Si po e pret bota krizën e fundit të energjisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Almario Uka

Kriza më e fundit në sektorin energjitik që është përhapur në shpejtësi në pjesën më të madhe të botës ka një natyrë të mungesës së furnizimit më lëndë të para siç janë qymyri, gazi i lëngshëm, karboni dhe nafta. Për disa ekonomistë, kjo ndodh si pasojë e rënies së ofertës nga prodhuesit kryesorë të lëndëve të para, por që nuk mund të shihet si arsyeja e vetme. Rritja e kërkesës, problemet teknike apo mungesa e investimeve në sektor luajnë gjithashtu rolin e tyre në krijimin e kësaj situate problematike. Tregjet më të prekura janë ato të mbarë Europës dhe Azisë së Largët.

Rritja e çmimit të energjisë përgjatë stinës së dimrit është një fenomen i njohur që vjen si pasojë e rritjes së kërkesës për gaz. Meqënëse, bota është akoma e varur tek nafta dhe elektriciteti, kriza energjitike kërcënon të prek çdo cep të ekonomisë së ndërlidhur globale, duke ndrydhur zinxhirin e ofertës për lëndë të para që shoqërohet me rritje të çmimit të ushqimit duke sjellë inflacion. Duhet theksuar që shija e hidhur e hiperinflacionit të para një shekulli është akoma në mendjet e europianëve. Në rastin më të keq, Europa mund të përballet me një blackout, ndërkohë Kina do të detyrohet të mbyllë shumë industri të rënda të prodhimit të metaleve dhe naftës. Një krizë me ndikim të tillë në ekonomi, shumë shpejt mund të përhapej në arenën politike pasi rritja e çmimit të faturave dhe ushqimeve do të sillte trazira sociale.

Pse po rritet çmimi i gazit natyror në Europë dhe çfarë ndikimi ka mbi konsumatorin?

Si rrjedhojë e rritjes së kërkeses për gaz natyror në mbarë botën kjo sjell një rritje mbi normën të çmimit të energjisë.  Shqetësimi është që rritja e faturave të energjisë do të kenë impakt të lartë tek cilësia e jetës së qytetarëve. Hapja e plotë e ekonomive në mbarë botën në mënyrë të menjëhershmë gjatë verës, pas një mbyllje prej më shumë se një viti si pasojë e kufizimeve nga pandemia Covid-19, rriti konkurrencën në kërkesë për gaz natyror.

Megjithatë, natyra e kësaj krize mund të jetë një kombinim i faktorëve në ofertë dhe në kërkesë. Një arsye për rritjen e kërkesës për gaz natyror të lëngshëm në Europë është dimri i gjatë i kaluar që nxiti qytetarët të shpenzonin më shumë energji për ngrohje. Një arsye tjetër që lidhet me kushtet klimaterike është mungesa e erërave të forta që ndikoi drejtpërdrejtë në uljen e rezervave të energjisë së rinovueshme që prodhon Europa dhe rritje të nevojës për gaz natyrorë që vjen nga Rusia.

Sa i përket ofertës janë disa arsye që lidhen: së pari me uljen e shpenzimeve në mirëmbajtje të fushave të naftës dhe gazit natyror përgjatë pandemisë Covid-19, dhe së dyti përqëndrimi më i lartë i investimeve në burime energjie të rinovueshme në kuadër të politikave të klimës që BE-ja ka ndërmarrë së fundmi. Kjo ka çuar në ulje të rezervave të burimeve të energjisë që Europa zotëron – të prodhuara vetë apo të importuara – me së paku 20% nga viti i kaluar me rezultat rritjen ekstreme të çmimit të energjisë për konsumatorin final.

