Luigj Gurakuqi, mbetet një nga personalitetet më të shquara të levizjes sonë kombëtare,
U lind në Shkodër më 19 shkurt 1879. U rrit në gjirin e një familjeje tregtare shkodrane. Shkollën fillore e të mesme i ndoqi në Kolegjin Saverian. E plotësoi arsimin e mesëm në Kolegjin arbëresh e Shën-Mitër Koronës, ku pati mësues frymëzuesin e tij Jeronim De Radën. Diplomën e pjekurisë e merr në Kozencë për “sciences naturelles”, duke pasë ndjekur dhe kurse të veçanta në filozofi. Vijoi studimet universitare në Napoli në Fakultetin e Mjeksisë në vitet 1901-1906 ku njohu Zef Skiroin, profesorin e arbërishtes në Institutin Oriental të Napolit.
Ishte njëzet vjeç kur u bë pjesë shoqërisë “Bashkimi” të Abat Doçit.
Ngatërresën e parë me autoritetet turke e pati më 1904.
Më 1905 u detyrua me marrë malet për t’i shpëtuar ndjekjeve. Me shpalljen e Kushtetutës falen të gjithë të dënuarit politik.
Në korrik 1908 kthehet në Shkodër i pritur me brohoritje.
Në nëntor merr pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit.
Shkroi alfabetin e miratuar nga Kongresi i Manastirit. Në tetor të 1909 u emërua drejtor i Normales që u hap në Elbasan, ku ndihmoi për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. U krijua përvoja e parë e ngritjes së administratës arsimore shqiptare, u hartuan dokumentat e para shkollore, u ngrit një sistem i tërë i përgatitjes dhe i kualifikimit të mësuesve.
Detyrohet me ikë jashtë shtetit bashkë me Aqif pashë Elbasanin.
Në prill 1911 merr pjesë në kryengritjen e mbi-Shkodrës e si një nga udhëheqësit e saj, së bashku me Ismail Qemalin hartoi Memorandumin e Greçës.
Më 1912 zhvilloi një veprimtari të dendur për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, duke qenë i pranishëm në Toskëri dhe më vonë edhe pranë krerëve të Kosovës.
Shoqëroi Ismail Qemalin në mbledhjen e Bukureshtit, dhe do merrte pjesë në shtegtimin nga Bukureshti në Vienë. Me vaporin austro-hungarez zbret në Durrës më 24 nëntor në orën 4 mbasdite, u nisën të nesërmen me 25.
Në Vlorë mbërritën më 27 nëntor në darkë.
Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës u zgjodh Ministër i Arsimit dhe vendosi arsimimin e detyruar fillor për djem e vajza.
Merr pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin.
Me Luftën I Botërore Shkodra pushtohet nga ushtria malazeze, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë nga 17 korriku 1915 deri në janar 1916.
Gjatë pushtimit austro-hungarez, me praninë e Komparmatës XIX të komanduar nga gjenreral Trollmann prej konsullit Kral emërohet drejtor i përgjithshëm i Arsimit.
Qe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916, i çmuar nga akademiku Radomir Nachtingall.
Në qeverinë e dalë nga Kongresi i Durrësit ku ishte përfaqësues i Shkodrës dhe Mirditës, u emërua zëvendës i dr. Mihal Turtullit në ministrinë e Arsimit të kabinetit të Turhan pashë Përmetit.
LuigjGurakuqi është ndër të parët që parashtron kërkesën të ngrihet mjeshtëria artistike në letërsinë amtare. Në vjershën “Deka e zanave” thekson se Shqipëria është vendi i poezisë, çerdhja e zanave, ndaj atdheut i duhet kënduar me nivel të lartë artistik. Ai shkroi edhe vjersha për të vegjëlit, të cilat i botoi në “Këndimet” (1912). Interes të veçantë paraqet libri “Vargnimi në gjuhën shqipe” (1906), si përpjekja e parë për hartimin e metrikës sonë. Edhe si publiçist Gurakuqi bëri emër të shquar, duke trajtuar problemet më të rëndësishme të kohës. Botoi te revista “Albania”, te “Kalendari Kombiar”, në gazetat “Drita”, “Liria e Shqipërisë”, “La Nacione Albanese”. Si stilist i shquar ai ka lënë modele të prozës publiçistike në dy dialektet. Luigj Gurakuqi dha ndihmesë me vlerë në letërsinë e në kulturën tonë si poet, publiçist, orator, hartues i parë i metrikës shqipe.
Më 1921-1924 u zgjodh deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar, ku mbrojti ethshëm gjendjen e viseve shqiptare të Kosovës që po vuanin shtypjen e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.
Në qeverinë Noli të dalë pas Lëvizjes së qershorit, u emërua ministër i Financave.
Mori pjesë në Konferencën e Gjenevës krahas Nolit më 1924. Pas shtypjes së Lëvizjes shkoi në Itali.
Më 7 janar 1925 përfaqësuesi sovjetik në Vienë lajmëronte zëvendëskomisarin të punëve me jashtë Litvinov, se Gurakuqi ishte dakord për bashkimin në një front opozitar me ndihmën e tyre. Çka më vonë do të ishte Konare-ja. Qeveria Noli akuzohej për grabitjen e thesarit të shtetit, por Gurakuqi ngarkoi Xhemal beg Bushatin t’i dorëzonte Shefqet Dibrës, inspektor i financave i dërguar nga qeveria e Zogut, të paprekur arkën e shtetit.
Mbrëmjen e 2 marsit 1925, në restorantin e hotelit “Cavour”, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Duke dalë nga restoranti i hotelit u ndesh me Balto Stamollën, kushëri i largët me Gurakuqët. Ai e qëlloi me tre plumba. Në xhepat e shqyer të ish-Ministrit të financave policia italiane gjeti vetëm 350 lira.
Kuestura lajmëroi koloninë shqiptare që ceremonia nuk mund të zhvillohej në qytet, por vetëm brenda mureve të varrezës. Drejt Barit rendën refugjatë shqiptarë prej gjithkah. U mbajtën fjalime prej bashkëshortes së Sotir Gjikës, zonjës Lilli Quarta, Ll. Fundos, B. Valterit etj. Miku i tij, Hasan Prishtina, mbi varrin e tij do të shprehej: “Flej i qetë Gurakuq, shpagen tânde do ta marrim me përparimin e Shqipniës.”
Më 1957 eshtrat e tij u rivarrosën në Shqipëri. Iu dha titullin “Hero i Popullit”.