Jeta e bukur dhe e dhimbshme e mbretëreshës shqiptare në Francë dhe në librat e autorëve francezë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

(Nga fëmijëria dhe shkollimi në Francë, ekzili shtatë vjeçar në Paris, martesa dhe kurorëzimi Mbret i djalit të saj e deri te vdekja e bashkëshortit në spitalin Foch)

 

Nga Mentor HOXHA -Paris

 

Viti 2022 shënon 20 vjetorin e rikthimit në Shqipëri të Mbretëreshës shqiptare, Geraldina Zogu (1915 – 2002) pas një egzili politik 63 vjeçar në Francë (1939- 10 maj 1940), Londër (10 maj 1940-1946), Egjipt (1946-1955), Francë (25 korrik 1955- shtator 1962), Spanjë (shtator 1962-1979), Rhodezi (1979-1982) dhe South Africa (1982-22 qershor 2002). U detyrua të largohet nga Shqipëria nga agresioni italian ndaj Shqipërisë. U largua në mëngjezin e 6 prillit 1939 përmes kufirit grek bashkë me e saj djalin dy ditësh, Lekën. U rikthye më 22 qershor 2002 nga Johanesburgu, pas një amnistie që dha Parlamenti i Shqipërisë më 2002 që shfuqizoi dekretin e regjimit komunist që ndalonte rikthimin e familjes mbretërore shqiptare në atdhe. Katër muaj pas ardhjes në Tiranë, Mbretëresha u shua më 22 tetor 2002 në moshën 87 vjeçare në spitalin ushtarak të Tiranës nga shkaqe natyrale. U varros me një cermoni madhështore shtetërore ku morën pjesë qindra njerëz dhe personalitete të larta. Gjatë 63 viteve në egzil, ajo ishte lutur që të vdiste në Shqipëri dhe të varrosej po në Shqipëri, dhe si për koeçidencë edhe vdekja e mori në vendin ku u martua dhe u bë Mbretëreshë. Në 20 vjetorin e rikthimit të saj u përurua më 1 shkurt 2022 një bust i saj, i ngritur në sheshin para godinës së Ministrisë së Drejtësisë ku ndodhet dhe shtatorja e bashkëshortit të saj.

Mbretëria e Zogut zgjati 11 vjet (1928-7 prill 1939), kurse Geraldina mbretëroi vetëm 11 muaj në Shqipëri (27 prill 1938- 6 prill 1939), por ajo ishte dhe vazhdon të jetë mbretëresha më e dashur për shqiptarët, përshkak se e deshi shumë Shqipërinë dhe Mbretin shqiptar.

 

LIDHJET PERSONALE DHE FAMILJARE TË GERALDINËS ME FRANCËN

Gjatë 63 viteve të saj në ekzil politik, 7 vite i kaloi familjerisht në Francë: në Marsejë (1939-1940), Kanë (gusht 1955 -1961) dhe Paris (1961- shtator 1962). Pranë saj dhe Mbretit Zog, jetuan në Francë edhe pjesa më e madhe e anëtarëve të Familjes Mbretërore shqiptare, 4 princeshat: Adilja, Nafija, Sanija, Maxhide dhe prince: Skënderi dhe Mirgin Zogu, Tati Kryeziu dhe Salih Doshishti-Agolli etj. Mbreti Zog vdiq dhe u varros në Paris. Pas 49 vitesh u zhvarros dhe u varroz në Tiranë. Në Paris vdiqën dhe u varrosën edhe 4 princeshat (Adilja, Nafija, Sanija, Maxhide) dhe Princi, Salih Doshishti-Agolli. Në Paris ka jetuar dhe ka studiuar për 8 vite edhe princesha aktuale, Elia Zogu, bashkëshortja e trashëgimtarit të Kurorës, Princ Leka II.

