Viti 2022 – nevoja për reforma të forta strukturore në ekonomi

Artan GJERGJI

Senior Expert  për Tregjet Financiare

Banka CREDINS

 

Ekonomia shqiptare karakterizohet nga të gjitha tiparet që ka një ekonomi në zhvillim ku në thelb të filozofisë qëndron trendi i fortë për rritje ekonomike e përmirësim të mirëqënies së agjentëve ekonomikë dhe nevojës gjithnjë në rritje për të gjetur burimet e financimit që mundësojnë këtë rritje në mënyrë të qëndrueshme.

Parë në këtë këndvështrim, viti 2021 ishte një vit i padyshimtë i sfidave të mëdha pasi ekonomia shqiptare u përpoq të kuronte plagët e krijuara nga një sfidë globale që preku ekonominë mbarë botërore (pandemia Covid-19), por edhe nga efektet shkatërruese që patën dy termetet e fundvitit 2019.

Sa i përket ecurisë dhe problematikës me të cilën u shoqërua ekonomia e vendit përgjatë vitit 2021 mund ta përmbledhim si vijon:

-Rritje ekonomike mbi mesataren – e cila erdhi si shkak të rikuperimit të ambjentit ekonomik, ndryshimit të kahut të pritshmërive të aktorëve ekonomikë duke forcuar kontributin e sektorit privat në këtë rritje dhe stimulit të fortë fiskal për shkak të prezencës së shtetit në ekonomi. Sipas BSH rritja ekonomike e 6-mujorit të parë të vitit 2021 ishte në nivelin 11.7% me bazë vjetore dhe ka pritshmëri që të ruajë një nivel të përafërt deri në fund të vitit 2021.

-Rritje të prtishmërive të agjentëve ekonomikë – e cila vjen sa për shkak të ri-fillimit të funksionimit të ekonomisë dhe ri-vënies në funksion të mekaninizmave të tregut në anën e ofertës pas pandemisë (tregtia, shërbimet, eksport-importet etj.) aq edhe për shkak të pëmirësimit të pritshmërive individuale (efekti psikologjik i dashurisë për jetën) duke rritur kërkesën për konsum dhe nxitur rritjen ekonomike.

-Koordinim i mirë mes elementëve mbështetës të rritjes ekonomike – të cilët konsistojnë në një stimul direkt dhe indirekt të buxhetit të shtetit në ekonominë e vendit të shoqëruar edhe me një reagim pro-aktiv të agjentëve ekonomikë institucionalë (kryesisht bankat dhe institucionet e kreditimit) të cilët amortizuan në mënyrë të dukshme nevojat imediate për likujditet në ekonomi duke nxitur një funksionim normal të saj në një situatë krejt anormale si ajo e pandemisë dhe pas-pandemisë.

-Kosto të larta por të pa-shmangshme – padyshim që i gjithë ky proces u shoqëruara nga efekte anësore në periudhën e pas-pandemisë duke shkaktuar një rritje të konsiderueshme të deficitit buxhetor në 6.8% dhe të borxhit publik në nivelin e 77.2 të PPB-së sipas FMN të shkaktuar nga stimuli fiskal i Qeverisë në ekonominë e vendit. Gjithashtu, një tjetër efekt negativ në ekonomi është edhe rritja e nivelit të inflacionit mbi nivelin tavan të parashikuar nga Banka e Shqipërisë (< 3%), e cila erdhi kryesisht për shkak të inflacionit të importuar nga mallra bazë të importuar si grupet e produkteve energji-gaz dhe produkteve ushqimore.

 

Pritshmëritë janë që ekonomia shqiptare edhe për vitin 2022 do të ruajë një trend rikuperimi me një rritje ekonomike mbi mesataren e trajektores 10 vjecare, e cila mund të përputhet me një nivel nga 6-8% me baza vjetore. Megjithatë sfida të panegociueshme për të mundësuar një rritje të tillë mbeten cështjet e mëposhtme:

-Konsolidimi fiskal – i cili ka të bëjë më një pëmirësim të dukshëm të marrëdhënies mes të ardhura-shpenzimeve në Buxhetin e Shtetit duke i dhënë prioritet rritjes së të ardhurave dhe reduktimit të shpenzimeve buxhetore deri në nivelin që nuk cënon rritjen ekonomike. Me fjalë të tjera, sfidë është tërheqja graduale e prezencës së shtetit në financimin e ekonomisë dhe nxitja e një prezence më të madhe të ekonomisë dhe kapitalit privat në financimin e rritjes ekonomike në vazhdimësi. Konsolidimi fiskal ka disa shtylla të forta ku duhet të fokusohet:

Lufta kundër evazionit fiskal dhe rritja e të ardhurave tatimore;

-Reduktimi i fortë i shpenzimeve buxhetore me theks direkt tek reduktimi i shpenziemve operacionale, por edhe menaxhim i kujdesshëm e efikas i investimeve publike (menaxhim më efikas i kontratave koncesionare dhe atyre PPP);

Lexo edhe :  80 mijë shqiptarë investojnë në kriptomonedhë, fitimet sa 1/3 e buxhetit të shtetit

-Nxitje të eksporteve si me politika fiskale edhe me lehtësim barrierash tarifore e jotarifore;

Joshje e investimeve të huaja direkte me incentiva fiskale e ligjore sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.

