Mehmet Shehu, si e spiunonte Enver Hoxhën te ambasadori sovjetik: Ku gabon komandanti

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në fillim te ambasadori sovjetik në Tiranë, shkon Liri Belishova të “raportojë” debatet në Byronë Politike, një ditë më pas shkon Mehmet Shehu dhe sërish një ditë më pas, shkon vetë Enver Hoxha.

Kjo ishte situata e pozicioneve të krerëve më të lartë të komunistëve shqiptarë në fillim të vitit 1951, kur Stalini ishte ende gjallë dhe “hija” e tij mbërrinte deri në Tiranë, e fortë e frikshme dhe komanduese. Në këtë kohë Enver Hoxha praktikisht mbante të gjitha postet më të rëndësishme të shtetit dhe partisë. Ai ishte dhe Kryeministër, edhe ministër i Mbrojtjes e Punëve të Jashtme si dhe Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë. Por edhe pse i gjithëfuqishëm, Hoxha, mbase për shkak të pësimit nga jugosllavët, është i kujdesshëm të mos lërë shteg që sovjetikët të vënë pikëpyetje mbi figurën e tij. Pra, edhe pse i gjithëfuqishëm, Enver Hoxha nuk ndihej i pushtetshëm në vendin e tij, nuk ndihej komandant.

Materiali i mëposhtëm, zbardhja e një procesverbali bisede mes ambasadorit sovjetik Çuvahin dhe Mehmet Shehut përcjell informacionin se në këto vite, në Shqipëri, njeriu më i fuqishëm nuk ishte aspak Enver Hoxha, por pikërisht i dërguari i Stalinit në Tiranë. Ku shkojnë e falen të gjithë si fëmijë të përkëdhelur, ku nisnin e akuzojnë apo shajnë njëri-tjetrin, ku ankohen madje edhe për Enver Hoxhën, pa e ditur ose duke e ditur, se vetë Enveri, pasi mësonte lëvizjet e tyre, nxitonte të shkonte edhe ai ta takonte ambasadorin sovjetik me qëllim që të riparonte, të modifikonte, përshtypjet e të dërguarit të Stalinit. Gjithsesi, Enver Hoxha është i fundit në radhë që detyrohet të mbajë lidhje të mira me sovjetikët, pasi të tjerë anëtarë të Byrosë Politike, nisur nga Liri Belishova apo Mehmet Shehu, bënin të njëjtën gjë. Ata dërgonin çdo fjalë, çdo problem në veshët e ambasadorit sovjetik në Tiranë, D. Çuvahin, duke u përpjekur të linin përshtypjen e devotshmërisë apo besnikërisë ndaj aleatit të madh të shqiptarëve, duket me qëllimin kryesor që të bënin figurë të mirë dhe me qëllim të fshehtë për të mbajtur në lojë karrierën e mëpasshme.

SHEHU DHE BELISHOVA

Procesverbali, transkriptimin e të cilit po publikojmë, bën fjalë për një takim të ambasadorit sovjetik në Tiranë me Mehmet Shehun, sipas kërkesës së shqiptarit. Shehu ka mbërritur në ambasadën sovjetike, më 1 shkurt 1951, menjëherë pas përfundimit të një mbledhjeje dyditore (30-31 janar 1951) të Byrosë Politike. Para ambasadorit sovjetik Shehu shpreh pakënaqësi të shumta në adresë të Enver Hoxhës dhe sidomos për faktin se ai nuk ka sulmuar në këto mbledhje të fundit të Byrosë Tuk Jakovën. Sipas Shehut, “Enver Hoxha gabohet kur mendon se Tuk Jakova ka bërë gabime të pandërgjegjshme… Hoxha nuk dëshiron të kuptojë, se Tuk Jakova edhe në procesin e punës, jo vetëm që shfaq oportunizëm, se ai në përgjithësi sipas aftësive që ka nuk duhet të ishte në postin që ka aktualisht…

