Bashkia e Tiranës ka nisur prej disa ditësh një aksion të madh për pastrimin e zonës së Bregut të Lumit, ku punonjësit e terrenit dhe jo vetëm po punojnë me intensitet për largimin e mbetjeve të hedhura pa kriter nga qytetarë të papërgjegjshëm. Aksionit të pastrimit këtë të diel iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Kamzës Rakip Suli si dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe zv/ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici.
Kryebashkiaku Veliaj tha se mbajtja pastër e çdo zone në kryeqytet, nuk bën gjë tjetër veçse i rrit vlerën pronës.
“Ndotja ndodh nga banorët e zonës. Është për të ardhur keq sepse ky komunitet ka parë investimin më të madh. I është rritur vlera e pronës vetëm nga fakti që lumi tani nuk përmbytet më. Para 6 vitesh përmbytja e lumit shkonte deri tek “Siri Kodra”. Sot është bërë një investim i jashtëzakonshëm, por duhet mirëmbajtur. Ne mund të bëjmë mijëra kilometra rrugë, infrastrukturë, por njeriu duhet të punojë me mentalitetin e tij, sepse vetëm kështu ia rrit vlerën kësaj prone, për të cilën është rritur interesi edhe për shkak të lagjeve të reja që po bëhen”, theksoi Veliaj.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të reflektojnë dhe të mos ndotin ambientin ku jetojnë.
“Ftesa për të gjithë qytetarët është: Kjo nuk fitohet me një aksion. Mos e bëni për Edi Ramën, mos e bëni për ministren, mos e bëni për kryetarin e bashkisë, por për fëmijët tuaj. Kur del fëmija dhe luan në një fushë me plehra, është ai i pari që ndikohet, është shëndeti i tij, është ajo që merr frymë, është ushqimi që ha”, vijoi më Veliaj, teksa paralajmëroi se do merren masa për këdo që ndot ambientin.
“Ne do fillojmë të vëmë masa për të ruajtur fëmijën e banorit që hedh plehrat. Po vëmë masa, po gjobisim prindin, që të ruajmë fëmijën, sepse është e pamundur të vazhdohet kështu”, pohoi Veliaj.