Hipoteza të ndryshme, të vërtetueshme apo jo, e lidhin krizën e energjisë me politika lobuese të Rusisë për të përfunduar miratimin e tubacionit “Nord Stream 2” që do të sillte gazin natyror të lëngshëm nga Rusia drejt Gjermanisë direkt, duke anashkaluar Ukrainën. Kjo do të rriste ndërvarësinë e Europës tek Rusia për gaz natyror. Nën furtunën e këtyre akuzave gjenden qeveria gjermane dhe ajo ruse ndaj të cilave ështe ngritur një komision hetimor pranë Parlamentit Europian për vërtetimin e tyre. Zbatimi i këtij projekti, për një pjesë të Unionit, shihet si cënim i drejtëpërdrejtë i sigurisë energjitike dhe pavarsisë politike të tij. BE-ja sot, importon më shumë se 40% sasi të gazit natyror nga Rusia për të përmbushur nevojat e saj industrial dhe të konsumit. Për Bashkimin Europian është jetike respektimi i kontratës nga Gazprom për furnizimin me gaz natyrorë, në mënyrë që sistemi të mbetet konkurrues përbrenda Unionit.

Një tjetër hipotezë e lidh krizën energjitike me mungesën e investimeve në fushën e naftës dhe qymyrit, pasi pjesa më e madhe e fondeve i shtohet prodhimit të energjisë së rinovueshme. Mirëpo, në një vit mungese prodhimi të energjisë nga era, Europa u kap e papregatitur dhe e varur ndaj konkurrentit të saj gjeo-strategjik.

Disa vende brenda BE-së, ekonomitë e të cilave u goditën fort nga pandemia, morën goditjen e dytë brenda pak muajsh që padyshim do të ketë një impakt të fortë negativ mbi to. Franca ka vendosur dhënien e disa “çeqeve të energjisë” për të ndihmuar njerëzit të paguajnë faturat e larta. Ndërkohë, Spanja dhe Italia kanë vendosur uljen e disa taksave për t’iu mundësuar njerëzve të kursejnë me qëllim që të paguajnë çmimet e kripura të faturave të energjisë. Sipas parashikimeve, kjo krizë do të zgjasë deri në mesin e vitit të ardhshëm, prandaj masa të tilla të sforcuara nga qeveritë janë të detyruara të ndërmerren për të parandaluar trazira të mundshme sociale.

Lexo edhe :  Rasti përjashtimor dhe ndotja e politikës

Ekspozimi i Europës ndaj tronditjeve të herë-pas-herëshme të çmimit të energjisë do të vijojë derisa kalimi i plotë në prodhimin dhe konsumin e energjisë së rinovueshme do të sjellë stabilitet në tregje. Prandaj, qeveritë duhet të përfshijnë programe sociale për të mbrojtur konsumatorët individual dhe bizneset, që preken më shumë nga këto ndryshime, duke subvencionur shpenzimet për energjinë që të shmanget fshehja apo prerja e burimit të energjisë nga këto grupe shoqërore.

Po mbi Kinën…

Vendi po zbaton disa politika të përdorimit racional të energjisë pas uljes së ofertës së qymyrit të importuar për shkak të rrijtes së çmimit. Kjo situatë është përhapur gjerësisht në Kinë duke sjellë mbylljen ose reduktimin e kapacitetit prodhues të shumë fabrikave të industrisë së rëndë, dhe uljen e konsumit vetjak të energjisë. Sipas parashikimeve do të duhen disa muaj në Kinë gjithashtu, përpara se oferta dhe kërkesa në rritje për qymyr të puqen. Për një kohë të gjatë, Kina ka prodhuar vetë energjinë elektrike, por e ka të pamundur të furnizojë të gjithë kapacitetet e saj prodhuese industriale apo kërkesat për konsum vetjak nëpërmjet kësaj energjie. Viti i kaluar I pandemisë e ka vështirësuar akoma më shumë këtë situatë duke e bërë Kinën më të varur në importin e qymyrit nga India dhe Australia.

Presidenti kinez Xi i kërkon industrive të reduktojnë kapacitetet e tyre prodhuese në mënyrë që Kina mos të jetë e detyruar të importojnë sasi të mëdha të qymyrit nga jashtë. Ndryshe nga Bashkimi Europian, kjo politikë në Kinë do të siguronte që rritja globale e çmimit të qymyrit të mos prekte drejtëpërdrejtë konsumatorin final por bizneset. Kjo strategji do të shmangte trazirat sociale që mund të rrezikonin pushtetin autoritar në Kinë. Gjithashtu, Covid-19 dhe përpjeket ekspansioniste kanë sjellë krisje të marrëdhënieve të Kinës me botën përreth, duke e shtyrë presidentin Xi t’i distancohet varësisë importuese prej Indisë dhe Australiës, dhe të kthej sytë nga Rusia.