-Shfrytëzim më efikas i resurseve financiare në vend – një vemendje e vecantë duhet kthyer në drejtim të një alokimi më efikas të burimeve të lira në ekonominë e vendit duke i dhënë një shtysë të vecantë zhvillimit të tregut të kapitaleve, paralelisht me zhvillimin e sektorit bankar e atij financiar. Me fjalë të tjera, Shqipëria është një vend në zhvillim e sipër ku agjentët ekonomikë kanë nevoja të konsiderueshme për kapitale që të financojnë rritjen dhe zhvillimin, ndërkohë që sektori bankar zotëron rreth 10 miliardë euro depozita me afat, nga të cilat vetëm rreth 50% e tyre shkojnë për financimin e biznesit në formën e kredive. Pikërisht, nxitja e zhvillimit të bursës dhe tregut të kapitaleve, orientimi nëprmjet incentivave i biznesit vendas drejt listimit në bursë dhe shfrytëzimit të potencialeve që ka ky treg jo vetëm që do të krijonte një urë për alokimin e fondeve të fjetura nga sektori bankar në drejtim të financimit direkt të biznesit, por do të krijonte alternativa dhe instrumente investimit shumë herë më të mëdha për kursimet e qytetarëve. Gjithashtu, zhvillimi i tregut të kapitaleve do t’u jepte një stimul të jashtëzakonshëm zhvillimi edhe fondeve të investimit e sidomos fondeve të pensionit të cilat shihen si faktorë të jashtëzakonshëm për rritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe reduktimin e problemeve sociale që vijnë nga mungesa e të ardhurave të nevojshme për të një standard normal jetese.

-Vijimi i Reformave Strukturore të forta – prej të cilave dy më të rëndësishmet konsiderohen:

Reforma në Sektorin Energjitik duke filluar që nga librealizimi final i tregut të energjisë dhe gazit e deri tek nxitja dhe zhvillimi i prodhimit në masë të burimeve të energjisë alternative (dielli, era dhe jo vetëm).

-Reforma e Pensioneve e cila synon jo vetëm nxitjen e skemave vullnetare të pensioneve, por edhe skemat e detyrueshem private (e ashtuquajtur kolona e dytë), e cila i jep një zgjidhje afatgjatë problemit të deficitit të skemës shtetërore të pensioneve (ISSH).

-Aksesi në financë është një tjetër reformë mjaft e domosdoshme në theb të së cilës qëndron përdorimi i cdo mjeti e mundësie për të lehtësuar financimin e shyllës kurrizore të ekonomisë sic janë Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (SME), të cilat kanë pjesën më të madhe në kontributin e rritjes ekonomike si dhe janë gjeneratori kryesor i punësimit në vend.

-Reforma në Drejtësi dhe Lufta kundër Korrupsionit – janë sfida të jashtëzakonshme për një ekonomi të brishtë e në zhvillim sic është ajo shqiptare. Edhe pse në perceptimin publik duket sikur nuk kanë peshë në rritjen ekonomike, padyshim që janë faktorë të rëndësishëm në drejtim të reduktimit të kostove të biznesit në marrëdhënie me veten, partnerëtpor edhe administratën shtetërore. Për këtë arsye, përshpejtimi i këtyre reformave krijon impakt direkt në reduktimin e kostove të paparashikuara për sipërmarrjen dhe individët, duke ndikuar pozitivisht në rritjen e fitimeve dhe mirëqënies së tyre.

-Edukimi dhe Inovacioni – janë sfida të jashtëzakonshme të këtij mijëvjecari. Investimi në burimet njerëzore dhe kapitalin human e sidomos investimi tek edukimi financiar konsiderohen si sfida mjaft të nevojshme për cdo ekonomi e treg financiar në mbarë botën.

Nga ana tjetër, zhvillimi i shpejtë i teknologjisë e informacionit, i shoqëruar edhe me përshtatjen e produkteve dhe shërbimeve financiare mbeten sfida të mëdha për një ekonomi të brishta si ajo e Shqipërisë. Organet kompetente rregullatore në vend janë përpjekur të ndjekin ritmin e zhvillimit të tregut si në përmirësimin e infrastrukturës teknike  eligjore por edhe në drejtim të disiplinimit të tregut. Gjithësesi, sa më shpejt të këto sfida të përqafohen nga të gjithë aktorët ekonomikë aq më të shpejta do të jenë përfitimet e qytetarëve dhe aq më e shpëjtë do të jetë rritja ekonomike e vendit.