Nga Ilir Yzeiri
Polemika që hapi rileximi i komedisë « Prefekti » të Besim Levonjës (1948) nga aktorët e Teatrit Kombëtar, na shfaqi edhe njëherë pamjen groteske dhe karikaturore të politikës shqiptare. Opozita, për fat të keq, nuk duroi por u tregua jo vetëm e paaftë, por edhe e ngushtë në mendje e në tru dhe bijë e denjë e enverizmit dhe produkt i zyrave të errëta të censurës komuniste.
Në Shqipëri ka kohë që po ndodh një fenomen i çuditshëm. E ashtuquajtura opozitë antikomuniste përbëhet në shumicën e rasteve nga ish-komunistë apo bij dhe bija të ish-komunistëve të cilët, në nënvetëdije, kanë mjetet e luftës politike të kohës së Enverit sepse me ato janë rritur. Ndërkaq, për ironi të fatit, pasardhësit e deklaruar të komunistëve apo ps-istët, që përfaqësohen nga ajo që quhet elita e borgjezisë komuniste, siç i quan Peter Morgan, profesori australian dhe autor i librit « Kadare-shkrimtari dhe diktatura » (2011), shfaqen më mendjehapur. Mjaft të përmendim se eshtrat e Mit’hat Frashërit i solli në Shqipëri qeveria e Edi Ramës dhe rehabilitimin kulturor kësaj figure komplekse ia bënë socialistët jo demokratët antikomunistë që sot shqetësohen për recitimin e komedisë « Prefekti » të Besim Levonjës. Kjo është njëra anë e problemit.
Ana tjetër është ajo që lidhet me natyrën e artit. Lenini në artikullin e tij « Organizata e partisë dhe letërsia e partisë » flet për herë të parë për angazhimin politik të artit dhe letërsisë dhe për ndihmën që duhet të japin shkrimtarët në realizimin e projektit komunist. Te ne, siç e kam shpjeguar gjerë e gjatë në dy librat e mi « Semiopragmatika e realizmit socialist » (Onufri, Tiranë 2014) dhe « Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri » (ÇABEJ, 2020), elitat e borgjezisë komuniste e huazuan këtë vështrim të artit dhe letërsisë sipas modelit sovjetik dhe e bënë kriter të vlerësimit të traditës, të autorit, të tekstit dhe të lexuesit. Instalimi i realizmit socialist në Shqipëri nuk qe i menjëhershëm.
Vitet 1945-’46-’47 zotërohen nga përpjekja e Sejfulla Malëshovës për të ndërtuar në vend shtëpinë e përbashkët për të gjithë ata shkrimtarë e artistë që dëshironin të punonin për një Shqipëri të lirë e demokratike. Revista « Bota e re » që doli në vitet 1945- ’46, gjithsej 8 numra, ishte shprehja më e mirë e kësaj fryme. Po ashtu, Kuvendi i parë për krijimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve që u mbajt në vitin 1945 ishte si një festë e madhe për të gjithë shkrimtarët që dëshironin të ndihmonin në ndërtimin e Shqipërisë së re. Mjaft të kujtojmë se në presidiumin e kësaj konference ishte edhe imzot Vincens Prenushi. Ajo që ndodhi më pas me largimin e Sejfulla Malëshovës dhe me dhunën makabre ndaj klerit katolik dhe sidomos me arrestimet dhe gjuetinë e shtrigave në vitin 1947, viktima të së cilave ishin veç të tjerash edhe Kuteli e Petro Marko, treguan se Shqipëria u fut përfundimisht në rrugën e diktaturës komuniste sipas modelit stalinian.
Mirëpo arti dhe letërsia janë akte individuale dhe talenti është një dhuratë nga krijuesi apo nga natyra. Elitat komuniste që erdhën në pushtet kryen një nga krimet më të mëdha ndaj memories kulturore duke përjashtuar nga qarkullimi kulturor pjesën më vitale të traditës dhe sidomos Fishtën dhe përfaqësuse të tjerë të kulturës së rrethit katolik të Shkodrës, siç e quante Çabej atë traditë. Ridimensionimi i memories kolektive dhe përndjekja e aytre që mendonin ndryshe është një fakt dhe një tragjedi në historinë e qytetërimit shqiptar. Ndërkaq, edhe ashtu e mbyllur dhe të izoluar, jeta në këtë vend vazhdonte dhe projekti komunist nuk ishte një eksperiment që bëhej vetëm te ne. Ai kishte përfshirë gati gjysmën e globit.
Tani si të bëjmë ? Ta fshijmë këtë pjesë të jetës sonë ? Të bëjmë ashtu siç bëri enverizmi që e ridimensionoi memorien kolektive duke fshirë gjysmën e saj ? Pikërishtë këtë gjë po kërkojnë të bëjën idhtarët e opozitës berishiano-enveriste, sepse modeli i tyre i kuptimit të jetës nuk mund të dalë jashtë atyre kornizave. Dhe paradoksi më i madh i kësaj jete të mbyllur dhe artit e letërsisë që u zhvillua në të është se në këto kushte lindi shkrimtari më i madh i të gjitha kohërave, Ismail Kadareja. Sepse talenti është magji dhe dhuratë nga krijuesi apo natyra.
