Ilir Meta njihet si një politikan që me kalimin e viteve ka ndryshuar qëndrimet dhe pikëpamjet e tij politike.
Kjo gjë është vënë re historikisht, ku pas themelimit të LSI-së ai e ka provuar bashkëjetesën në qeveri si me PD-në, ashtu edhe me PS-në.
Por që pas vitit 2017, ai ka qenë pjesë e opozitës pasi lidhi ‘krushqi’ me Partinë Demokratike, ‘krushqi’ kjo që u thye dukshëm këtë vit pas marrjes së mandatit të tretë nga socialistët. Edhe prej 2017 ai ka qenë në krye të Presidencës, pasionin për të qenë ‘opozitar’ i dalluar, nuk e ka fshehur dot as nën petkun e Kreut të Shtetit.
Deri para fushatës, sulmet e Metës ndaj kryeministrit Rama nuk u ndalën, ndërkohë që dikur kryeministrin ai e ka promovuar si modelin më të mirë.
Këtë gjë e fakton më së miri edhe kjo foto e gazetës “Panorama” në vitin 2003. Në faqen e parë të saj është e vendosur pikërisht deklarata e Presidentit të sotëm që lëvdonte Ramën, me të cilin disa vite më vonë qeverisi e më pas tha edhe fjalën e fundit. Epo këto veprime të Presidentit nuk na surprizojnë më sepse jemi mësuar që ai ta ndërrojë ‘pllakën’ në politikë, aq shpesh sa ndërron edhe kravatën.