Hasan Çela, njeriu që prishte mure për të ndërtuar ura

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Bashkim Koçi

Qëndrimi me punë për disa vjet në zonën e Tomorricës, veç gjurmëve të tjera, më kanë lënë në kujtesë shumë emra njerëzish, nga ata që arshivohen diku “fshehur” në një cep të zonës së shpirtit dhe një ditë të dalin përpara si për të të thënë: ja ku jam. Që të jem i sinqertë me veten time këta personazhe më kanë ndjekur e ndjekin, e madje herë-herë më duket sikur më thonë “mos na harro!”. Tomarrica është trevë që gratë dhe burrat e shquar nuk i kanë munguar, në mos i ka patur me tepri, të cilët për punët e mira që kanë lënë pas, ndoshta nuk kanë nevojë për lëvdatat e mia sepse ata e kanë ngritur një monument në kujtesën e njerëzvë.

Për aq vite sa qëndrova në Tomorricë, e që mu dha rasti t’u bija cep më cep gati të gjithë fshatrave të asaj treve, nuk mund të harroj disa emra kuadrosh e specialistësh të cilët, për aq sa bënë, mundën të ndezin ca dritëza të bukura, për të mos i lënë vend errësirës. Disa nga ata si Meriban Mezini e Dobrenjit, Belul Lajthia i Gjerbësit, Bilbil Alimadhi i Kuçit, Et’hem Doko i Gurazezit, Sabri Kadiasi i Zhepës, Mustafa Molla i Tërrovës, por edhe disa specialistë, kolegë të mi, si Kastriot Flamuri e Baki Caushi, Riza Alimeri e Haxhi Dyrmishi, Ilafet Mahmutaj e Sybi Qemali, Demir Allaibeu e Pëllumb Ago e shumë e shumë të tjerë, më duhet të them se harresa, si “hakmarrse e mirë”, nuk mund të gjejë vend, apo të shuaj atë që ruhet me fanatizëm në “dosjen” e kujtimeve të bukura të atyre viteve.
Por një emër, i cili është zënë “rob” nga kujtesa ime, është ai i Hasan Çelës nga Gjerbësi, apo Tetja, siç e thërrisnin të gjithë, nga fëmijët e tij brenda e jashtë mureve të shtëpisë, e deri tek kuadrot kryesorë aty në krahinë e ata të rrethit. Ky personazh ishte dhe mbeti deri në fund njeri me vlera të çmuara për kohën e tij, nëmos i jashtëzakonshëm për çështje karakteri e dlirësie. Jo për shpikje apo novatorizma të kryera nga vet ai, por për ca gjëra të tjera të thjeshta, njerëzore, që dilnin nga shpirti i tij i madh, të cilat kur i mbledh të gjitha bashkë të japin një portret fantastik. Ai ka lënë veten në mjaft episode e ngjarje që bëjnë fjalë për Tomorricën, por më së shumti për fshatin e tij të lindjes ku për shumë vite drejtoi ekonominë kooperativiste në Gjerbës. Pra nuk mund të flitet kurrë për Gjerbësin pa të të dalë përpara Tetja, punët dhe përpjekjet e tij për disa dhjetra vjeçarë në shërbim të atij komuniteti, të cilat u bënë shkak që emri i tij të përmëndet edhe sot e kësa dite sikur të ishte ende gjallë. Dhe emri i Tetes vjen natyrshëm, pa sforcim, falë zotësisë së tij kur ishte gjallë për të qënë njeri i urtë, kurajoz për të thënë të vërtetën në sy e që këto e bënin të ishte “dorëlëshuar” për të ndihmuar e këshilluar të tjerët atëherë kur dikush kishte shkelur në dërrasë të kalbur. Bashkëfshatarët e tij, por edhe në mbarë Tomorricën, e kujtojnë dhe e përmendin Teten shpesh, sa herë që përballen me ndonjë problem, duke sjellë si zgjidhje më të mirë këshillat që ai ka dhënë dikur për një problem analog si ai.
