Kryeministri Edi Rama ka hedhur dyshime se nxjerrja e të dhënave të pagave të mbi 637 mijë qytetarëve mund të jetë sulm politik. Sipas Ramës kjo mund të jetë një mënyrë nga ‘bravaxhinjt dhe çelsaxhinjt’ për të hequr vëmendjen nga situata që është krijuar në PD.
Ai hodhi dyshime për ish-kryeministrin Sali Berisha, megjithëse nuk e përmendi me emër, duke pyetur se pse zëdhënës të gratanongrata paralajmërojnë të tjera?
“Kjo bazë ka dalë në një ‘tik tok’ para disa muajsh dhe nuk është përdorur, po është përdorur tani. Pse zëdhënës të gratanongrata paralajmërojnë të tjera. Është dorë qartësisht për konfuzion dhe pasiguri publike. Këtu nuk ka asnjë mundësi tjetër përveçse ne të vazhdojmë revolucionin dixhital. Mbase këtë e ka nxitur dhe fakti se për disa javë me radhë kemi ndërmarrë një tur sensibilizimi për të informuar qytetarët se do të mbyllen sportelet dhe do jetë gjithçka online. Ne nuk do të na pengojnë këta që hedhin gurin, fshehin dorën, nxjerrin fytyrën. Nuk dua të spekuloj, siç bëjnë ata. Nuk bëj asnjë asociim me askënd, por them që ky është një rast domethënës për deri ku mund të shkojnë njerëz dhe forca të caktuara kundër qytetarëve për qëllimet e tyre. Nga ana jonë do të bëjmë maksimumin që të forcojmë kapacitetet për të krijuar mure pas mure, sepse jemi shumë të ekspozuar”, deklaroi Rama.