Abdyl Banushi, kundërshtari i regjimit komunist, ai që më 29 nëntor 1974 iu afrua podiumit të Festës së Çlirimit në Tiranë, me qëllim për të vrarë Enver Hoxhën e bashkë me të të hidhte në erë edhe gjithë Byronë Politike, kishte mbërritur deri në këtë ditë përmes një jete të jetuar në mënyrë të pabesueshme.
Sipas një dokumenti të vitit 1951, kur ai është arrestuar për herë të parafundit, vetë Abdyl Banushi ka dhënë para hetuesve këto të dhëna për jetën e tij. “Quhem Abdyl Banushi, i biri i Hakanit dhe Feros, lindur më 1929 në katundin Golem të Kurveleshit, banues po atje, me profesion punëtor, kam kryer pesë klasë fillore, i pa martuar, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, di gjuhë të huaj, pak gjermanisht dhe italisht, shërbimin ushtarak nuk e kam kryer, kam qenë i burgosur për faje ordinere dhe i dënuar nga Gjykata e Rrethit të Shijakut me 46 muaj heqje lirie dhe jam liruar duke mbushur kohën e dënimit.
Rrjedh prej një shtrese fshatare të varfër, që kur e mbaj mend veten time kam qenë në shkollën fillore dhe pasi e kreva këtë, kam ardhur në Durrës në vitin 1942 deri në 1943, duke punuar kamerier në një mensë dhe prej andej kam punuar te Llazar Selfua si shërbëtor dhe se këtë kohë, më 18 tetor 1943, si i lidhur me lëvizjen Nacional-Çlirimtare, jam arrestuar nga gjermanët, duke kaluar në kampin e Zemunit në Jugosllavi dhe prej andej më shpunë në kampin e Mathausenit, prej andej në kampin Kauferng në Landsberg dhe Dakau (Mynih) në Buhenvald dhe prej Buhenvaldit na prunë prapë në Dakau, ku jemi çliruar prej ushtrisë amerikane.
Me këtë rast kam qëndruar në Gjermani katër muaj në qytetin e Mynihut, pa ushtruar asnjë profesion, mbasi sikurse të gjithë të internuarit e tjerë, ishim shumë të dobët dhe prandaj na ushqenin amerikanët, të cilët na kishin caktuar dhe apartamente sipas kombësive të ndryshme, si për shembull, shqiptarët veç, italianët veç, jugosllavët veç dhe kështu me radhë…
Si përgjegjës për të gjithë të internuarit ka qenë një kolonel amerikan, që mesa më kujtohet, quhej Robert. Prej Mynihut, së bashku me dymbëdhjetë veta të tjerë, kemi ardhur në Itali, në Rexhio Emilia, pastaj na çuan në Bari, ku më 2 dhjetor 1945 me aeroplan kam ardhur në Shqipëri, ku vajta pranë familjes, duke u marrë me bujqësi e bagëti deri në vitin 1947, kohë në të cilën kam
ardhur këtu në Tiranë dhe kërkoja punë. Unë hyra në punë në fermën e Xhafzotajt në Shijak dhe më pas u arrestova dhe u dënova se kisha bërë një deficit, që më kishte dalë në sektorin e punës që më ishte caktuar. Mbasi plotësova kohën e dënimit prej 46 muajsh, jam liruar më 15 shkurt 1951. Pas lirimit nga burgu kam shkuar në katund, në shtëpinë time. Pasi punova katër ditë në shtëpi, shkova në Tiranë, ku jam arrestuar në datën 26 shkurt 1951, pse isha futur në armaturën e Shkollës së Bashkuar “Enver Hoxha”, për të marrë një revolver”.
ARRATISJA QË FTILLOI KOMUNISTËT
Dokumentet thonë se Abdyl Banushi kishte hyrë në “Shkollën e Bashkuar” të merrte një revolver, por kjo armë nuk i duhej për të vrarë ndokënd. Arma, si dhe një gomone për të kaluar lumin e Bunës, i duheshin si një mundësi më tepër për të kaluar kufirin dhe për t’u larguar nga tmerret që ai kishte kaluar në burg. Sepse dënimi me afërsisht 4 vjet burg për deficitin prej 19 mijë lekësh e kishte përballur me tmerrin e kampeve komuniste të punës, ku jeta e të dënuarve ishte nën mëshirën e policëve e drejtuesve të tyre, që të shkonin në plumb pa gjyq, qoftë vetëm për një fjalë goje, siç do të përshkruante më vonë Banushi në kujtimet e tij.
Por për fat të keq të Banushit, pas arrestimit të dytë më 1951, hetuesit ishin ftilluar dhe kishin rrëmuar në të shkuarën e tij. Kështu, ata kishin mundur të grumbullonin fakte për lidhjet e tij të vjetra me eksponentë të Ballit Kombëtar dhe më tej kishin gjetur edhe detaje, që edhe pse të pavërtetuara, çmenduria e montimit të akuzave të kohës, i lejonte ta akuzonin edhe për kontakte me oficerë amerikanë të spiunazhit e për rrjedhojë për spiunazh në dëm të Shqipërisë.
