Nga Mentor Hoxha – Paris
Presidentja e Rajonit Ile-de-France Valérie Pécresse do të jetë gruaja e parë në historinë e Partisë Republikane që do të mbrojë ngjyrat e partisë së parë të djathtë në zgjedhjet presidenciale franceze që do të mbahen më 10 dhe 24 prill 2022. Ajo fitoi me 4 dhjetor në raundin e dytë të Kongresit të Les Républicains (LR) pasi mundi deputetin e Alpes-Maritimes Eric Ciotti me 60,95% (114.000 mbështetës) kundrejt 39.05% për Ciottin. Rezultatin e konfirmoi presidenti i LR, Christian Jacob rreth orës 14:30. Në raundin e parë më 1 dhe 2 dhjetor, Ciotti doli në krye (25.59%) përpara Valérie Pécresse (25%). Në raundin e dytë u bashkuan me Valérie tre kandidatët e eliminuar, Michel Barnier (23.93%), Xavier Bertrand (22.36%) dhe Philippe Juvin (3.13%), duke i siguruar asaj fitoren. Në raundin e parë, Pécresse eleminoi nga gara dy favoritët kryesorë në sondazhe Xavier Bertrand, president i Hauts-de-France dhe Michel Barnier, ish-komisioner evropian, i cili i ka qëndruar gjithmonë besnik partisë. Fitorja e saj ishte një surprizë për analistët politikë, pasi ajo pati përballë kandidatë me shumë përvojë politike si Xavier Bertrand, i konsideruar favorit në sondazhe.
“Kjo fushatë është lufta e jetës dhe me ju dua ta fitoj atë”
E veshur me një xhaketë të kuqe, ajo u prit nga gazetarë të shumtë përballë ndërtesës së Partisë Republikane teksa po hynte për të votuar, aq sa mezi mundi të dalë nga makina për t’u futur në ndërtesë. Pas rezultatit, ajo mbajti një fjalim plot emocion para mbështetësve të shumtë. Pasi priti disa minuta për të folur për të pritur kandidatët humbës Xavier Bertrand, Michel Barnier dhe Philippe Juvin, të cilët u ngjitën në skenë duke treguar imazhin e një partie të bashkuar.
“Për herë të parë në historinë e saj, partia e gjeneralit de Gaulle, Georges Pompidou, Jacques Chirac dhe Nicolas Sarkozy do të ketë një kandidat grua”, -deklaroi ajo plot emocion. “Unë mendoj për të gjitha gratë”, shtoi me buzëqeshje ish-ministrja e arsimit të lartë në qeverinë e François Fillon. “Besimi juaj shkon drejt e në zemrën time”. Ajo falënderoi militantët “që patën guximin” ta bënin atë gruan e parë të familjes së saj politike, kandidate presidenciale. “Do të jap gjithçka”, -tha ajo, duke thënë se donte të “ngjallë shpresën”. “Kjo fushatë është lufta e jetës dhe me ju dua ta fitoj atë. E djathta republikane, e drejta e bindjeve, e drejta e zgjidhjeve është kthyer. Franca nuk mund të presë më. Nuk është Franca ajo që është në pyetje, por sistemi i saj. Por një sistem mund të ndryshojë dhe një president gjithashtu”, -tha ajo.
Largimi nga LR dhe kandidimi për zgjedhjet presidenciale
…E pakënaqur me drejtimin dhe rezultatet e dobëta të Partisë Republikane (LR) ajo krijoi në korrik të 2017-ës lëvizjen e saj brenda LR, “de Soyons Libres” (10 shtator 2007-2021), një lëvizje më centriste. Pas dështimit të LR në zgjedhjet evropiane më 2019, largohet nga LR, një ditë pas zgjedhjeve duke denoncuar të djathtën dhe “tkurrjen” e partisë. “Kam fituar bindjen se rithemelimi i së drejtës nuk mund të bëhet brenda dhe se duhet bërë jashtë partisë. Partia është e bllokuar nga brenda, në organizatën e saj por edhe në idetë e saj”, -tha ajo më 5 qershor 2019 në “France 2”. Megjithatë, themeluesja e Libres nuk i shkëputi kurrë lidhjet me familjen e saj politike. Nuk pushoi asnjëherë së dërguari sinjale që dëshmonin “besnikërinë” e saj apo duke marrë pjesë në takimin e Rinisë Republikanët në Parc Floral de Paris në fillim të shtatorit. E bindur se ajo ishte kandidatura e vetme dhe unitare e së djathtës dhe qendrës, ajo pranoi më në fund t’i përulej vullnetit të militantëve të LR. Në tetor 2020 u rikthye në LR duke mos e fshehur dëshirën për të kandiduar për zgjedhjet presidenciale. Më më 22 korrik 2021 shpalli kandidaturën duke mbështetur idenë e një primari të organizuar nga partia republikane. Në vjeshtën e vitit 2021 merr përsëri kartën e partisë. Kandidatura e saj u debatua për një kohë të gjatë nga analistët politikë dhe nuk shihej si favorite, por ajo besonte në fitore dhe u thoshte ekipeve të saj. “Mos u shqetësoni, ne do të fitojmë”. “Ata që e njohin e cilësojnë si “metodike”, “të organizuar” që i çon gjërat njëra pas tjetrës, si një “garë me pengesa”, -shkruan Le Monde.