Po le të kthehemi të komedia « Prefekti » nga e cial morëm shkas për këtë shkrim. Besim Levonja e shkroi atë në vitin 1948 dhe në dhjetor të atij viti ajo u vu me sukses në skenën e Teatrit Nacional. Komedia është ndërtuar sipas modelit të komedive të zakoneve e të sjelljeve të Molierit. Përqeshja që i bëhet prefektit të Tiranës dhe ekzagjerimi i disa tipareve të sjelljes së tij janë mjete stilitike që përdor zakonisht komedia e zakoneve e krijuar prej Molierit, siç e përmdna më sipër. Arti dhe letërsia nuk janë realitet, janë trillim. Ajo figurë që ka ndërtuar mjeshtri Besim Levonja është personazhi historik Qazim Mulleti dhe jo individi Qazim Mullleti. Ai është prefekti i ndërtuar sipas fantazisë së Levonjës duke përdorur si mjet ironinë, sarkazmën, përqeshjen dhe talljen. Në të gjitha rastet ajo është një vepër artistike dhe, në një vepër artistike, është e lejuar gjithaçka përveç thirrjeve për dhunë racistë, gjinore dhe fetare. Kjo paraqitje që i bën Levonja kësaj figure, që e luan me mjeshtëri të pazakontë Robert Ndrenika, nuk ia heq vlerat që mund të ketë pasur si njeri ky personazh, ashtu sikundër nuk e shpëton dot nga mëkatet e bashkëpunimit me fashizmin italian.
Por te një personazh historik ka dy të vërteta: e vërteta historike ose ekzegjeza dhe e vërteta artistike ose diegjeza. Vetëm në komunizëm veprat gjykohshin si pasqyrë e realitetit që ose e nxinin ose e zbardhnin atë. Për fat të keq, këtë mentalitet e ruan sot opozita që e heq veten si antikomuniste. Për ta ilustruar këtë që sapo thashë po sjell vetëm dy shembuj nga trajtimi që i ka bërë Berluskonit kinemaja italiane. Nani Moreti në një film me titullin « Il Caimano » tregon me ngjyrat më të errët figurën e Berluskonit. Mjafton të shohësh titullin « Il Caimano » që është një lloj krokodili. Një tjetër regjisor, fitues i çmimit Oscar, Paolo Sorrentino me filmin « La grande belleza » (2014), në vitin 2018 realizon filmin « Loro » që rrëfen atë që është quajtur si berluskonizmi italian. Aty Silvio Berluskoni paraqitet me anët më të errëta dhe me tiparet më të zeza që mund të mendohet një personazh publik, duke zmadhuar deri në absurd veset dhe pasionet e një prej njerëzve më të fuqishëm të Italisë, përballë të cilave « Prefeketi » duket si një barcaletë.
Arti dhe letërsia janë krijime individuale dhe talentin nuk e bën as ideologjia dhe as morali. Shevqet Musaraj ka krijuar një poemë brilante gjatë vietev të luftës, atë me titull « Epopeja e Ballit Kombëtar » që vizaton me notat e groteskut dhe sarkazmës e ironisë figurat e formacionit politik të Ballit Kombëtar. Pas viteve ’90, poeti i talentuar që vuajti në burgjet e komunizmit, mjeshtri i sonetit Uran Kostreci, që u nda nga jeta para pak kohësh, shkroi e botoi poemën « Epopeja e karkelecëve » (Botime Onufri 2011) me të cilën satirizon veprimin komunist dhe kastën e saj duke përdorur të njëjtat mjete dhe të njëjtën lloj vargu si Musaraj. Tani, sipas mentalitetit të opozitës pd-iste, duhet të heqim nga qarkullimi « Epopenë » e Musarajt dhe të lëmë « Karkalecat » e Kostrecit.
Dhe për ta përfunduar dua të përmend Fishtën dhe poemën e famshme satirike të tij « Gomari i Babatasit » ku ai përdor gjithë mjetet dhe figurat satirike duke ndërtuar një imazh gati apokaliptik të mjerimit mendor shqiptar. Fishta, ndër mjeshtrit më të mëdhenj të satirës, nuk kursente asnjë, madje në këtë vepër, një artikullshkrues që ishte ngritur kundër klerit dhe arsimit që kishin ndërtuar franceskanët ai e bën gomar, pra përdor figurën artistike të shndërrimit të mutacionit. Kur Babatasi për të « ndreqë nji muze kombtar kishte ble njo gomar prej nji fshatari në rrugë të Kavajës », ai, në fakt, nuk ishte tjetër, por ai që përmenda më sipër. Dhe me atë për dore Babatasi shetit nga një zyrë në tjetër dhe atë e ka blerë për të mbajtur lëndën me të cilën do të ndërtohej muzeumi i famshëm. Vetëm në fund ai përmenedt që nuk ishte hajvan, por njeri./Javanews