Shumë qytete kryesore të Ukrainës janë sulmuar nga të gjitha anët dhe në disa prej tyre forcat ruse kanë marrë kontrollin, por duke pësuar edhe humbje nga rezistenca e ushtrisë dhe popullsisë. Si është gjendja pas ditës së nëntë të luftimeve.
Forcat e ushtrisë ruse kanë avancuar në betejën e tyre për pushtimin e Ukrainës, duke marrë kontrollin e një termocentrali bërthamor dhe duke i kthyer qytetet në rrënoja, ndërsa Volodymyr Zelensky lufton dëshpërimisht për të shpëtuar vendin e tij nga forcat pushtuese në ditën e nëntë të luftimeve. Trupat ruse sulmuan uzinën e Zaporizhzhia në orët e para të së premtes, ndërkohë që një betejë e ashpër me armë shkaktoi një zjarr në një ndërtesë stërvitore 6-katëshe. Anijet luftarake u vendosën në brigjet e Odessës, ndërsa qyteti port i Mykolaiv, pranë Khersonit, që Rusia pretendon se është i saj, dyshohet se do të jetë qyteti tjetër nën kontrollin e Putinit. Kievi vazhdon të përballet me bombardime intensive, por deri më tani është kursyer nga një sulm i madh, ndërkohë që një autokolonë ruse është bllokuar për ditë të tëra në një autostradë në veri të kryeqytetit ukrainas. Ndërkohë, ka shqetësime në rritje se trupat e palëvizshme po rigrupohen dhe po grumbullojnë furnizime logjistike përpara se të nisin një sulm të ashpër në kryeqytet. Putini dëshiron të ‘ndajë’ Ukrainën përgjysmë dhe të privojë veriun nga burimet e nevojshme për të vazhduar luftën, një taktikë rrethimi që të kujton mënyrën se si ai fitoi luftën çeçene në 2000. Pak më shumë se një javë pasi Putini nisi fushatën e tij të egër, MailOnline vlerëson sjelljen e rusëve në qytetet ku ata po përballen me elasticitetin e ashpër nga Ukraina.
Kiev
Përparimi i Moskës në kryeqytetin e Ukrainës mund të ketë ngecur, por qyteti ende po përballet me silme të rënda nga ajri. Shpërthime të forta u dëgjuan mëngjesin e sotëm, ndërsa një sirënë vijonte të binte pa pushim. Tanket dhe mjetet e blinduara ruse nuk kanë hyrë ende në qytet, me kolonën e madhe të bllokuar ende rreth 16 milje nga Kievi. Kolona, e cila në fillim të javës dukej e gatshme për të nisur një sulm në kryeqytet, është përballur me të papritura gati qesharake, përfshirë mungesën e karburantit dhe ushqimit. Por ka gjithashtu disa shqetësime se 15,000 trupat e bashkangjitur në autokolonë mund të jenë duke u rigrupuar dhe duke pritur për furnizime përpara se të nisin një sulm të ashpër në Kiev. Rusia i bëri të qarta planet e saj për të pushtuar shpejt kryeqytetin, me zyrtarët perëndimorë të sigurisë që kishin frikë se do të rrëzonin qeverinë dhe do të zbatonin regjimin e tyre të ri brenda disa ditësh. Por, rezistenca më e fortë se sa pritej nga ukrainasit e pushtuar dhe të paarmatosur, ka shmangur fitoren e shpejtë që Rusia mund të kishte pritur. Një ndihmës i Zelenskit u ka bërë thirrje ushtarëve dhe vullnetarëve që të përdorin taktika guerile kundër forcave ruse, të presin pemë dhe të shkatërrojnë kolonat e pasme të trupave ruse.
Zaporizhzhia
Trupat e Putinit sulmuan centralin më të madh bërthamor gjatë natës, duke shkaktuar një zjarr që shpërtheu për orë të tëra përpara se ekuipazhet e emergjencës të lejoheshin ta shuanin atë pasi ushtarët rusë pushtuan kompleksin. Trupat ruse kishin sulmuar uzinën e Zaporizhzhia në orët e para të së premtes. Ndërkohë, ushtria ruse ndaloi zjarrfikësit të shkonin në ndërtesë për disa orë. Përfundimisht, ekuipazhet e emergjencës u lejuan të hynin dhe të shuanin flakët përpara se trupat ruse të lëviznin në një zonë të pushtuar, e cila siguron një të pestën e energjisë elektrike të Ukrainës. Agjencia e OKB-së për monitorimin bërthamor tha se, për fat të mirë, asnjë nga gjashtë reaktorët e zonës nuk ishte dëmtuar drejtpërdrejt dhe nivelet e rrezatimit mbetën normale. Tre trupa ukrainase u vranë duke mbrojtur kompleksin, tha Kievi. Moska, në mënyrë të parashikueshme, është përpjekur të mohojë përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se forcat e saj ishin sulmuar nga ‘diversantët’ ukrainas ndërsa patrullonin fabrikën, të cilët më pas i vunë zjarrin vetë ndërtesës. Ukraina ka edhe tre termocentrale të tjera aktive bërthamore, njëri prej të cilëve ndodhet 70 milje nga qyteti i Mykolaiv, të cilin forcat ruse kanë filluar ta sulmojnë pasi kanë pushtuar Kherson aty pranë. Dy vendet e tjera aktive janë të vendosura në perëndim dhe aktualisht nuk janë nën kërcënim, megjithëse kjo situatë mund të ndryshojë pasi sulmi rus edhe mund të përhapet. Një rrezik përbën edhe Çernobili. Presidenti Zelensky tha se sulmi në Zaporizhzhia mund të kishte shkaktuar një krizë të barabartë me ‘gjashtë Çernobile’, duke iu referuar faktit se termocentrali i ditëve të sotme ka gjashtë reaktorë ndërsa fatkeqësia e epokës sovjetike preku vetëm një. Ndërkohë ai iu bëri thirrje rusëve që t’i japin fund luftimeve.
