Mentor HOXHA -Paris
Më 17 shkurt 2022, Kosova festoi 14 vjetorin e pavarësisë nga Serbia. Pavarësia u shpall më 17 shkurt 2008 në ora 15:39 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në Prishtinë, në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë.
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës u kundërshtua nga Serbia se gjoja ishte e paligjshme dhe në tetor të vitit 2008, ajo kërkoi një opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Më 2 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë përmes një Vendimi Këshilldhënës konfirmoi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë nen të Ligjit Ndërkombëtar.
Një rol të madh në pavarësinë dhe çlirimin e Kosovës nga Serbia dha edhe Franca dhe presidenti i saj, Jacques, Chirac (Zhak Shirak). Një nga vendimet më të rëndësishme që Franca dhe Chirak morën në lidhje me zgjidhjen e çështjes kosovare ishin: Organizimi i Konferencës së Rambujesë në kështjellën e Marsejës në Paris (6 shkurt-23 shkurt 1999-22 mars 1999), angazhimi i Francës në forcat e NATO-s në bombardimin e Serbisë (24 mars -6 qershor 1999), pritja dhe akomodimi i mijra azilantëve kosovarë në Francë në periudhën e Luftës në Kosovë (28 shkurt 1998-11 qershor 1999), ngritja e 5 kampeve në Shqipëri për azilanët kosovarë, njohja e Pavarësisë së Kosovës dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike, si dhe ndihma e madhe finaciare në ngritjen e institucioneve në Kosovë.
Franca ishte një nga shtetet kryesore që u bashkua me forcat e NATO-s për të bombarduar Serbinë më 24 mars 1999, për shkak të genocidit dhe spastrimit etnik të Serbisë ndaj Kosovës. Ajo vuri në dispozicion dy herë më shumë avjonë se Britania e Madhe (mbi 60 avionë gjuajtës), si dhe dërgoi me dhjetra luftë-anije në rajon, përfshirë edhe një aeroplanmbajtëse. Kontributi francez në Luftën e Kosovës i kaloi një miliard euro, duke zënë vendin e dytë pas SHBA-së. Vendimin për të bombarduar Serbinë, Zhak Chirak ia transmetoi kombit francez gjatë një fjalimi televiziv më 24 mars 1999 ku ndër të tjera tha: “Franca po merr pjesë në sulmet ajrore të NATO-s sepse Serbia ka demonstruar sjellje të papranueshme për shumë kohë në lidhje me shqiptarët e Kosovës.
Aleatët ranë dakord njëzëri se nuk kishte zgjidhje tjetër përveç ndërhyrjes ushtarake kundër objektivave serbe. Ky vendim i Chirak, u mbështet nga 75% e francëzeve sipas sondazheve. Ndonëse më 24 mars 1999, Chirak i tha pa asnjë hezitim “PO bombardimit të Serbisë”, 5 vite më pas, ai i tha “JO, amerikanëve dhe NATOS” për bombardimin e Irakut të Sadam Hyseinit, duke thyer kështu aleancën shumë vjeçare me SHBA-në. Rreshtimi i Francës përkrah NATO-s në Bombardimin e Serbisë më 1999 në mbrojtje të kosovarëve dhe të kauzës së tyre, dëshmon për një ndryshim radikal të kursit të politikës franceze, e cila historikisht ka qenë proserbe. Franca ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e saj dhe ndër vendet e para që hapi ambasadën në Prishtinë.
Politikani francez, Bernard Kushner, Kryeadministratori i parë i Kosovës së pasluftës
Pas bombardimit nga NATO-s, ushtria serbe u tërhoq nga territori i Kosovës dhe Kosova u shpall Protektorat nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në bazë rezolutës 1244 dhe administrimin e saj e morën UNMIK-u (mision civil) dhe KFOR-i (mision ushtarak). Kryeadministrator u emërua më 15 korrik 1999 nga Kombet e Bashkuara, ministri i Jashtëm dhe i Çështjeve Evropiane në Francë, Bernard Kouchner. Si përfaqësuesi më i lartë civil dhe ushtarak, Kushner bëri një punë të shkëlqyer në demokratizimin, pajtimin e të gjitha komuniteteve në territorin e Kosovës dhe respektimin e të drejtave të tyre. Për administrimin e tij të shkëlqyer është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” (2016) nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë me propozim të Universitetit Europian të Tiranës. Në një intervistë, Kushner ndër të tjera thotë: “Kam mbërritur këtu (në Kosovë- shënimim im) me 15 korrik 1999, me 14 jam emëruar, ishte dita e Pavarësisë së Francës. Nuk kam qenë administrator, kam qenë mbreti i Kosovës. Kam qenë përfaqësues i veçantë i Sekretarit të përgjithshëm të kombeve të bashkuara dhe është dashur ta implementoj rezolutën e OBK-së, 1244, e cila kërkonte nga unë të ndërtoja një autonomi substanciale”.
Kontigjenti francez paqeruajtës në Kosovë, kontigjenti i dytë më i madh brenda UNMIK-ut dhe KFOR-it
Franca dha një kontribut të madh edhe në ruajtjen e paqes dhe në administrimin e Kosovës. Forcat e saj brenda UNMIK-ut dhe KFOR-it përbënin kontigjentin më të madh të forcave paqeruajtëse në Kosovë. Franca vuri në dispozicion kontigjentin më të madh të ushtarëve nga Europa në kuadrin e KFORI-it (5500 ushtarë francezë në zonën e Mitrovicës). Kontigjenti francez i KFOR-it i ngarkuar me sigurinë e rendit në Kosovë ishte kontigjenti dytë më i madh ushtarak. Fillimisht Franca kishte fillimisht 7000 trupa në KFOR, ndërkohë tre tkomandantë të KFOR-it janë francezë: Marcel Valentin (komandant i 6-të i KFOR-it, 3 tetor 2001- 4 tetor 2002), Yves de Kermabon (komandant i 9-t i KFOR-it, 1 shtator 2004-1 shtator 2005) dhe Gjenerali francez, Xavier de Marnhac (komandant i 12-të i KFOR-it, 31 gusht 2007-29 gusht 2008).
