Kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Turqisë, Erdogan e falënderoi këtë të fundit për ndihmën që i ka dhënë popullit shqiptar. Rama e nisi fjalën e tij me shprehjen e profetit Muhamed, “se kush nuk falenderon njerëzit nuk falenderon zotin.”
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka pritur në një vizitë në vendin tonë Presidentin Rexhep Taip Erdogani. Për gjithë ndihmën që Turqia i ka dhënë Shqiëprisë, Rama e falenderoi Erdoganin për mbështetjen e dhënë sidomos pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin më 26 nëntor 2019. Rama për ti shprehur mirënjohjen dhe respektin Erdogan shprehu fjalët e Profetit Muhamed. “Ndokush mund të mendojë se po e teproj me falënderime, por sic thoshte profeti Muhamed paqja e zotit qoftë me të, kush nuk i falënderon njerëzit nuk falënderon zotin. Një vit më parë kemi firmosur në Ankara një sërë marrëveshjes”, tha Rama. Kryeministri tha se falë investimit turk, shumë familje po jetojnë më mirë se para tërmetit. “Sot është një ditë e rëndësishme për ne dhe patjetër dhe një ditë e bukur, siç është çdo ditë kur hapim dyert për të pritur miqtë nga vendi juaj. Sot është një ditë shumë e veçantë sepse kemi qenë së bashku në kurorëzimin e një përpjekje të jashtëzakonshme miqësore, dashamirëse, për të mbështetur rilindjen e një komuniteti aty ku tërmeti goditi shumë fort dhe ku 522 familje janë në kushte shumë më të mira se ato që kishin para tërmetit. Dua ta falënderoj presidentin që u gjend pranë nesh që në sekondën e parë pas goditjes së tërmetit, që u angazhua publikisht i pari dhe me një angazhim shumë konkret dhe që e mbajti fjalën, por kjo e fundit nuk është lajm për Erdogan, pasi ai atë që e thotë e bën. Dua t’i falënderoj të gjithë, nga ministri Murat te kompania e punëtorët. Ndërtuan një shembull shumë domethënës për vlerën dhe thellësinë e marrëdhënies shqiptaro-turke”, tha Rama.
Marrëveshjet
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur edhe disa nga marrëveshjet e firmosura gjatë ditës së djeshme. Ai u ndal edhe tek investimi i madh në spitalin e Fierit, ku Rama tha se nëse nuk do të ishte Erdogan, do të humbiste bastin me shqiptarët. “Një vit më parë kemi firmosur një sërë marrëveshjesh dhe një deklaratë për një këshill të nivelit të lartë, sot ne kemi një vit nismash konkrete dhe realizimesh konkrete që dëshmojnë vlerën e shtuar të këtij këshilli dhe dëshmojnë se takimi i Ankarasë ishte çelja e një kapitulli të ri marrëdhëniesh. Nëse do e kisha vënë bastin për spitalin e Fierit do e kisha humbur. Sot, ne kemi një spital që është jo vetëm një strukturë e re, por është edhe një pikë transferimi e dijes, ku ne po zhvillojmë fazën e re të reformës në shëndetësisë. Ëndrra jonë është që shërbimi shëndetësor të marrë çdo ditë e më shumë trajtat e shërbimit shëndetësor turk. Deri dje kjo mund të dukej e pamundur, por sot askujt nuk i duket e pamundur për sa kohë ne kemi mbështetjen e Erdogan dhe Turqisë.”, tha Rama. Kryeministri Edi Rama tha se është bërë realitet futja e gjuhës shqipe me përzgjedhje në sistemin arsimor në Turqi. “Dua të them se lajmi i mirë është se tanimë, ashtu si u diskutua një vit më parë, është realitet futja e gjuhës shqipe me përzgjedhje në të gjithë arsimin turk”, tha Rama duke shtuar si edhe një bashkëpunim tjetër mes vendit siç është ”projekti i monitorimit të rrugëve të Shqipërisë me kamera inteligjente si dhe projektligji për parqet e reja teknologjia”. “Jemi duke bashkëpunuar për të rritur kapacitetet e inteligjencës në fushën e të ardhurave doganore dhe tatimore dhe patjetër do të bëjmë çmos për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike dhe për të rritur marrëdhëniet në fushën e turizmit. Ne nuk jemi xheloz për fqinjët, por si na vjen kur miliona turistë nga Turqia shkojnë në vendet fqinje në rajon, ndërsa numri i turistëve turq nuk përputhet me marrëdhëniet tona. Me mbështetjen e një ministri të spikatur në Turqi, i cili është angazhuar se do të punojë me ministret tona, ne do ta ndryshojmë këtë trend”, tha Rama.
