Berisha përdor demokratët për të justifikuar veten: Ma kërkojnë ata të rikthehem kryeministër

Sali Berisha ka deklaruar se do të kërkojë ndryshime në statut që e ndajnë kryetarin nga pozicioni i kryeministrit, por duket se ish-kryeministri e ka ‘ndërruar pllakën’ shumë shpejt.

Berisha sot ka dalë me një tjetër qëndrim në konferencën për media se do të rikthehet si kryeministër. I pyetur pse ka shkelur deklaratat e tij të mëparshme, Berisha u justifikua se “e kërkonin qytetarët”.

“Ka një kërkesë masive për rikthimin e Sali Berishës dhe unë e pranoj si detyrim, por në çdo moment që demokratëve mund të mos u duket e arsyeshme, unë e pranoj vendimin e tyre. Le të dalë Edi Rama në një debat me Sali Berishën. Janë mërzitur njerëzit, ata duan debatin e lirë”, tha Berisha.

Kështu në një kohë kaq të shkurtër, Berisha nxori në pah qëllimet e tij të vërteta që fshihen pas foltores, madje nuk është çudi që të tjera aspirata personale të ish-kryeministrit të zbulohen nga ai vetë në vazhdim.