Pas rrrëzimit nga froni më 7 prill 1939 dhe emigrimit të detyruar,  Mbretëresha dhe Mbreti shqiptar zgjodhën Parisin si vendin ideal për të jetuar dhe për të kordinuar aksionin politik dhe diplomatik për çlirimin e Shqipërisë dhe për rikthimin e tyre në fronin shqiptar, pasi Parisi ishte dhe është kryeqendra historike e diplomacisë botërore. Krahas qëllimeve politike të Mbretit Zog, Geraldina ndihej në Francë si në shtëpinë e saj, pasi kishte një pjesë të madhe të familjes që kishin pasuri dhe poste politike në Francë. Familja Mbretërore Shqiptare dhe shpura e saj u vendosën në Paris më 15 gusht 1939. Fillimisht u vendosën në kështjellën Maye në Versajë. Nga  fundi i vitit 1939 marrin me qira kështjellën e Mesnil-Saint-Denis. Sapo akomodohet në Rezidencën e përkohshme mbretërore, mbreti Zog fillon kontaktet zyrtare me autoritetet më të larta të Francës. Pikërisht në këtë kohë, kur mbreti Zog me shpurën e tij ishte vendosur në Paris dhe në rrethinat e Parisit, Franca hyn në luftë kundër Gjermanisë naziste dhe ushtria hitleriane vërshon drejt Parisit. Pas sulmit gjerman më 10 maj 1940, shpërngulen drejt perëndimit në rrugën drejt Orleans, Royan, Bordeaux, e më në fund në Saint-Jean-de-Luz. Nga Franca nisen me anije për në Britaninë e Madhe, ku Mbreti George IV i Anglisë u ofron mbrojtje dhe siguri. Me përfundimin e Luftës së II Botërore, largohen nga Anglia dhe vendosen në Egjipt pas ftesës së Mbretit Faruk me origjinë shqiptare. Pas rrëzimit të Faruk-ut më 1952 dhe kthimit të Egjiptit në Republikë, largohen nga Egjipti dhe në gusht të 1956-ës vendosen në qytetin e Kanës në një vilë të vjetër, e ndërtuar në vitin 1900 në kohën e “Dukave të Mëdhenj. “Ne e duam aq shumë Francën, e cila na ka dashur aq shumë”, -thotë monarku shqiptar në një intervistë me gazetarin, Francis Ric, korrespodent i gazetës “Paris-presse” (18 gusht 1955, fq. 4). Në këtë vilë, qëndruan deri më 1961 kur shëndeti i mbretit u rëndua dhe Geraldina e shtroi në një nga klinikat më moderne të Parisit ku edhe u shua në Hôpital Foch.

 

FËMIJËRIA DHE RINIA E GERALDINËS NË FRANCË

Geraldina kaloi në Francë, jo vetëm 7 vitet e jetës bashkëshortore  si azilante politike, por edhe një pjesë të fëmijërisë dhe të rinisë. Franca ka qenë atdheu i saj i tretë i saj, pas Hungarisë dhe Shqipërisë, pasi me Parisin kishte lidhje të hershme familjare, personale dhe gjuhësore. Ajo e fliste frëngjishtën në mënyrë të hyjnishme, sepse pati studiuar në liceun e Nisës dhe në një shkollë angleze në Menton të Francës. “Unë gjej këtu rininë time në këtë vend kaq blu dhe kaq të bukur”, -thotë ajo në një intervistë me një gazetar francez. Geraldina mbeti jetime që moshë të vogël, kështu që u rrit nga gjyshërit Aponny, të cilët e dërguan në një shkollë angleze në Menton të Francës. Nëna e Geraldinës, Gladys Virginia Stewart ishte amerikane, kurse babai, Gyla Apponyi ishte kont hungarez. Ata u njohën më 3 qershor 1914 në Paris. “Pas një fejese me shakullimë në Paris, ata nxituan nga platforma e stacionit të Gjenevës për t’u martuar në Kishën e Shën Jozefit në vitin 1914, para se treni i tyre t’i çonte në Hungari”, -shkruan James Pettifer në “The Indipendent”. “Geraldine lindi vitin e ardhshëm dhe gëzonte një fëmijëri idilike të ndarë kryesisht midis Vjenës. Pas Luftës së Parë Botërore, ajo ishte disi e modernizuar nga babai i Geraldinës, i cili kishte vënë në shitje pallatin e familjes në Budapest dhe prona të tjera në Paris dhe Vjenë për të lehtësuar barrën e rëndë të borxhit të familjes”, shkruan Pettifer. Geraldina lindi më 6 gusht 1915 në Budapest. Ajo lindi si Kontesha Geraldine Margit Virginia Olga Maria Aponpyi de Nagy-Appony. Pas saj lindi edhe motra e saj Virginia dhe vëllai Gyuala. Babai i saj ishte, një baba i jashtëzakonshëm, por pati një jetë të shkurtër. U plagos në gusht të 1914-ës teksa luftonte në Serbi gjatë kohës që shërbente oficer ndërlidhës në ushtrinë austro-hungareze. Pas kthimit në Austri ai shërbeu në shtabin e përgjitshëm të ushtrisë, por nga komplikacionet e plagëve të marra nga ushtarët serbë vdiq më 1924. Pas disa vitesh, nëna e Geraldinës, u martua me admiralin francez, Gontran Giraultme, një francez i pasur që kishte prona në Paris. Ata patën tre fëmijë: Sylviane Girault Muselier, Guy Girault dhe Patricia Girault. Kontesha Geraldina së bashku me motrën më të vogël, Konteshën Virginia dhe vëllanë Gyuala jetuan me gjyshen nga babai, Konteshën Margarite. Pas vdekjes së gjyshes, halla e tyre, Kontesha Fanny Karolyi u kujdes për Geraldinën, Virginia-n dhe Gyuala-n. Njerku i Geraldinës ishte shumë i pasur, kishte prona në Paris, kështu që Gerladina i kaloi vitet e rinisë në Hungari, në Vienë ku kreu studimet e larta dhe në Francë ku jetonte e ëma, dy motrat gjysmë franceze dhe vëllai gjysmë francez. Pas martesës së Geraldinës në Tiranë, vëllai i saj, Gyuala vazhdoi studimet në Liceun Francez të Korçës, por u detyrua t’i ndërpresë studimet në moshën 14 vjeçare nga pushtimi i Shqipërisë. “Pa i thënë asnjë fjalë mësuesit morën Gyuala-n për dore ashtu si qe me librat ndënë sqetull dhe fluturoi tek ne”, -shkruan Geraldina në kujtimet e saj. “Më vonë shkoi në Francë që të bashkohesh me mëmën time dhe, megjithëse vuante nga diabeti, u bashkua me fuqitë e rezistencës frënge gjatë luftës. Po përvojat dhe vuajtjet që pati gjatë luftës e keqësuan shumë shëndetin e tij dhe në Merano të Italisë dha shpirt”.