Në vitet e fundit, në kuadër të politikave mbi ndryshimet e klimës, Kina ka tentuar një kalim drejt prodhimit të energjisë së rinovueshme nga era dhe diellore. Megjithatë, pak mbi 50% e industrisë në Kinë mbahet në këmbë nga djegja e qymyrit, dhe këtë e dëshmojë qartësisht kriza më e fundit. Thirrjet e presidentit Xi për të dekarbonizuar industrinë kineze dhe ulur ndotjen e mjedisit nuk lehtësuan efektet negative të situatës aktuale, që mund të jetë ndikuar edhe nga kriza me e fundit financiare e gjigandit të pasurive të paluajtëshme – Evergrande.

Ulja e ritmit prodhues të industrisë kineze si pasojë e mungesës së furnizimit me qymyr dhe rritjes së çmimit të tij, ka pasur ndikim tek punësimi, porositë dhe eksportet duke e ndrydhur rritjen e prodhimit të brendshëm bruto. Reagimi pozitiv që pati ekonomia kineze ndaj pandemisë Covid-19 ishte një shembull për pjesën tjetër të botës, ama kriza më e fundit energjitike e shoqëruar me tkurrje të sektorit të manufakturës për shkak të kostove të larta, uljes së prodhimit dhe racionalizimit në përdorim të burimeve të energjisë, treguan që nuk ka të paprekshëm në globalizëm.

Kina është e detyruar të kthejë sytë nga Rusia për të mbajtur të gjallë ecurinë e saj ekonomike. Marrëveshja me gjigantin shtetëror rus Inter RAO për furnizimin me elektricitet për qëllime të konsumit vetjak e dëshmon ekzistencën dhe pasojat e krizës energjitike në Kinë. Inter RAO që deri pak vite më parë i ofronte deri në 7 miliardë kiloëatt- për orë energji elektrike Kinës, i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese sipas burimeve zyrtare ruse.

Për t’a mbyllur, parashikues serioz siç janë Goldman Sachs dhe Nomura kanë ulur pritshmëritë e tyre për një rritje të GDP-së globale në të ardhmen e afërt. Ekonomitë në të gjithë botën po hasin vështirësi në prodhim për shkak të shkëputjes së zinxhirrit të ofertës. Sipas tyre, veç Kinës, industritë e prodhimit të makinave në Angli dhe Japoni kanë pësuar një rënie të madhe të aktivitetit si pasojë e mungesës së furnizimit me semikondaktorë – një element kyç në proçesin e tyre të prodhimit.

Të fundit

‘Gëzuar përvjetorin!’ Presidenti Trump dhe Melania, 20 vite martesë

Donald Trump dhe Melania Knauss festojnë 20 vjetorin e martesës së tyre, e cila u kurorëzua më 22 janar...

“Basha me parti të re”, gazetari zbulon lajmin: Është regjistruar në Gjykatë

Lulzim Basha do të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit nën logon e partisë së re “Demokratët euroatlantikë””. Lajmin e ka dhënë në...

“Vendosmëri absolute për ndryshim”, Këlliçi takohet me diasporën shqiptare në Nju Jork

Drejtuesi politik i PD për Tiranën Belind Këlliçi, ka publikuar në Facebook pamje nga takimet e tij me shqiptarët në Bronx, Nju Jork, SHBA. Këlliçi...

Diaspora/ Analisti: Të rinjtë sjellin ndryshim, ja cilat parti favorizohen prej tyre

Analisti Mentor Nazarko ka theksuar se personalizimi i votës në zgjedhjet e ardhshme mund të kufizojë ndikimin e kryetarëve të partive dhe të sjellë...

Livia flet për historinë e ‘tradhtisë’ së Mevlanit: Jam penduar…

Konkurrentja e Big Brother VIP4, Livia, ka folur për ish-partnerin e saj, Mevlanin, historia e të cilëve nisi që nga programi “Për’puthen”. Në një bisedë...

Lajme të tjera

Web TV