Marrëdhëniet mes vendeve
Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin turk, Rexhep Erdogan, tha se i është mirënjohës për rolin që ka pasur për Shqipërinë e Kosovën, në njohjen si shtet i pavarur për këtë të fundit. Rama tha se i ndodh radhë të takohet me njerëz që ‘Po-në e kanë Po, e Jo-në e kanë jo’. “Por në arenën e marrëdhënieve politike ndërkombëtare nuk është e shpeshtë të takosh njerëz që Po-në e kanë PO, e Jo-në e kanë Jo. Është e vështirë të takosh njerëz që thonë atë që bëjnë e bëjnë atë që thonë, një nga ata njerëz është Erdogan. Unë nuk kam dëgjuar në takimet me të kokë-kokë asgjë që nuk e kam dëgjuar publikisht. Këtu ka vetëm të mira dhe për marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së e të mos harrojmë që BE pa Turqinë, do të ishte në një situatë që mund të mos i ngjante fare asaj që është sot për keq. Turqia është një valvul e paçmueshëm për sigurinë për BE e NATO-n. U them shqiptarëve se sa herë bëhen këto takime”, tha Rama. Sipas kryeministrit, Turqia është një valvul e paçmuar për BE, për shkak të sigurisë. Ai tha më tej, se Shqipëria nuk është as me Turqinë e BE, por me shqiptarët. “Nuk besoj se kushdoqoftë në Shqipëri apo BE duhet të shqetësohet për këtë marrëdhënie mes dy vendeve sepse kjo është një marrëdhënie tradicionale. Edhe në kohën kur Shqipëria ishte një vend i mbyllur, prapë marrëdhënia me Turqinë ishte aty si një vazhdimësi e një tradite. Kur vjen puna te marrëdhënia ime me Erdogan, e përsëris nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, përkundrazi janë për të qeshur ato që thuhen”, tha Rama. kryeministri i Shqiptarëve kujtoi edhe një moment kur Erdogani ishte Kryeministër i Turqisë. “Ato thuhen edhe nga njerëz seriozë edhe nga njerëz të BE. Por e vërteta është se janë disa gjëra që nuk zhbëhen. Unë nuk di një qeveri tjetër veç qeverisë së Presidentit Erdogan asokohe kryeministër, të jenë mbledhur për të ndjekur direkt punimet e Parlamentit të Kosovës dhe për ta njohur Kosovën në mbledhjen e qeverisë së vet si shtet i Pavarur në atë moment që votohej në Kuvendin e Kosovës. Këtë e ka bërë zotëria në krahun tim. Unë mendoj s roli i Turqisë në rajonin tonë është i pa tjetërsueshëm dhe padiskutim një rol konstruktiv në funksion të paqes. Hijet e hedhura mbi Turqinë dhe presidentin rezultojnë të jenë filma. Filma të imagjinatës dhe interpretimeve të bëra që nuk gjejnë përputhje në realitet. E vërteta është që jemi takuar shpesh e është privilegj që unë kryeministri i një vendi të vogël, të marr kohë kaq shpesh nga Presidenti i Turisë”, tha Rama. Kryeministri tha se Turqia është vend mik i shqiptarëve. “Jo, ne jemi me Shqipërinë as me BE e Turqinë e pikërisht se jemi me Shqipërinë jemi mik të ngushtë me Turqinë dhe aleatë me SHBA e BE-në. Po e mbyll me një fjalë: Në fund të ditës çdo vendimmarrje e jotja është për Shqipërinë e shqiptarët, e nuk është as për Turqinë e aspak për të tjerët”, tha Rama.