Shkak për këto dyshime bëhet një pako, që Banushi kishte sjellë me vete nga Italia në dhjetor të vitit 1945. Ajo pako i ishte dhënë atij prej Rasim Babametos, një eksponenti të Ballit Kombëtar, për t’u çuar në një adresë në Tiranë. Por objekti ishte bllokuar që në aeroport dhe për habi, komunistët nuk kishin arritur të bënin një lidhje mes kësaj dërgese dhe gjyqit të parë të Banushit, por gjithsesi e shtojnë në gjyqin e dytë, në për tentativën e arratisjes dhe për këtë shkak e akuzojnë Banushin si të lidhur me agjenturën amerikane.
Ja përmbajtja e vendimit të gjyqit: “E deklaron fajtor të pandehurin Abdyl Banushi për rekrutim të tij si spiun nga agjentura amerikane dhe në bazë të nenit 3 Nr. 10 të Ligjës Nr. 372 datë 12.12.1946 e dënon me 5 vjet privim lirie dhe punë të detyruar, (e deklaron fajtor, red) për fajin e tentativës së arratisjes në Jugosllavinë Titiste dhe sipas nenit 4 të Ligjës Nr. 372 datë 12.12.1946 e dënon me 6 vjet provim lirie dhe punë të detyruar dhe sipas nenit 66 të Kodit Penal bën bashkimin e dënimeve dhe përfundimisht e dënon me 10 (dhjetë) vjet privim lirie dhe punë të detyruar… Tiranë më 30.07.1951”. Dhe Abdyl Banushi i bën kokërr me kokërr edhe dhjetë vjet të tjera burg.
Por me të fituar lirinë, më 1961, ai nuk humbet asnjë ditë kohë. Ia mbath drejt kufirit në zonën që njihte më mirë, atë të Gjirokastrës, dhe arrin të mbërrijë pa shumë probleme në tokën e premtuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të njihej me disa miq të vjetër të tij, pjesëtarë të grupimeve kundër pushtetit komunist të Tiranës. Të njëjtët në vitin 1973 do të organizoheshin në “Frontin e Rezistencës Antistaliniste Shqiptare”, duke vepruar konkretisht në terren. Qëllimi ishte rrëzimi i pushtetit komunist të Tiranës dhe vrasja me atentat e Enver Hoxhës, si një nga mundësitë për arritjen e këtij qëllimi. Më 8 prill 1975 Sigurimi i Shtetit do të organizonte kapjen në territorin shqiptar të Abdyl Banushit me ndihmën e një bashkëpunëtori të tij.
Paskësaj, njeriu që tentoi t’i bënte atentat Enver Hoxhës do të kalonte edhe pjesën e parafundit të jetës së tij në burg, këtë radhë pothuaj gjithë kohën me një skafandër në kokë, si siguri që të mos tentonte vetëvrasjen. Banushi fitoi lirinë vetën në 17 mars të vitit 1991, pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri, gjë të cilën ai, me ndihmën e një grushti njerëzish, kishte kërkuar ta bënte me forcë rreth 20 vjet më parë. Kohë më pas Banushi u zgjodh kreu i Ballit Kombëtar për rrethin e Gjirokastrës dhe nisi të publikojë kujtimet e tij.
Bombë Ambasadës Kineze pas
tentativës për të vrarë Enverin
Një faqen 199 të librit të tij me titull “Një zë nga errësira”, Abdyl Banushi përshkruan një tentativë për të vënë bomba në ambasadën kineze. Është data 30 nëntor 1974 dhe momenti menjëherë pas tentativës së dështuar të 24 orëve më parë për të vrarë Enver Hoxhën, në paradën e festave të Nëntorit. Ja si e përshkruan Banushi tentativën për vendosjen e bombave në ambasadën kineze, që në atë kohë gjendej aty ku sot është ambasada italiane. “Nuk mund të ikej nga Tirana pa kryer asnjë nga detyrat tona. Të nesërmen, më 30 nëntor, u detyrova të hyja vetë në Tiranë.
Së paku të kryenim aksionin e ambasadës kineze. Iu afrova godinës, e cila ishte në një vend tepër të rrezikshëm. Nga njëra anë Radio-Televizioni Shqiptar, nga ana tjetër bulevardi i madh. Ruhej nga të gjitha anët. Edhe nga rojet e këtyre institucioneve. Ishte e pamundur t’i afroheshe pa rënë në sy. Thuhej se kinezët kishin nisur një ndërtesë tjetër të madhe për ambasadë… U ktheva pa bërë asgjë. Megjithatë vendosëm të hynim përsëri në Tiranë. Kësaj radhe baza do të ishte familja Begeja…”/ Panorama.al