Krahas kryeadministratorit të parë të Kosovës dhe tre komandantëve francezë të KFOR-it edhe EULEX në Kosovë u drejtua nga francezi, Yves de Kermabon. Franca pati në Kosovë një kontigjent të madh të madh të oficierëve të policisë, gjygjtarëve, ekspertëve gjyqësorë dhe stafit të burgjeve dhe të doganave në misionin EULEX. Si anëtar i Grupit të Kontaktit dhe si vendi i dytë më i fuqishëm në BE dhe i katërti në botë për nga fuqia politike, ushtarake dhe ekonomike, Franca dha një kontribut të madh për statusin e Kosovës, si dhe luajti një rol të madh brenda BE-së në vendosjen e Misionit të EULEX-it në Kosovë, si dhe po luan një rol të jashtëzakonshëm në zgjidhjen përfundimtare të Statusit të Kosovës dhe në arritjen e Marrëveshjeje politike mes Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e çështjeve të nxehta midis tyre përmes negociatave, të cilat janë zhvilluar disa herë në Paris. Ky është edhe një nga prioritetet e Francës, e cila nga nga 1 janari e deri në qershor 2022 është udhëheqëse e Presidencës së BE-së.
Franca mirëpriti mijra refugjatë në Francë dhe ndërtoi pesë kampe refugjatësh në Shqipëri
Krahas bombardimit të Kosovës, në njohjen e pavarësisë e saj, Franca priti e strehoi mijra refugjatë të ikur nga Lufta në Kosovë (1998-1999) që kërkuan strehim në Francë. Në mesin e këtyre refugjatëve ishte edhe këngëtarja e njohur nga Kosova, Gili, ku lindi në Francë edhe djali i saj, Redoni. Si i pari refugjat lufte nga Kosova, ai u bë lajm kryesor në mediat franceze. Franca i ofroi azil politik dhe shtëpi, por pas çlirimit të Kosovës, Gili u kthye familjerisht në Kosovë.
Qeveria Franceze ngriti edhe 5 kampe në Shqipëri për refugjatët nga Kosova: dy në Tiranë, një në Ndroq, një në Mullet dhe një në Arapaj të Durrësit. Një ndihmë të madhe në ngritjen e këtyre kampeve në Shqipëri dhanë edhe dhjetëra bashki dhe shoqata franceze që u solidarizuan me thirrjen e Këshillit Rajonal të Departamentit Bouches-du-Rhone (që ka si qendër Marsejën. Dy kordinatorët kryesorë, që u morën me këtë punë: Pjer Kalfas nga Franca dhe Valter Gjoni (1954-2020) nga Tirana u nderuan nga Presidenti francez, Shirak me titullin “Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Meritës”. Kalfas ishte drejtori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Bashkinë e Marsejës, kurse Gjoni, shef i Kulturës në Bashkinë e Tiranës. Në një intervistë me gazetarin dhe shkrimtarin e njohur, Leonard Veizi, Valter Gjoni ndër të tjera thotë: “Duke ju referuar statistikave rezulton se 35.000 kosovarë u sistemuan në 2 kampet e ngritura nga Marsejezët në Tiranë, rreth 3000 të plagosur e të sëmurë u trajtuan nga qendrat shëndetësore të shërbimit të asistencës civile të Marsejës dhe 50.000 kosovarë të tjerë, të sistemuar në familjet e Tiranës u ndihmuan sistematikisht nga fondi humanitar i organizuar nga Marseja”.
Në kuadrin e luftës në Kosovë u hapën edhe emisionet në gjuhën shqipe në Radio France Internacional.
Marrëveshja e Rambujesë në Paris vulosi çlirimin e Kosovës
Maskara e Raçak-ut (15 janar 1999) ku u masakruan 45 civilë kosovarë nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe vuri në lëvizje Francën dhe komunitetin ndërkombëtar. Pas kësaj maskare, Presidenti francez, Chirac e vuri Francën në vijën e parë të diplomacisë perëndimore. Kështu që u vendos nga Grupi i Kontaktit ku bënte pjesë edhe Franca për të gjetur zgjidhje për Kosovën në Konferencën e Rambujesë (6 shkurt 1999- mars 1999). Konferenca e Rambujesë qe një përpjekje e diplomacisë amerikane dhe asaj europiane. Ajo i nisi punimet në 6 shkurt 1999 në Kështjellën e Rambujesë, afër Parisit për të gjetur një zgjidhje për paqe afatgjatë. Si mikpritës në Konferencën e Rambouillet, Chirak u përpoq maksimalisht që delegacioni serb dhe ai kosovar të gjenin një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës në këtë konferencë. Ai u thotë atyre se “paqja është në duart e tyre dhe bota pret për një zgjidhje. “Unë ju bëj thirrje ndjenjës suaj të përgjegjësisë dhe guximit tuaj”. Më 18 mars 1999, delegacioni i Kosovës e nënshkroi Marrëveshjen e Rambujesë, ndërsa delegacioni serb e hodhi poshtë atë, duke i hapur rrugë bombardimit të Serbisë nga NATO.