“Shën Trinia” në Boston, vatra e ngrohta shpirtërore të besimtarëve
Nga Fuat Memelli, Boston, SHBA
Në Boston sot ka dy kisha shqiptare, ajo e Shën Gjergjit ose kisha e Nolit siç quhet ndryshe dhe Kisha e Shën Trinisë. (Ishin tre por njëra prej tyre u dogj para disa vjetësh.) Këto kisha janë dy vatra të ngrohta shpirtërore për besmitarët shqiptarë ortodoksë që jetojnë në Boston dhe qytetet rreth tij. Shumica e besimtarëve, janë nga qarku i Korçës, pasi ky komunitet ka qënë ndër të parët që shkeli në tokën e bekuar të Amerikës dhe la gjurmët e tij, por sigurisht ka besimtarë ortodoksë edhe nga rrethe të tjera. Para se të ndalemi te veprimtaria që u organizua para disa ditësh, le t’i hedhim një vështrim rrugës së Kishës “Shën Trinia”.
VËSHTRIM I SHKURTËR HISTORIK
Mitropolit Ilia Ketri, me origjina nga Sinica e Devollit, që është lindur e rritur në Amerikë e që e flet aq bukur gjuhën shqipe, na jep disa të dhëna për rrugën e kësaj kishe. Dekada e dytë e shekullit të njëzetë, ishte tepër problematike për kishën shqiptare në Amerikë. Mosmarrëveshje midis krerëve qofshin këta klerikë apo laikë, shqetësime sociale, vështirësi ekonomike, paqendrueshmëri politike në Shqipëri dhe varfëri e përgjithshme e komunitetit të emigrantëve… Të gjitha këto rrethana e çuan kishën drejt një situate antikanonike, domethënë jo në bazë të kanuneve të Sinodheve dhe Etërve të shenjtë. Pikërisht në këtë periudhë, prifti shqiptar, At Nikola Kristofori nga Katundi i Kolonjës, mblodhi shumë besimtarë nga fshatrat e Vakëfeve të Korçës dhe hapën Kishën “Shën Trinia” në South Boston. Forca e madhe e besimit të këtyre njerëzve, përforcoi stabilizimin e kishës. Një eveniment i rëndësishëm në historinë e kësaj kishe, ishte lidhja me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në vitin 1938, famullia e “Shën Trinisë” kërkoi emërimin e Saqelar At Anastas Sotiri nga Imzot Kristofor Kissi, Kryepeshkop i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Me bekimin e tij, At Anastasi emigroi në Boston dhe shërbeu në këtë kishë deri në vitin 1951. Në të njëjtin vit anëtarët e kishës pranuan si episkop Hirësinë e tij Imzot Mark Lipa me prejardhe nga Korça, i emëruar nga Partriarkana Ekumenike e Konstandinopojës. Shërbimi i tij deri në 1982, kur ndrroi jetë, la gjurmë ta pashlyera. Po në vitin 1982, u emërua zëvëndës peshkop, At Ilia Ketri. Në vitin 2002, ai u dorëzua “Peshkop” i shqiptarëve të Amerikës, ndërsa në vitin 2019, mori titullin e lartë “Mitropolit” nga Partriakana e Stambollit.
MBRESA NGA FESTA
Qendra Kulturore për Pensionistë “Vatra”, me pronarë shqiptarët Agron Gjerasi dhe bashkëshorten e tij, Edlirën, ishte mbushur nga 100 besimtarë të moshave të ndryshme. Kërkesa për pjesëmarje ishte edhe më e madhe, por për arsye të situatës së Covid-19, kaq u lejuan për të respektuar masat e sigurisë. Të gjithë pjesëmarrësit ishin të vaksinuar. Qendra ishte zbukuruar si për ditë feste. Organizatorët e kishës “Shën Trinia” si Brunilda Shosho, Jonela e Endri Dhami, Gjergji e Ksenia Dako, Mandila Andrea, Elena e Tomi Kero, atë ditë kishin shkuar para të gjithëve për të përgatitur e zbukuruar ambientin si dhe për të shtruar tavolinat. Takimin përkujtimor e hapi Jonela Dhami, presidente e këshillit të kishës. Duke vlerësuar punën e madhe të paraardhësve ajo theksoi:” Ata besimtarë nuk kishin atëherë GPS, për t’i treguar si të shkonin në kishë, por shkonin aty vazhdimisht dhe mësonin fjalën e Perëndisë. Sot kanë ndryshuar kushtet dhe ne kemi mundësi shumë më të mëdha. Mes jush shoh sot shumë fytyra të reja. Këto fytyra do të vazhdojnë traditën e bukur të kësaj kishe dhe do t’ja përcjellin atë niprave e mbesave.” Më pas foli prifti në detyrë i kësaj kishe, At Paul Zuniga, i cili prej një viti shërben në këtë kishë. Midis të tjerash ai theksoi se Kisha “Shën Trinia” e themeluar në vitin 1921 nga emigrantë shqiptarë të zonës së Korçës, me qendër në Bostonin e jugut, ka një histori të pasur që i ka rrënjët në pasurinë shpirtërore dhe kulturore, tradita të cilat ne duhet t’i ruajmë në të ardhmen. Për kontributin 26 vjeçar në kishën “Shën Trinia” si besimtar i devotshëm, si psalt dhe së fundmi si epitrop i kësaj kishe, Aleko Dhimës iu dorëzua një dhuratë mirënjohje në emër të kishës nga sekretarja e saj, Elena Kero. Një përshëndetje të veçantë bëri Mitropoliti Ilia Ketri, i cili ka shërbyer në këtë kishë qysh në moshë fare të re. Pasi bëri një përmbledhje të rrugëtimit të kësaj kishe gjatë 100 viteve, ai theksoi vizionin e tij për të ardhmen, ku ndër të tjera theksoi: “Njeriu sot kërkon stabilitet, komunitet, marrëdhënie me Perëndinë, të dashurojë e të dashurohet. Të ndjejë që vlerësohet nga tjetri me respekt dhe meritë personale. Këto i gjen në besimin tek Zoti, duke i shërbyer atij me shpresë dhe dashuri. Vizioni im është që kisha të mbushet me besimtarë çdo të djelë. Prindërit dhe të moshuarit, fëmijët me mësimet fetare, kori me meloditë e tij të bukura, të gjithë anëtarët duhet të japin kontributin e tyre me gëzim e dashuri”. Në fund të fjalës së tij Hirësi Ilia, i dorëzoi Qendrës Kulturore të Pensionistëve “Vatra”, një fotografi të madhe të Faik Konicës. Më pas u shtrua një darkë ku pjesëmarrësit uruan njëri-tjetrin dhe bënë foto të shumta. Atmosfera u bë edhe më e bukur nga këngëtarët Brunilda Sota dhe Rik Hoxha. Shumë besimtarë kënduan e kërcyen. Ishte një gëzim që ndriste në fytyrat e tyre, pasi u kishte munguar për arsye të covidit. Me një foto kolektive si dhe me këngë korçare e patriotike , u mbyll ngjarja e shënuar e 100 vjetorit të kishës shqiptare “Shën Trinia” në Boston, e cila është një nga dy vatrat e ngrohta shpirtërore të besimtarëve orthodoksë. Siç ka thënë Volteri “Nëse Perëndia nuk do ekzistonte, do ishte e nevojshme ta shpiknim”.