Shënime për librin me poezi “Vetmia e madhe” të Arta Taganit
Nga Fatmir Minguli
Ishte një befasi njohja me poezitë e Arta Taganit, një poete që nuk ia njihja poezitë e saj. Rasti e pruri që mjeku dhe poeti Stavri Mina, e rekomandoi këtë poete të drejtohej te unë. Gjatë leximit të poezive të hedhura shkujdesur në sistemet kompjuterike, shihja se si tronditej lart e poshtë diagrama e emocioneve në ekranin e kompjuterit. Nuk bëhej fjalë për diagrama të rrahjeve të zemrës, regjistuar në klinika mjeksore, jo! Janë diagramat e poezive të një poeteje që sjell para të gjithëve tronditjet e shpirtit që vetë jeta të dikton. Ndryshe, shumë më ndryshe nga poetë të tjerë si shqiptarë ashtu dhe të huaj, Arta Tagani reflekton me intonacione të larta pjesë të jetës së saj dhe jo vetëm të saj. Poezia e saj është e shkruar me një stil të veçantë, ku rima duket dhe zhduket brenda vargjeve, ku poezitë nuk zgjaten pa kufi, ku mendimi vjen artistikisht i veshur me rrobat e bukura të natyrës shqiptare, ku muzikaliteti i vargjeve të sjell ritmin goditës të valëve të detit… dhe heshtjen e hijes së pishave… Me këtë libër çdo kush ndjen veten e tij sikur është në brigjet e Adriatikut, në bardhësinë e gjetheve të lules “Margarita”, në jetën misterioze të bulzës mbi syth, në kafenenë e preferuar, në shtëpizën që fle mbi atë faqe kodre…
Arta Tagani është poete krejt origjinale, e pa ndikuar nga askush poet, shprehëse e emocioneve sa femërore aq dhe intelektuale. Intelektualiteti i saj në poezi është sprovë ku meditimi merr krah dhe nuk fluturon në hapësira boshe por ngulet me këmbë në tokën jo vetëm shqiptare. Poezitë “Etyd venecian”, “Natyrë pulieze” janë poezi të shpirtëruara ku zemra shqiptare me ato të fqinjit bëhen njësh dhe kthehen në hymne optimizmi. Poezitë e këtij libri janë një befasi në poetikën shqiptare, këtej dhe andej kufijve politikë. Ky libër do të udhëtojë shumë dhe do të lejë gjurma të thella në historinë e poezisë shqipe. Megjithëse jeton dhe punon në Italinë fqinje, kjo poete të befason me sistemin e vet poetik, që në fakt është një poetikë krejt ndryshe, një poetikë që rrjedh, rrjedh pa konture demagogjikë, ashtu siç thotë vetë autorja në pasthënien e librit të saj të parë.
“ Eshtë emocionuese, të shohësh krijesën tënde të marrë formë….falë një pune këmbëngulëse si ajo e skulptorit që heq apo ve një presë në veprën e tij,…”
Ajo ndryshe nga shumë poetë e poete është e një gjenerate tjetër, gjeneratë e ditëve të sotme…një gjeneratë e bazuar në artin poetik. Eh, sa e vështirë është të japësh këtë përkufizim, sepse anon nga aspektet teorike të poezisë së sotme!
Shikoni poezinë “Zemër harruar”:
Braktisem brigjeve,
lenë atje, vetmuar,
me baticat, zbaticat e tij,
deti kish menduar.
valë pas vale,
e kish përkëdhelur, lëmuar,
sërish bregu ia rikthen
pa i prekur ngjyrën,
do të kthehesh një ditë ta kërkonin,
do të kujtoheshin
që padashur e kishin harruar.
Ka një lloj ironie të thellë, gati të padukshme, por për një sy të stërvitur me poezinë moderne, kupton se kemi të bëjmë me një varg krejt ndryshe, si një molusk që flet vetëm me guackën e tij mbrojtëse. Këtu është vendi që të përmend dhe faktin që e bën poezinë e Arta Taganit të tillë, “kokëfortësinë e saj poetike”, që lidhet me ruajtjen e stilit të saj origjinal dhe aq pak e ndeshur ndër poetë të sotëm shqiptarë. Prandaj ajo me të drejtë autosugjestionon mbi vlerat e librit të saj të parë”: “E sa i rëndësishëm mund të jetë një titull kopertine apo një figurë mbi kopertinë, nuk e di, por di se shpirti im te poezitë brenda faqeve të librit janë tharmi i krijimit të këtij libri tim të parë. Gjithçka rrotullohet mbi periudhën aspak të këndshme që kemi jetuar e që shpresoj që të mos përsëriten kurrë. Kur të gjithë ishin mbyllur, unë dhe të tjerë si unë, ishim të detyruar të punonim me ankthin që mund të dërgonim virusin tek familjaret. Në rrugët bosh, sheh njerëzimin të sëmurë, të vetmuar…të trembur për të ardhmen… Eshtë kjo kohë që më sjell edhe fragmente të një kohe të keqe edhe më të herëshme, ndonëse me tonalitete e spektre ndryshe.”
E si mund të shkruhet më shumë!?Por mund të shtohet se ajo poetja Arta Tagani është jo vetëm në autosugjestion por është dhe me këmbë në tokë. Eshtë ajo, poetja e poezisë emblematike “Splash” që të rënqeth me peisazhin e bregdetit të Adriatikut, kudo që ai ndodhet:
Ju kujtohet ai “splash”
shkatuar nga përplasaj e lehtë e dallgëve në breg,
ndërkohë që këmbët marrin shije të kripur.
ai “splash”
ai bashkëbisedim buzëmbrëmjeje.
që mbush heshtjen e hënës së paarritshme,
aq romantike.
Jo vetëm romantika është prezente në poezitë e saj, por në librin “Vetmia e madhe” ka dhe mërzitjen, lodhjen dhe keqardhjen e emigrimit. Por Arta Tagani, mjeshtrisht përputh “të keqen” me “të mirën” për të pluskuar mbi realen e jetës si në Itali ashtu dhe në Shqipëri.
Ky libër i saj është e kaluara e vetë poetes intersektuar shpirtërisht me të tanishmen dhe të ardhmen, e ajo ndihet e qetë, e qetë si vetë këto poezi të saj sa modeste aq dhe shpirtërore.
I uroj udhëtim të mbarë këtij libri poetik aq delikat, një udhëtim në duart dhe mendjet e lexuesve të mundshëm. Autorja e bëri hapin e saj të parë në këtë udhëtim, e hapa të tjerë të saj priten të dëgjohen në koridoret e poezisë moderne!