Hoxha nuk merret mjaftueshëm personalisht me punët e partisë, dhe se në këtë çështje ai ia beson Tuk Jakovës… se në të ardhmen ai (Mehmet Shehu) nuk ka ndërmend të marrë fjalën as në Byronë Politike, as në plenum për të kritikuar gabimet e anëtarëve të veçantë të Byrosë Politike (nga frika e Enver Hoxhës, që është agresiv)”. Në takim Mehmet Shehu lë të kuptohet se është në dijeni që ambasadori sovjetik i ka marrë të dhënat për mbledhjet e Byrosë Politike nga Liri Belishova, e cila e ka takuar Çuvahinin edhe në 30 edhe në 31 janar, pra duke kaluar të freskëta, ditë pas dite, se çfarë ishte duke ndodhur. Këto të dhëna janë në sqarimet që ka bërë më poshtë në të njëjtin procesverbal ambasadori sovjetik në Tiranë. Po këtu, është shënuar edhe momenti më interesant, kur pas vizitës së Shehut, më 2 shkurt, në ambasadë vjen Enver Hoxha. Krejt habitshëm, në qendër të bisedës së tij me ambasadorin Enver Hoxha, pa e pyetur kush jep llogari për Tuk Jakovën.

Pra, Enveri reagon sikur të kishte dëgjuar, më saktë të kishte studiuar të gjitha ankesat e bëra një ditë më parë para të njëjtit të huaj nga Mehmet Shehu. Edhe raportimi, më saktë shfajësimi, i Hoxhës në këtë rast është fiks si përpara një eprori, që ka në duar fatet e mëtejme të karrierës së tij. Hoxha i pohon Çuvakinit se “fjalimi i tij në Byro për gabimet e Tuk Jakovës kishte më shumë një karakter sentimental dhe psikologjik, sesa politik”. Më tej, Hoxha i thotë ambasadorit sovjetik se çështja e Tuk Jakovës është delikate, për shkak se ai vjen nga radhët e klasës punëtore, se ai përfaqëson veriun katolik, ku emri i tij është shumë popullor. Por Hoxha, në fund i premton Çuvahinit se nëse “Tuk Jakova do të lirohet nga puna në Komitetin Qendror, në vend të tij duhet të vendoset vetëm një inteligjent”. Ajo që shkakton edhe më shumë habi në këtë ngjarje është se Mehmet Shehu ankohet para ambasadorit sovjetik edhe për Enver Hoxhën, duke dëmtuar imazhin e tij dhe ia arrin qëllimit të godasë në shenjë. Sepse Enveri, gjithmonë duke pasur parasysh se dëgjuesi i ankesave të Shehut është ambasadori sovjetik, lëshon udhë. Udhë, që në një kohë tjetër nuk do ta lëshonte kurrë… Më poshtë përkthimi i plotë i procesverbalit.

PROCESVERBALI: MEHMETI SPIUNON ENVERIN
N: 161 Nga raportet e D. S. Çuvahinit. Procesverbali i bisedës me anëtarin e Byrosë Politike të PPSH-së M. Shehu për “gabimet” e T. Jakovës

(1). Q. Tiranë 1 shkurt 1951.
SEKRET
Unë prita Mehmet Shehun me kërkesën e tij. Ai erdhi të ndante përshtypjet e tij për rezultatet debatit të dyditor në Byronë Politike
(2). Ai tha se meqë unë e di përmbajtjen e fjalimeve të gjithsecilit në Byronë Politike
(3), nuk e konsideronte të nevojshme të fliste edhe njëherë për këtë. Ai dëshironte vetëm të sqaronte se nuk i ka mbetur përshtypje e mirë nga përmbajtja e përgjithshme e diskutimeve në Byronë Politike. Para së gjithash, kjo përshtypje jo e mirë ka të bëjë me pozicionin e marrë nga Enver Hoxha për çështjen e gabimeve të Tuk Jakovës.