Mykolaiv
Frika po rritet se Mykolaiv së shpejti do të jetë qyteti më i madh që do t’i bjerë Rusisë. Kryebashkiaku tha se trupat ruse kishin hyrë në qytetin e tij me rreth 500,000 banorë dhe tani ende po luftohej. Autoritetet lokale në qytetin e ndërtimit të anijeve u thanë banorëve që të mos frikësoheshin dhe këshilltari ushtarak i Zelenskiy, Oleksiy Arestovych, tha se përparimi rus atje ishte ndalur. Shtetet e Bashkuara besojnë se qëllimi i Rusisë është që të krijojë në Mykolaiv një bazë operacionesh atje që ata mund ta përdorin më pas në një lëvizje për të rrethuar dhe marrë Odesan.
Kherson
Kherson mbetet i vetmi qytet që është pushtuar nga forcat ruse, një fitore të madhe strategjike kjo për Putinin. Qyteti i lejon trupat e tij të kalojnë lumin Dnieper dhe të përparojnë në Kiev nga jugu. Kherson gjithashtu mban furnizimin me ujë të freskët për rajonin, që do të thotë se Rusia mund ta përdorë atë në Krime. Kryebashkiaku tha se Kherson do të mbajë një shtetrrethim të rreptë nga 8 pasdite deri në 6 të mëngjesit dhe do të kufizojë trafikun në qytet për dërgesat e ushqimit dhe ilaçeve.
Mariupol
Ndoshta më i godituri në këto luftime ka qenë qyteti i Mariupol, në bregun lindor të Detit të Zi të Ukrainës, ku qyteti ka qenë i rrethuar plotësisht nga forcat ruse. Granatimet e rënda ruse të Mariupolit janë krahasuar me rrethimin nazist të Leningradit në Luftën e Dytë Botërore, i cili zgjati për tre vjet dhe praktikisht rrafshoi të gjithë qytetin ku u regjistruan qindra të vrarë. Marrja e qytetit do t’i lejonte Rusisë të lidhë Donetsk dhe Luhansk me Krimenë, e cila u aneksua në 2014. Zyrtarët lokalë thonë se qyteti është pa ujë, ngrohje apo energji elektrike dhe bombardimet janë aq të shpeshta sa mjekët nuk mund t’i marrin dot të vdekurit nga rrugët.
Kharkiv
Në verilindje, përgjatë një aksi tjetër të madh të sulmit rus, qyteti i Kharkiv-it ka qenë nën bombardime që nga fillimi i pushtimit, por mbrojtësit po rezistojnë. Dhjetra janë vrarë dhe qindra të plagosur në qytet i cili është kthyer në rrënoja dhe shumë ndërtesa banimi janë shkatërruar. Qyteti mbetet nën kontrollin e Ukrainës, por parashutistët rusë zbarkuan në periferi të tij t të mërkurën dhe bastisën një spital ushtarak.
Chernihiv
Edhe qyteti i Chernihiv po përballet me dëme të mëdha nga lufta, ku vetëm dje u vranë të paktën 47 njerëz. I vendosur në veriperëndim të Kievit, qyteti ka qenë vendi i luftimeve të ashpra me trupat ruse që nga ditët e para të pushtimit, por është ende nën kontrollin e Ukrainës. Bomba thërmuese u lëshuan në drejtim të shkollave, banesave, dhe blloqeve të pallateve.
Odessa
Qyteti port i Detit të Zi, dhe baza kryesore detare e Ukrainës, po përgatitet për një sulm rus pasi një duzinë anije luftarake u panë që u nisën nga Krimeja. Ka pasur gjithashtu raporte për gjuajtje me raketa ose artileri ruse në aeroportin e qytetit, tha zëvendësministri i Mbrojtjes i Ukrainës.
Dnipro
Qyteti në lumin Dnieper dyshohet se do të jetë qyteti i radhës që do të përballet me bombardimet e rënda ruse, ku sirenat ajrore japin alarmin vazhdimisht. Rrugët dhe ndërtesat janë duke u fortifikuar ndërsa civilët e tmerruar presin nga momenti në moment sulmin. Vullnetarët e armatosur po mbajnë barrikada dhe postblloqe në periferi të qytetit për pushtimin e pritshëm.