Sekuestrohen 520 kg marijuanë në Serbi, dyshohet se droga u nis nga Shqipëria

520 kilogramë marijuanë janë sekuestruar nga një aksion i policisë serbe në Nish. Mediat raportojnë se droga ishte e ndarë në 134 pako, ndërsa sipas MUP-it serb, droga është nisur nga Shqipëria.

Burime bëjnë me dije se deri tani është arrestuar një person, i cili do të mbahet i prangosur për 48 orë.

Sipas MUP-it serb, kjo sasi droge fillimisht ka mbërritur në Kosovë përmes Shqipërisë, e më pas është transportuar në Serbi, ku ka qenë e destinuar të shitej.

Ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Aleksandar Vulin, pas këtij aksioni policor u takua me drejtuesit e policisë serbe, duke marrë merita për “luftën e ashpër të MUP-it kundër drogës”.