Sipas mendimit të Mehmet Shehut, Enver Hoxha gabohet kur mendon se Tuk Jakova ka bërë gabime të pandërgjegjshme, për të cilat u bisedua në Byronë Politike. Mehmet Shehu konsideron se për çështjen e Njazi Islamit, Tuk Jakova gjendet në opozitë me vendimet e Plenumit të 5 të Komitetit Qendror të Partisë. Enver Hoxha, sipas fjalëve të Mehmet Shehut, nuk dëshiron të kuptojë se Tuk Jakova edhe në procesin e punës, jo vetëm që shfaq oportunizëm, se ai në përgjithësi sipas aftësive që ka nuk duhet të ishte në postin që ka aktualisht. Gabimet e Tuk Jakovës, për të cilat u fol në Byronë Politike, tha Mehmet Shehu nuk janë të reja për partinë. Gabimet analoge të Tuk Jakovës ngjanin me ato të bëra që në Plenumin e 11 të KQ (shtator i vitit 1948). Edhe pse që nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se dy vjet, nuk ishte vënë re që Tuk Jakova të ishte reformuar në këtë drejtim.

Mehmet Shehu gjykon se nëse Tuk Jakova do të mbetet më tej në udhëheqje të punës së aparatit të Komitetit Qendror, atëherë puna e partisë nuk ka për të ecur mirë dhe kështu për plotësimin e planit pesëvjeçar nuk mund të bëhet fjalë. Sipas fjalëve të Mehmet Shehut, Enver Hoxha nuk merret mjaftueshëm personalisht me punët e partisë, dhe se në këtë çështje ai ia beson Tuk Jakovës. Për sa i përket punës së Enver Hoxhës në Qeveri, ai i kushton asaj më shumë vëmendje, madje frikësohet se mos ndonjë gjë bëhet pa dijeninë e tij. Sipas mendimit të Mehmet Shehut, edhe ajo kritikë e kufizuar, të cilën Enver Hoxha i drejtoi Tuk Jakovës, është bërë vetëm sepse Enver Hoxha, si Sekretar i Përgjithshëm, nuk mund të mos e kritikonte Tuk Jakovën

Lexo edhe :  28 Dhjetor 1908/ Tërmeti godet Siçilinë, mbeten mbi 100 mijë njerëz të vdekur

(4). Në lidhje me këtë pozitë paqësore të Enver Hoxhës në marrëdhënie me Tuk Jakovën, Mehmet Shehu deklaroi se në të ardhmen ai nuk ka ndërmend të marrë fjalën as në Byronë Politike, as në plenum për të kritikuar gabimet e anëtarëve të veçantë të Byrosë Politike.

Ai tha se deri tani kritika në Byronë Politike nuk është në modë dhe se kur më 31 janar, në fund të mbledhjes së Byrosë Politike, Liri Belishova tha se pas fjalimit të Enver Hoxhës i ishte krijuar përshtypje se ai i kushton më shumë vëmendje punës në Këshillin e Ministrave, atëherë Enver Hoxha mprehtësish ndërhyri, duke thënë se ai e dinte mirë punën e vet. Duke e falënderuar Mehmetin për këtë informacion, unë i deklarova se vendimin e tij për të hequr dorë nga kritikat e gabimeve ndaj anëtarëve të veçantë të Byrosë Politike, nuk mund ta quash të drejtë. Nëse ai vlerëson se në kritikën e tij ka të drejtë, atëherë – vazhdova unë – duhet të këmbëngulë deri në fund, edhe nëse në Byronë Politike nuk do të jenë dakord me të, atëherë ai ka mundësi të paraqesë pikëpamjet e tij në plenumin e Komitetit Qendror.

Në lidhje me këtë, unë i drejtova vëmendjen Mehmet Shehut në editorialin e gazetës “Për paqe të qëndrueshme, për demokracinë popullore” e 5 janarit të vitit 1951, shkrimi i së cilës, sipas mendimit tim, në lidhje me diskutimet, që ishin bërë në Byronë Politike dy ditët e fundit, merr një kuptim veçanërisht të rëndësishëm. Këtë shkrim, – i thashë unë – nuk bënin keq ta lexonin të gjithë anëtarët e Byrosë Politike. Këtu biseda përfundoi.

