Mendimet e Jeronim de Radës mbi të bukurën

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Fatlum Meholli

Vepra e De Radës me titull “Parime të estetikës”, në strukturën e saj përmbajtjesore nuk trajton vetëm çështje të estetikës, por në njëfarë mënyre kjo vepër është si një përmbledhje e mendimeve dhe ideve të autorit rreth problemeve të ndryshme qofshin ato filozofike, sociale, estetike, morale apo politike. Si pasojë e kësaj gjerësie, mund të shtrohet pyetja se pse vepra titullohet pikërisht “Parime të estetikës”, kur në vete përmban një shumëllojshmëri çështjesh dhe problemesh nga sfera të ndryshme, të cilat mundohet t’i qartësojë.
Sipas studiuesve , kjo vepër titullohet ashtu, për shkak se pjesa më e madhe e saj merret me çështjet specifike të estetikës. Pra, nëse lexohen të gjitha librat (pjesët) e veprës, mund të vijmë në një konstatim që pothuaj tri të katërtat e veprës trajtojnë problemet e ndryshme që në radhë të parë kanë të bëjnë me estetikën. Andaj, objekt trajtimi në këtë punim është pikërisht e bukura, si kategori bazike e veprës, e cila zë pjesën më të madhe të saj.
Duke i dhënë një rëndësi shumë të madhe estetikës, De Rada etikës nuk ia jep lirinë që të qëndrojë e pavarur, sepse, sipas tij, ajo është e lidhur fort me estetikën, ngaqë për De Radën, e mira si ekuivalent i të bukurës nuk cilësohet vetëm si vlerë e jashtme por ajo ka të bëjë edhe me të brendshmen apo me anën shpirtërore-morale. Në qoftë se e hetojmë veprën në tërësi, të bukurën si kategori estetike mund ta shohim në tri dimensione të ndryshme. Në radhë të parë De Rada të bukurën e lidh me natyrën ose me çdo gjë që është krijuar nga natyra/Zoti dhe qëndron e pavarur në hapësirën tokësore. Pastaj, De Rada të bukurën e lidh me njeriun si qenia më sublime tokësore, e cila paraqet një pjesë shumë të rëndësishme të të gjithë veprës. Sipas De Radës, e bukura te njeriu reflekton në pamjen e jashtme të tij, përkatësisht në fytyrën e tij, por e një rëndësie më të veçantë është e bukura e cila qëndron në etikën apo moralin e njeriut. Pra, siç e kemi përmendur edhe më lart, De Rada vlerën estetike të njeriut e lidh fort me anën etike, pa të cilën nuk mund të funksionojë në mënyrën e njëjtë. Gërshetimin e estetikës me etikën, përveç tjerash, mund ta argumentojmë me anë të këtyre fjalive:

E bukura është gjithmonë morale… Kudo qoftë e bukura ka gjithmonë karakter moral.
Mendja e dikton dhe e zbulon të bukurën dhe e vë në shërbim të shpirtit…

Lexo edhe :  PROFIL/ Kush ishte regjisori Piro Milkani, i njohur për komedinë ‘Zonja nga Qyteti’

Përveç estetikës në natyrë dhe në qenien njerëzore, De Rada të bukurën e sheh edhe në arte të ndryshme, veçanërisht në letërsi. Si njohës i shkëlqyer dhe adhurues i letërsisë antike greke, padyshim që De Rada vlerën më të lartë estetike në arte ia jep veprave antike greke, veçanërisht tragjedive. Të bukurën në tragjedinë antike greke, De Rada e sheh pikërisht në strukturën kompozicionale dhe përmbajtjesore të saj, duke e cilësuar atë si bukuri ideale. Për të vërtetuar këtë që sapo theksuam, mund t’i citojmë këta rreshta:

Për të pasur një përfytyrim të qartë mbi bukurinë e përsosur, për të cilin po interesohemi, mund t’i drejtohemi tragjedisë greke, e cila vlerësohet sovrane për sa i përket bukurisë ideale.
Në këtë tip tragjedie vendin kryesor e zë jeta e njerëzve, që zbulohet me anë të veprimit, dialogëve dhe monologëve. Pra, ajo na zbulon bukurinë tipike të njeriut.

Pra, siç shihet, De Rada e vlerëson tejet lart tragjedinë antike greke, të cilën e vë në piedestalin e estetikës. Andaj, ky vlerësim ka ndikuar edhe në krijimtarinë letrare të vetë autorit, i cili ka krijuar veprat e tij madhore si “Këngët e Milosaos”, “Këngët e Serafina Topisë”, duke pasur parasysh pikërisht tragjikjen si kategori bazike të tragjedisë, e cila lidhet drejtpërdrejt me të madhërishmen si kategori estetike. E madhërishmja si kategori estetike lidhet me sakrificën dhe trimërinë njerëzore, dukuri këto që hetohen lehtë në tragjeditë letrare të De Radës, ku protagonistët kryesorë të veprave të tij luftojnë për të mirën e atdheut, për vendosjen e një barazie shoqërore (Milosao) ose sakrifikojnë lumturinë/dashurinë e tyre personale në të mirë të kolektivit (Serafina). Duke i pasur parasysh të gjitha këto, mund të vijmë në një përfundim që De Rada, në veprën e tij “Parime të estetikës” përveç që trajton çështje të tjera filozofike-teorike, vend kryesor në të zënë trajtimi i çështjeve ose kategorive bazike të estetikës. Pra, “Parime të estetikës” si një traktat teorik-filozofik është ndërtuar duke pasur për bazë teorinë e të bukurës, apo estetikën e cila shfaqet në natyrë, në qenien njerëzore dhe në arte. Me të gjitha çështjet, problemet, nocionet, llojet estetike të cilat i trajton, “Parime të estetikës” ka qenë dhe mbetet një nga veprat me një rëndësi tejet të madhe për zhvillimin e mëtejmë të kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Të fundit

Produktet e stinës mbushin tregjet, por nuk ulen çmimet

Edhe pse prodhimet vendase të stinës kanë mbushur tregjet, kjo nuk është reflektuar në ulje të çmimeve. Produktet e shportës...

“Putinit nuk i intereson paqja”, ministri i jashtëm gjerman ngre alarmin

Sulmet e fundit të Rusisë ndaj Ukrainës kërkojnë sanksione shtesë nga Perëndimi, tha ministri i jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul. “Putini nuk është i interesuar...

Papa Leoni XIV, Eric Cantona dhe Albert Camus janë kushërinj

Një faqe interneti ka gjetur në pemën gjenealogjike një lidhje (të largët) midis Papa Leonit XIV dhe ish-futbollistit problematik Eric Cantona. Por midis të...

Vlorë, mjeti lundrues pësoi defekt, policia u vjen në ndihmë dy turistëve

Policia Kufitare e Vlorës dhe Roja Bregdetare i kanë ardhur në ndihmë dy turistëve të huaj që lundronin me një veliere, e cila kishte...

Gjakovë, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare për amanetin e Komandat Tigrit

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë mbledhur sot në Gërgoc të Gjakovës, ku kanë marrë pjesë në një ceremoni të veçantë në nder...

Lajme të tjera

Web TV