Shqiptarët të huaj në atdheun e tyre, PSE?!

Nga Veton Zogaj

5,6 dhe 7 marsi i Adem Jasharit, 1998, si 28 nëntori i Skënderbeut, 1443, dhe i Ismail Qemalit, 1912. Kaq shumë histori, kulturë e civilizim, si asnjë komb tjetër në Europë e në botë kanë shqiptarët. Kaq shumë luftë, gjak e sakrificë për liri, kaq shumë dëshmorë e heronj kombëtar.

Ndaj me të drejtë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare kur fletë për identitetin europian të shqiptarëve, fletë për kombin shqiptarë në qendër të kontinentit europian, fletë për historinë e lavdishme, fletë për gjuhën si një nga më të parat e kontinentit të vjetër, fletë për shtrirjen gjeografike si fakt i patjetërsueshëm i këtij kombi dhe si një përcaktues i identitetit europian. Fletë për copëza formimesh të cilat i japin kombit shqiptar legjitimitetin e duhur dhe identitetin kuptimplotë e jo gjysmak.

Por, ku jemi sot ne shqiptarët të ndarë në dy shtete e të shpërndarë gjithandej në Ballkan, Europë e përtej në kontinente tjera! Ne shqiptarët e lënë pas dore e të pa integruar askund, ne shqiptarët që ditë e natë ëndërrojmë integrimin europian, flasim e hamendësojmë për të sikur ky kontinent të ndodhej në Planetin Mars. E në anën tjetër ne deri tani nuk bëmë asnjë hap për tu integruar si një komb i përbashkët, por përkundrazi ende tkurremi territorialisht, diskriminohemi e shtypemi padrejtësisht, vazhdimisht e historikisht. Ne shqiptarët që përkundër zhvillimit të madh global, ne akoma jetojmë të varfër në atdheun tonë të pasur me plotë potencial njerëzor e resurse natyrore, ne shqiptarët patriot, punëtor të zot e të devotshëm, por larg atdheut tonë, sepse kemi ngelur në kohë e nuk kapim dotë hapin me të tjerët. Ne shqiptarët të cilët për vite me radhë kemi lejuar që fati ynë si komb të venitej nën sundimin e politikanëve të paditur, servil e lakmitar, të cilët kanë keqpërdorë besimin dhe sinqeritetin tonë, duke na mashtruar se mjafton pritja, heshtja dhe servilizmi ndajë gjithëçkaje dhe pastaj vjen historia e na bëhet dhuratë.

Ne shqiptarët që të mashtruar nga pushtetarët për dy dekada në Kosovë e më shumë se një shekull në Shqipëri kurrë nuk u ngritëm për ta kuptuar se ne vetë duhet ta ndërtojmë historinë tonë, se ne vetë duhet të integrohemi në Europë, jo për t’i gjetur të gaqëme gjërat, por për të marrë pjesë si të barabartë në krijimin e gjërave, jo për të qenë inferior e të nënshtruar ndaj Europës, por për të qenë të barabartë në ndërtimin, integrimin dhe zhvillimin saj, jo për të qenë të tërhequr zvarrë prej saj, por për të qenë partnerë të saj. Sepse në fund të fundit ky është dinjiteti ynë si komb dhe nuk mund të jetë ndryshe, nga se në çdo rast tjetër s’ka çka na duhet integrimi në Europë kur jemi të shpërbërë etnikisht dhe kombtarisht. Në një situatë të tillë do të ishim përherë të nënçmuar ashtu siç kemi qenë vazhdimisht deri me tani si bota e tretë e shoqërisë europiane.

Lexo edhe :  Pse Tirana ka 25 vjet nuk voton Partinë Demokratike?

Këtë leksion më së miri filluam ta mësojmë në vitin e fundit kur për herë të parë në Kosovën e çliruar një qeveri filloi të flas me zërin e popullit, filloi ta përçoi mesazhin e qartë në Europë e në botë se ne nuk duam të tërhiqemi zvarrë për tu integruar në mesin e kombeve tjera, por duam të jemi në mesin e të barabartëve. Sepse këtë na e mundëson historia jonë e lavdishme, sakrifica jonë ndër breza dhe përpjekja jonë për liri e demokraci. Vlera këto mbi të cilat është e ndërtuar e kaluara e tashmja dhe e ardhmja e kombit tonë shqiptarë.

Përherë të parë në dekadat e fundit në vendin tonë qeveria filloi ti flasë qytetarëve me gjuhën e së vërtetës, duke i zgjuar ata nga çdo ëndërr e pakuptimtë e sajuar dhe e thurur në gënjeshtra e pritshmëri të kota e të pafundme. Dhe për herë të parë në Kosovë filloi fundi i një politike të nënshtruar e servile në arenën ndërkombëtare.

Por, përderisa në Kosovë ka filluar reflektimi i një drite në fundin e tunelit, në Shqipëri po vazhdon saga e njëjtë e numërimit në vend, pa bërë më të voglin hap për veten e saj e lëre më të flasim për përgjegjësinë e madhe që ka ndajë të gjithë shqiptarëve të cilët ndodhën kudo. Në fund nëse vlen maksima se historia që nuk mësohet, ajo përsëritet dhe në çdo rast po dëshmohet kështu. Atëherë shqiptarët kanë një rrugë të vetme fuqizimin e përbashkët si komb i integruar në Europë, apo në të kundërtën do të mbesim nën mëshirën e fatit dhe si spektatorë të zhvillimeve gjeopolitike të forcave në rajon.