Hasan Çela nuk kishte kryer shkollë të lartë e madje fati e kish dënuar të mos ishte kompetent për të mbajtur fjalime siç mund të ishte dikush tjetër i mirëarsimuar dhe i diplomuar në një fushë të caktuar. Mirpo Tetja dispononte një “diplomë” disi të veçantë, që nuk e kishin të tjerët. Edhe pse i paarsimuar ai kishte aftësinë, falë inteligjencës së tij, që të ishte një organizator i zoti dhe një drejtues kompetent për punët e shumta në kooperativë. Por, si shumë të tjerë, kuadro apo specialistë të paaftë të cilët arsimimin, shkollën e lartë apo diplomën, e përdornin më shumë për t’u duartrokitur sesa për punë të dobishme, Hasan Çelës nuk i hynin në punë marifete të tilla të pështira. Përkundrazi, Tetja mundohej që atë mangësi formimi ta kompesonte duke vijuar shkollën për asimilimin e përvojës, të të dhënave të shkencës edhe pse pa arsimim të plotë, nëpërmjet literaturës periodike apo të mindimit të specialistëve fjalëpak e punëshumë. Sidoqoftë Hasan Çela çështja e arsimimit të plotë i mbeti peng, gjë që do të “hakmerrej’ me veten kur do t’i duheshin përpiekje të mundimëshme për të shkolluar fëmijët, për t’i bërë ata të zotë e të ndershëm, ashtu si ai vet e konceptonte jetën. Të pesë fëmijët, Sejdinenë, Mydekiun, Ilirianin, Natashën dhe Katerinën, pra dy djemtë e tri vajzat, arriti t’i shkollonte dhe t’i orietonte drejtë së mirës, për të zotëruar veten kur do t’u duhej të përballeshin me vështirësitë e jetës. Vajza e tij e madhe, Sejdineja, e cila falë karakterit “liberal” të të atit, edhe pse nga një zonë e thellë malore si Tomorrica, arriti të bëhej drejtuesja kryesore e organizatës së Gruas për rrethin e Skraparit për disa vjet. Ajo nuk ka harruar që e gjithë kariera e saj e kishte pikënisjen tek qëndresa e babait, e Tetes, për t’i dhënë shkollë e për t’ja hapur sytë që ajo të mund të fitonte betejën e nisur me mentalitetet për femrën, e cila ishte goxha e vështirë për ta mundur për rrethanat dhe forcën e zakonit turkoshak, i cili i kish rrënjët të thella e të vjetra sa vetë jeta në ato anë. Sepse është e vështirë të ndalosh diçka që është lejuar të kthehet në zakon. Nëse Hasan Çela e detyroi vajzën e tij, gati me forcë, që ajo të shkonte të kryente shkollën e mesme, pasi ajo e kishte braktisur një të tillë në Tiranë për shkak se nuk e përballoi dot largimin nga familja, do të thoshte që ky njeri i kishte këputur zinxhirët që e kishin lidhur e skllavëruar të gjithë atë popull në shekuj.
