intelektualë antikomunistë të shkolluar në Europë. E trishtuar nga vrasja e e intelektualëve nga komunistët shqiptarë në vitet e para të çlirimit, Erifili angazhohet me grupimin opozitar Social-Demokrat të kryesuar nga shoqja e saj, Musine Kokalari. Më 16 maj 1947 arrestohet bashkë me deputetët opozitarë dhe dënohet me 20 vjet burg nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, por bëri vetëm 8 vite. E kreu dënimin në burgun e tmerrshëm të Burrelit duke hyrë në historinë shqiptare si një ndër katër femrat shqiptare (Musine Kokalarin, Shega Këlcyrën, Nurie Koculin, e bija e ish kryeministrit Qazim Koculi) që provuan burgimin dhe torturat më ç’njerëzore. U lirua nëntor të vitit 1951 nga ndërhyrja e miqve të vjetër të familjes së saj, Hysni Kapo dhe Kadri Hazbiu, pasi familja e saj kishte përkrahur e financuar Luftën antifashiste. Më 1952 futet në Kolegjin e Avokatëve të Tiranës, ku nis punën si e para femër avokate, ndërkohë bën dhe përkthime nga frëngjishtja dhe rusishtja për Ministrinë e Drejtësisë, për shtëpinë botuese “Naim Frashëri” dhe për Legata të huaja në Tiranë. Pas një viti e heqin nga puna dhe e dënojnë me punë të detyruar si fshesaxhie e turnit të tretë në rrugët e Tiranës. Pas 6 muajsh sëmuret nga ulcera dhe në operim e sipër në spitalin e Tiranës vdes më 15 shkurt 1959 në moshën 49 vjeçare.

SHULI, Eridona. Gazetare dhe ish – banore e Edicionit të të tretë të Big Brother. Më 2017 lidhi kurorë me të dashurin e saj francez. Cermonia e dasmës u bë në Francë.

 

Të fundit

Listat e hapura po bëjnë kërdinë në terren, betejë e egër e kandidatëve brenda partisë

Në këtë fushatë nuk po flitet për programe, por po flitet për tepsi. Kjo metaforë, e futur në fjalorin...

VIDEO: Champions League, Parisi fiton edhe në shtëpi dhe shkon në finale kundër Interit

Parisi sonte e pati relativisht të thjeshtë të kualifikohet në finalen e Champions League. Pas fitores 0-1 në Londër, parisienët fituan 2-1 në shtëpi dhe...

Intervista, Rama ironizon Lapajn: Kur fut hundët në punët e qeverisë…

Kryeministri i vendit, Edi Rama, komentoi rastin e arrestimit të kandidatit të partisë “Shqipëria Bëhet” në Sarandë, i cili u kap me kokainë. Ai...

“Rama premton 2 kg fara kungulli mandatin që vjen”, Berisha: Jo më djepe bosh!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë takimit me qytetarët në Elbasan akuzoi Edi Ramën, se u premton të rinjve 2 kilogram fara kungulli...

Takimi në Tiranë, Agron Shehaj: Misioni ynë është të mos largoheni në emigrim

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, nga Tirana, u shpreh me tone të forta se rruga drejt ndryshimit të vërtetë në Shqipëri nuk ndalet...

Lajme të tjera

Web TV