Kush është gruaja republikane që kërkon të mposht Macron
Ka lindur më 14 korrik 1967 në Neuilly-sur-Seine të Francës. Emrin e lindjes e ka Valerié Anne Émilie Roux. Ka kombësi franceze. E martuar me Jérôme Pécresse. U rrit në një mjedis intelektualësh, veçanërisht me gjyshin e saj, Louis Bertagna, një psikiatër i njohur dhe rezistent. Pasioni i saj është letërsia. Ajo i tha “Le Monde” në 2015 se “dashuria për letërsinë ruse e bëri atë, që 15-vjeç të shkonte në BRSS për të mësuar gjuhën”. Valeria ishte një nxënëse brilante dhe e apasionuar pas librave. E diplomuar në shkollën Sainte-Geneviève, më pas në École des Hautes Etudes de Commerce (HEC) në Paris, dega Financë, dhe në Shkollën Kombëtare të Administrimit (ENA, 1990). Në vitin 1993 iu bashkua Këshillit të Shtetit, të cilin e la në 2015 kur u zgjodh më 18 dhjetor presidente e Këshillit Rajonal të Ile-de France, një nga rajonet më të fuqishme në Francë dhe Evropë. Ka marrë titullin “Kalorës i Legjionit të Nderit”, “Oficer i Madh i Urdhrit të Meritës i Republikës Italiane dhe “Komandant i Urdhrit Kombëtar” të Bregut të Fildishtë.
Debutimin në politikë e bëri nën periudhën e Presidentit Jacque Chirac (Zhak Shirak) si këshilltare e tij. Iu bashkua kabinetit të Presidencës së Republikës Franceze në vitin 1998. Gjatë mandatit 5-vjeçar presidencial të Nicolas Sarkozy (2007- 2012) ka qenë ministre e Buxhetit, Llogarive Publike dhe Reformës Shtetërore (29 qershor 2011-10 maj 2012), zëdhënëse e qeverisë (29 qershor 2011-10 maj 2012) dhe ministre e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit (18 maj 2007-29 qershor 2011) ku drejtoi reformën e autonomisë universitare, i njohur si ligji i LRU “Pecresse”. Ky ligj u kundërshtua nga sindikatat studentore, por protestat ndaluan shpejt pas negociatave, veçanërisht për rritjen e buxhetit të universitetit. Në vitin 2015 zgjidhet Presidente e Këshillit Rajonal të Ile-de-France duke qenë presidentja e parë grua në historinë e këtij Këshilli. Në 2021 fiton sërish. Është zgjedhur edhe dy herë deputete (20 qershor 2012 -20 janar 2016; 16 qershor 2002 -19 korrik 2007). Ka punuar edhe në Këshillin e Shtetit (1992-2015) dhe për 6 vjet ka dhënë mësim në Institutin e Studimeve Politike në Paris.
Chiracienne, “2.3% Merkel dhe 1.3 % Thatcher”
Si një chiracienne (shirakiene) ajo pretendon të jetë një e drejtë “sociale”, “konservatore” dhe “moderne”. Në takimet me aktivistët, ajo prezantohet si “2/3 Merkel dhe 1/3 Thatcher”. Shtylla kurrizore e programit të saj politik është liberalizmi ekonomik: ulja e tarifave për pagat, taksa më të ulëta, dhe mbi të gjitha, një ulje në peshën e shtetit duke shkurtuar deri në 200.000 pozicione nëpunësi civil në administratën administrative të shtetit dhe komunitetet vendore. Ajo kërkon gjithashtu shtyrjen e moshës së pensionit në 65 vjeç, si dhe thellimin e reformës në sigurimin e papunësisë. Dënime për agresorët e zbatimit të ligjit, duke hapur 20.000 burgje dhe duke dyfishuar numrin e qendrave të mbyllura arsimore për të miturit.