Hasan Çela ishte “magjistar” për të tërhequar vemëndjen e të tjerëve dhe që ta ndiqnin me sy e vesh për atë çka këshillonte e për atë që ai bënte. Dhe gjithçka bëhej e tija sepse ai shumë gjëra të zakonëshme i bënte në mënyrë të pazakontë e që do të thoshte të ishte njeri praktik, i vëmendshëm në atë që fillonte dhe këmbngulës deri kur i mbushej mendja se puna ishte kryer ashtu si ai e donte. Çuditërisht ai shpesh shfaqej të ish kompetent e të mos tërhiqej edhe kur përballej me mindimin e specialistit. Veçse këtë gjë e bënte me bindje dhe me shumë durim e dashamirësi. Nuk mund ta kundërshtoje dot sepse ai e dinte se ç’fliste. Kur në kooperativën e Gjerbësit u caktua për ta drejtuar një specialist i ardhur nga Çorovoda, Abdulla Braçaj, i pari “kundërshtar”, e që e priti me këmbët e para, ishte Hasan Çela. Ai e bënte këtë sepse shumë gjëra i njihte më mirë se ai. Jo nga formimi arsimor, por vetëm për faktin se kishte lindur, ishte rritur dhe e kishte drejtuar ekonominë për një kohë të gjatë. Pra ishte njohës i mirë i tokës ku kultivoheshin bimët bujqësore, i maleve dhe kullotave ku mbarështoheshin bagëtitë, por edhe i njerëzve me të cilët do të kryheshin të gjitha këto punë. Ishte kjo ndihmë e ky sinqeritet njerëzor që një ditë agronomi me shkollë të lartë, por edhe specialist i mirënjohur në të gjithë rrethin e Skraoparit, Abdulla Braçaj, ta konsideronte njeriun e thjeshtë me emrin popullor Tete, mësues personal e që për këtë punë të mos kishte paguar asnjë lek.
Jeta dhe puna për një kuadër si Hasan Çela të shfaqet me të gjitha ngjyrat e mundëshme, paanë e pafund. Dhe sipas meje kjo gjë është kaq e dukëshme edhe sepse ky njeri nuk përfaqësonte kategorinë e atyre kuadrove të cilët shumë gjëra i shkelinin me këmbë për një gjë fare të vockël, që e mbanin kokën përpjetë. Hasani ishte tjetër gjë, personifikimi i kuadrove që u jepte rëndësi gjërave që shtriheshin para këmbëve të rrezikuara për t’i shkelur. Pra ishte me zemër të butë, siç thotë populli, njeri që mendonte e vepronte për të ruajtur dinjitetin, për të qëndruar sa më larg mëndjemadhësisë dhe arrogancës. Tregohet dhe mbahet mend qëndrimi aq human dhe burrëror, por që edhe mund t’i kishte kushtuar jetën. Ishte rasti kur një dëborë e madhe bllokoi ushtarët e pikës ushtarake që gjendej në majë të Tomorrit, tek Çuka e Abaz Aliut. Njëri nga ushtarët, i cili kishte dalë diçka më larg nga pika e hapjes, gjatë lëvizjes për t’u kthyer në repart, e kishte zënë orteku i dëborës. Ishte dhënë sinjali “sos” nga shokët e tij, por ishte krejt e pamundur që ata t’i bënin ballë forcës dhe gjëmës që ai ortek paralajmëronte për jetën e ushtarit. Hasan Çela, edhe pse jeta i vihej në rezik, guxoi dhe bashkë më disa shokë nga Gjerbësi, i erdhën në ndihmë ushatrit si ta kishin bir të tyren, djalë të shtëpisë. Ushtari i shpëtoi vdekjes të sigurt, por ata që e shpëtuan mbetën në memorjen e shumë breza njerëzish. Sigurisht nëse ai ushtar do të humbiste jetën ndoshta aty tek vendi i ngjarjes do t’i vihej një pllakë përkujtimore, por meqë ndodhi ndryshe, kjo “pllakë” u vendos dhe qëndron ende në kujtesën e banorëve të asaj zone dhe të atyre nga vinin ushtarët që shërbyen për mbrojtjen e atdheut në Tomorr.

