Revolucion në Vatikan/ Papa Françesku vendos për herë të parë një grua në krye të administratës shtetërore

Në administratën shtetërore të Vatikanit, Papa Françesku ka emëruar për herë të parë një grua. Motër Raffaella Petrini është emëruar sekretare e përgjithshme e administratës, posti i dytë më i lartë në guvernatoriat.

Motër Raffaella Petrini ka si detyrë mbikëqyrjen e muzeve të Vatikanit dhe shërbime të tjera shtetërore të tij, si zyrën e thesarit dhe pullave. Më parë, 52-vjeçarja nga Roma ishte pjesë e Kongregacionit për Ungjillizimin e Popujve dhe kryente punë misionare.

Papa Françesku në fillim të vitit, bëri teologen Nathalie Becquart gruan e parë në historinë e Kishës Katolike që shërben si nënsekretare në Sinodën e Peshkopëve. Më pas, në gusht, Papa Françesku emëroi motër Alessandra Smerilli si Sekretare e përkohshme e Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, që fokusohet në çështjet e migrimit dhe varfërisë.