14 vjet më parë, si u shpall Pavarësia e Kosovës

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

17 shkurt 2008

Tanimë janë bërë 14 vjet që kur Kosova, shpalli pavarësinë e saj nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe simbole unike shtetërore. Me rastin e 17 Shkurtit, në kuadër të aktiviteteve festive shtetërore, në Bulevardin “Nëna Terezë” në Prishtinë do të bëhet edhe parakalimi i kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës së bashku me ato të Policisë së Kosovës…

…Sot 117 shtete e njohin Kosovën. Ndërkaq Serbia vazhdon me pretendimet e mosnjohjes së pavarësisë duke e konsideruar ende si “pjesë të territorit të saj”.
Shpallja e Pavarësisë është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran e demokratik. Ligjshmëria e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për një kohë ka qenë temë e diskutueshme. Serbia duke kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë kërkonte vlerësimin e vlefshmërisë ndërkombëtare dhe mbështetje për pozicionin e saj, gjoja se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ishte e paligjshme. Në vazhdën e kësaj ecurie, në tetor të vitit 2008, Serbia kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshillëdhënës rikonfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.

Akti ligjor
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare mes viteve 1997-‘99. Pas përfundimit të Luftës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombetare në Kosovë.
Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – UNMIK dhe Institucionet Vetëqeverisëse të Kosoves: Kuvendi, Presidenti dhe Qeveria.
Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, thuhej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.
Në nëntor të vitit 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar të Kosovës. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit te pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova u shpall e pavarur më 17 shkurt të vitit 2008.

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.”
— 17 shkurt 2008 – Prishtinë

Shpallja e Pavarësisë u bë nga kryeministri i kohës, Hashim Thaçi, deputetët e Kuvendit, dhe Presidenti, në mbledhjen e mbajtur në kryeqendrën e Kosovës – Prishtinë. Deklarata e Pavarësisë u miratua në mënyrë unanime prej 109 deputetësh të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës. Njëmbëdhjetë deputetë përfaqësues të pakicës serbe bojkotuan procedurën e votimit. Nëntë përfaqësues të pakicave tjera etnike ishin pjesë e kuorumit. Terminologjia e deklaratës thotë se Pavarësia e Kosovës është e kufizuar në parimet e përcaktuara nga Plani i Ahtisaarit. Ajo ia ndalon Kosovës të bashkohet me çfarëdo vendi tjetër, ofron vetëm kapacitete të kufizuara ushtarake, thotë se Kosova do të jetë nën mbikëqyrje ndërkombëtare dhe parashikon mbrojtjen e minoriteteve etnike.

Lexo edhe :  “Pazare” për Presidentin e ri?/ Qeveria e re në Kosovë do gjedhë pasuesin e Vjosa Osmanit

Bashkimit Evropian
Më 18 shkurt 2008 presidenca e BE njoftoi se pas një dite bisedimesh të ashpra midis ministrave të jashtëm, që vendet anëtare ishin të lira të vendosnin individualisht nëse do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Shumica e shteteve anëtare të BE e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja vazhdojnë të mos e njohin. Disa personalitete spanjolle e kundërshtuan mënyrën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pak para Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Bashkimi Evropian aprovoi vendosjen e një misioni joushtarak 2,000 anëtarësh për Sundimin e Ligjit, “EULEX”, për të zhvilluar më tej sektorin e policisë dhe drejtësisë në Kosovë. Të gjithë njëzet e shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan mandatin e EULEX-it, duke përfshirë këtu edhe pakicën e pesë vendeve të BE që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Serbia ka pohuar se kjo është një okupim dhe se masat e BE-së janë të paligjshme.

Organizata e Kombeve të Bashkuara
Pas një kërkese nga Rusia, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara mbajti një sesion urgjent në pasditen e 17 shkurtit. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, lëshoi një deklaratë asnjanëse duke kërkuar nga të gjitha palët “të përmbahen nga çdo veprim i deklaratave që mund të rrezikojnë paqen, nxisin dhunën ose rrezikojnë sigurinë në Kosovë apo në rajon”. Duke folur në emër të gjashtë vendeve – Belgjika, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – ambasadori belg shprehu keqardhjen “se Këshilli i Sigurimit nuk mund të bjerë dakord për rrugën përpara, por ky bllokim ka qenë shumë i qartë për disa muaj. Ngjarjet e sotme përfaqësojnë përfundimin e një procesi të statusit që ka shteruar të gjitha rrugët në ndjekje të një rezultati të negociuar”.

Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare
Më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli Vendimin e saj për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës me të cilën vlerësonte se Deklarata nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe se autorët e saj ishin duke vepruar në cilësinë e tyre si përfaqësues të popullit të Kosovës (Kuvendi i Kosovës dhe Institucionet e Përkohshme të Vetë-Qeverisjes), pra jashtë kuadrit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara dhe prandaj nuk ishin të detyruar me Kornizën Kushtetuese të Kosovës (shpallur nga UNMIK-u) ose nga UNSCR1244 që është i drejtuar vetëm për Shtetet Anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe Organet e Kombeve të Bashkuara. Para shpalljes së deklaratës, Hashim Thaçi tha se nuk do të ketë asnjë “fitues apo humbës” dhe se “unë pres që ky të jetë një vendim i saktë, në pajtim me vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Nga ana e saj Kosova duhet të respektojë mendimin këshillues.” Për pjesën e tij, Boris Tadiçi, presidenti i Serbisë, paralajmëroi se “Nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendos një parim të ri, ajo do të shkaktojë një proces që do të krijonte disa vende të reja dhe do të destabilizonte shumë rajone në botë.”

Të fundit

Turizmi e ndërtimi do rrisin me 4% ekonominë, BSH: Pa zhvlerësimin e valutave çmimet do..

Ekonomia e vendit do të rritet me 4% këtë vit, parashikon së fundi Banka e Shqipërisë duke veçuar se...

Skiatorja italiane nderon sërish Shqipërinë: E lumtur, ia dola edhe me temperaturë

E ka mbyllur ne vendin e 7-te debutimin e saj në kampionatin Botëror Lara Colturi mes 10 të mirave të botës së skive alpine...

Protesta masive në Belgjikë, mijëra qytetarë të pakënaqur me reformat në pensione

Mijëra qytetarë morën pjesë në protesta masive në Bruksel kundër reformave të pensioneve të propozuara nga qeveria e re e Belgjikës. Protestuesit, që i...

Inteligjenca artificiale, konsumi i lartë i energjisë dhe ndikimi tek mjedisi

Ndërsa fuqitë botërore përpiqen të marrin rolin udhëheqës në teknologjinë e inteligjencës artificiale, ekspertët nxjerrin në pah koston që kjo teknologji shkakton ndaj mjedisit. Një...

PD dhe SPAK heshtin, por pse nuk u mor nën hetim Erinda Ballanca

Interesant është fakti se në dosje thuhet se presioni punonjëses iu bë personalisht nga Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, bashkë me Bushkën. SPAK ka vendosur të...

Lajme të tjera

Web TV