Lexo edhe :  Kumbari jeton

Tomorrica, ashtu si i gjithë Skrapari, është zonë mikpritëse, që i mban dyert të hapura ditën dhe natën për çdo bujtës, mik apo kushdoqoftë. Por nëse do ishte e mundur për të klasifikuar se cili do të mund të ishte i pari në këtë garë, rekordin do ta mbante familja e Hasan Çelës. Nuk besoj të ketë mbetur specialist apo kuadro të ardhur me punë në Gjerbës e të mos e ketë gdhirë një natë te Tetja. Të ishe i ftuar nga kjo familje do të thoshte që të ishe i sigurt se do të kaloje një natë fantastike. Pra nëse do të kapërceje pragun e asaj shtëpie, lumturia tënde ishte në dorën e tjetrit. Dhe ato dyer i mbante hapur buza e qeshur e këtij njeriu zemërbadhë, magjia që ai bënte për ta konsideruar veten zot shtëpie për aq kohë që qëndroje në ato pak metra të hapsirës së shtëpisë.
Ashtu siç ndodh shpesh edhe në jëtën e Hasan Çelës u gjend një çast që t’i bëhej nder të ligut, që në këtë rast e shtynte cmira dhe keqdashja e njerëzve shpirtvegjël. Na duket me interes edhe për lexuesin për ta bërë të njohur këtë ngjarje. Tetja një ditë prej ditësh, duke u kthyer për në shtëpi, na paskësh gjetur një tub plastik rreth një metro të gjatë, të cilin sapo e pa i shkoi mendja tek zbrazja ujrave te zeza pranë shtëpisë e që ky tub iu duk i përshtatshëm dhe i mjaftueshëm për të kryer këtë punë. E mori tubin, e vendosi atje ku i duhej, pa menduar se do të përballej me njëmijë e një telashe e që do t’i nxinin jetën. Dikush raportoi tek partia se Hasan Çela kishte përvetësuar pronën e përbashkët e se kishte njollosur figurën e komunistit. Kaq u desh për të organizuar mbledhje pas mbledhje të organizatës bazë të partisë, thirrje disa herë në degën e punëve të brendëshme dhe organët e hetuesisë. Po i merrnin ymrin njeriut të perëndisë, Hasan Çelës. Punët shkuan deri atje sa një ditë e përjashtuan nga partia. Kjo masë, gjë që në ato kohëra quhej pushkatim politik, bëri të çudistej e gjithë Tomorrica. Por Hasan Çela nuk qëndroi ashtu si e kishte natyrën e tij të paqtë, të qëndronte i heshtur dhe të pranonte fajin. Ai guxoi t’i bënte një letër Hysni Kapos, duke arsyetuar me zemër në dorë se nuk e meritonte këtë ndëshkim. Hysni Kapo thirri në KQ të parin e partisë të Skraparit, e njohu me ankesën e Hasan Çelës dhe pa komunikuar fare më të e ftoi të dilnin të dy në dritare. Hysniu hapi pak perden e i tha: I shikon ato antenat mbi pallate, kanoçet dhe gjithë ato hekurishta? Ku i kanë gjetur tërë atë material? E ju ini teguar trima për të përjashtuar një njeri nga partia për një cop tub të qelbur?! Biseda u mbyll me aq sepse sekretari nuk foli anjë fjalë. Sigurisht që ai e konsideroi atë çka i tha Hysni Kapo si urdhër apo edhe qortim se Hasan Çela ishte ndëshkuar me pa të drejtë.
Ky njeri i virtytshëm e dashuronte jetën. Ishte ndoshta kjo dhunti që ai ta konsideronte fjalën e mirë në komunikim me njerëzit si çelës “hipnotizues”, i cili bënte të çelnin lulet e shpirtit. E mbylli jetën duke mbetur mjeshtër i profesionit më të bukur, human e njerëzor, të atij që dinte të prishte mure për të ndërtuar ura.

Të fundit

“Zogu i Zi” drejt zhbllokimit, policia liron pjesërisht një nga akset e rrethrrotullimit

Policia ka hapur një nga akset e rrethrrotullimit te Zogu i Zi, i bllokuar prej afro dy orësh nga...

Noka dhunon policët/ Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit

Noka dhunon policët/ Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit vijon…/   S,M

Mosbindja civile, Bejko: Berisha ka dështuar, po përgatit alibinë për humbjen

Ashtu sikurse kishte paralajmëruar opozita po zhvillon sot protestën e radhës në kuadër të mosbindjes civile. Skenari i protestës parashikon bllokimin e 5 segmenteve...

Protesta e opozitës/ Policia nis shoqërimet

Policia ka nisur shoqërimet te Pallati me Shigjeta. Një protestues është shoqëruarpas përplasjeve mes punonjësve të policisë dhe qytetarëve. Protestuesit kanë b llokuar rrugën, ndërsa poliucia...

Tensione te Pallati me Shigjeta, policia përplaset me protestuesit

Tirana është përfshirë në kaos pasditen e sotme. Prej orës 17:00 opozita po mban protestë duke bllokuar nyjet kryesore të kryeqytetit, në vazhdën e...

Lajme të tjera

Web TV