I DËRGUARI I BS NË SHQIPËRI.
Dm. Çuvahin AVP RF. F. 07. Op. 26. P. 44. D. 58. L. 31-32.
ORIGJINAL
SHPJEGIMET PËR PROCESVERBALIN
Këto janë shpjegimet për procesverbalin e dërguar në Ministrinë e Jashtme. Pikat në kllapa janë sqarimet për pikat e njëjta në procesverbalin e mësipërm, pra janë informacione që shoqërojnë dokumentin në librin me titull “Evropa Lindore në dokumentet e arkivave sovjetike, vitet 1944—1953”, ku ai është përfshirë. Këtu, në këtë shtojcë, zbulohen edhe takimet e Belishovës më 30 dhe 31 janar 1951 në ambasadën sovjetike si dhe takimi i Enver Hoxhës dy ditë më pas, më 2 shkurt 1952, po me ambasadorin Çuvahin.
Shpjegimet
(1)- Dërguar A. Vishinskit, A. Lavrentjevit, V. Grigorjanit, në Ministrinë e Punëve të Jashtme për çështjen e:
(2)- Mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë u mbajt më 30-31 janar të vitit 1951. Në fjalimin e Enver Hoxhës më 30 janar ishte përcaktuar qëllimi i mbledhjes “të analizojmë punën tonë. Çështjet e ngritura këtu nuk janë të panjohura për ne, me to secili nga ne ishte njohur më parë. Por gjithsesi duhet t’i analizonim edhe njëherë me qëllim që të përmirësonim punën tonë. Ne kemi parë se këto vite të fundit plani i ekonomisë popullore nuk është plotësuar dhe shkaku për këtë janë mangësitë tona.

Kur ne gjykuam rezultatet e plotësimit të planit dyvjeçar në Këshillin e Ministrave, mua mu forcua besimi për nevojën e analizës të gjithë punës suaj në Byronë Politike. Unë gjithmonë kam pasur parasysh se në Këshillin e Ministrave neve nuk mundemi të gjykojmë disa çështje partiake”.
(AVP RF. F. 07. Op. 26. P. 44. D. 58. L. 22—23).

Megjithatë gjatë diskutimit, kritika për mosarritjet u fokusua mbi Tuk Jakovën, i cili përgjigjet në udhëheqjen e partisë për çështjet e kuadrit.
(3)- M. Shehu qartësisht kishte parasysh takimin e të dërguarit sovjetik me anëtaren e Byrosë Politike të KQ të PPSH-së, L. Belishova, e mbajtur më 30 dhe 31 janar 1951 me iniciativën e D. Çuvahinit.

Liri Belishova e informoi diplomatin sovjetik hollësisht për ecurinë e diskutimeve “me dëshirë”, si pas fjalëve të saj, duke ndarë me të edhe përshtypjet. Biseda e 30 janarit 1951, e publikuar në “Evropa Lindore në dokumentet e arkivave sovjetike” vitet 1944—1953, vëll. 2. vitet 1949—1953. S. 466-478.
(4)- Kritika ndaj Tuk Jakovës për “butësi” që çon në oportunizëm, dështimi në punë (“Tuk Jakova nuk kishte përmbushur detyrimet e tij si punonjës përgjegjës në aparatin e KQ”), E. Hoxha nënvizoi më tej se përgjegjësi për mangësitë nuk duhet t’i atribuohet vetëm Jakovës, sepse “ai ishte një komunist i mirë, bolshevik”. (AVP FP. F. 07. Op. 26. P. 44. D. 58. L. 27).

Por me 2 shkurt 1951, në bisedën me D. S. Çuvahinin, E. Hoxha tha se fjalimi i tij në Byronë Politike për gabimet e Tuk Jakovës “përmbante më shumë karakter emocional dhe psikologjik, sesa politik”. Ai e konsideronte të nevojshme të nënvizonte para diplomatit sovjetik “delikatesën” e kësaj çështjeje dhe atë që “ai vetë si gjithmonë e konsideron Tuk Jakovën një shok të mirë dhe të përkushtuar ndaj partisë”. “Delikatesa” e çështjes ishte, sipas fjalëve të Hoxhës, e lidhur para së gjithash me atë se Jakova vinte nga radhët e klasës punëtore, duke qenë edhe vetë punëtor. Veç kësaj, ai përfaqësonte në udhëheqje veriun katolik dhe emri i tij ishte popullor mes katolikëve shqiptarë.

Hoxha tha se, në rast të lirimit të Jakovës nga punët në KQ, në vend të tij duhet të vendoset “vetëm një inteligjent” (AVP RF. F. 07. Op. 26. P. 44. D. 58. L. 38, 41). Dokumentet dëshmojnë se pozicioni i E. Hoxhës në lidhje me T. Jakovën përcaktohet edhe më saktë në vazhdën e punës për raportin e plenumit KQ të PPSH-së, të caktuar më 12 shkurt 1951. Në këtë kohë ai jo vetëm njëherë bisedon me Mehmet Shehun, të rreshtuar prerazi me kritika kundër T. Jakovës. Më 7 shkurt 1951, pas takimit të Shehut me D. Çuvahin, shkrova në procesverbal: “Sipas fjalëve të Mehmet Shehut, si rezultat i këtyre bisedave, atij iu krijua një bindje e fortë, se Enver Hoxha ka mbërritur në përfundimin ta lirojë Tuk Jakovën nga detyra e sekretarit të KQ të partisë. ‘Tani, – tha Mehmet Shehu – Enver Hoxha, duke punuar për fjalimin që do të mbajë në plenumin e ardhëm të KQ, është vënë para një gjendjeje të vështirë. Ai ende nuk di se si t’ia parashtrojë plenumit çështjen e Tuk Jakovës.’

Këtë sikur vetë Enver Hoxha ia ka deklaruar Mehmet Shehut. Sipas fjalëve të këtij të fundit, Enver Hoxha e ka kuptuar se të vazhdojë të lërë një punonjës të ngadaltë, siç është Tuk Jakova, në këtë post të rëndësishëm, nuk ia vlen. Para partisë qëndrojnë çështje shumë të rëndësishme të ndërtimit të ekonomisë dhe të shtetit. Me njerëz të tillë, si Tuk Jakova, zor se partia mund t’i zgjidhmë problemet me sukses. Siç tha Mehmet Shehu, ai, me gjasa drejtpërdrejt, i ka thënë Enver Hoxhës, se plotësisht ndan një mendje me të për nevojën e zëvendësimit të Tuk Jakovës, duke e lënë atë gjithsesi, Zëvendëskryetar të Këshillit të Ministrave. Mehmet Shehu tha më tej, se Enver Hoxha, e quajti atë një kandidat të mundshin në postin e Tuk Jakovës. (AVP PF. F. 07. Op. 26. P. 44. D. 58. L. 43). /Panorama.al

Të fundit

Fluks lëvizjesh në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës, rradhë kilometrike automjetesh

Mbrëmjen e sotme në pikën e Kalimit Kuftiar të Qafë Thanës është rritur përsëri fluksi i lëvizjes së automjeteve. Dhjetra...

Në cilin qark do të kandidojë në 11 maj, Edi Rama?

I pyetur nga gazetarët në konferencën e fundvitit se në cilin nga qarqet do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, kryeministri...

Rrëfimi i Elisa Spiropalit: Shqipëria, parlamenti, e majta dhe…

Elisa Spiropali shënohet si kryetarja më e re në histori e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe po ashtu politikania më hopin më të...

Ja kur është koha më e mire per te pirë kafe, sipas eksperteve

Kur është koha më e mirë për të pirë kafe dhe sa konsiderohet e tepruar? Nëse pyesni një dashamirës të kafesë, përgjigja do të...

Rindërtimi/ Hidhet shorti për apartamentet në Kombinat.

Familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit në Kombinat kanë gati apartamentet e tyre të reja. Bashkia Tiranë, organizoi pranë ambienteve të shkollës “Lasgush...

Lajme të tjera

Web TV