Gjatë qëndrimit 7 vjeçar në Paris si azilante politike, Geraldina gjeti një mbështetje të madhe te motra e saj gjysmë franceze, Silvana Myzelje, e cila banonte në Marsejë. Silvana e ka vizituar disa herë Geraldinën edhe në South Africa. Ajo e shoqëroi edhe më 28 qershor 2002 nga Johanesburgu në Tiranë kur Familja Mbretërore Shqiptare u kthye nga egzili. Silvana ka qenë e pranishme edhe në dasmën e Geraldinës në Tiranë më 28 prill 1938, madje i ka dhuruar lule. Atëherë, Silvana ka qenë 9 vjeç dhe ka shkuar nga Hungaria. Ajo ka qënë edhe herë të tjera në Shqipëri pas viteve ’90-të. Djali i Silvanës, Rena Muzeljen, ka qenë më 2002 ministër i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Francës (ka mbuluar problemet e Evropës Juglindore ku bën pjesë edhe Shqipëria). Edhe gjyshja e Geraldinës, Virginia Ramsey Harding e kaloi një pjesë të jetës bashkëshortore në Paris. Ajo u martua dy herë. Herën e parë me John Stewart, biznesmen dhe diplomat (Konsull i Përgjithshëm në Anvers) ku edhe erdhi në jetë më 18 korrik 1891 nëna e Geraldinës, Gladys Virginia Stewart, por në fund të atij viti vdiq edhe babai i saj, John Stewart. Në 1902, gjyshja e Geraldinës, u martua përsëri me Gustave de Strale d’Ekna, ministër dhe shambellan i Mbretit Oskar II i Suedisë. Ata jetuan në Paris ku Gustavi u bë si një baba i dytë për Geraldinën që në moshë të hershme.

 

PARISI, QYTETI KU GERALDINA KA KUJTIMET MË TË BUKURA, POR EDHE MË TË HIDHURA

Parisi për Mbetëreshën shqiptare qe një nga qytetet më të dashur të saj, por edhe qyteti që i dha dhimbjen më të madhe në shpirt. Në Paris, ajo ndau një pjesë të fëmijërisë dhe të rinisë, si dhe 7 vite të jetës bashkëshortore dhe si azilante politike. Në Paris u martua më 8 tetor 1975 djali i saj, Leka me Susan Cullen-Ward nga Australia, një fisnike e re australiane që kishte lidhje gjaku me familjen mbretërore të Anglisë. Në Paris, Leka u kurororëzua në 5 prill 1957 trashëgimtar i Kurorës Mbretërore në moshën 18 vjeçare dhe po në Paris ai u shpall Mbret i Shqiptarëve më 15 prill 1961, pak ditë pas vdekjes së babait. U kurorëzua në ceremoninë speciale të organizuar në hotelin “Bristol” të Parisit duke u betuar si mbret para 70 delegatëve të përzgjedhur nga diaspora shqiptare në botë, ku bënin pjesë ish ministra dhe ish deputetë të Monarkisë së Zogut. Po në Paris, Leka ndoqi studimet e larta për shkenca politike dhe ekonomike në “Universite De Sorbone” dhe ndoqi kursin intensiv të gjuhëve orientale.

Lexo edhe :  8 justifikime që po ju pengojnë nga suksesi

Krahas këtyre kujtimeve të bukura që Mbretëresha përjetoi në Paris, ajo mori nga Parisi edhe kujtimin më të dhimbshëm të jetës saj: vdekjen e njeriut me të cilin ndau 23 vite (një vit në Shqipëri, 1938-1939, dhe 22 vite në ekzil politik), 7 prej të cilave në Marsejë, Kanë dhe Paris. Mbreti u shua në Hôpital Foch më 9 prill 1961 në moshën 65 vjeçare.  U varros në cimetière parisien de Thiais. Qivuri me trupin e Mbretit u mbulua me flamurin kombëtar të Shqipërisë. Për 48 orë, natë e ditë, qindra shqiptarë nga e gjithë bota u përkulën para trupit të tij të pajetë. Presidenti i Francës, Charles de Gaulle hoqi vizat për refugjatët që vinin për këtë rast në Francë. Pikërisht në Paris, Mbretëresha Geraldinë i dha lamtumirën e fundit njeriut që kishte dashuruar me gjithë zemër që nga mbrëmja e parë në Tiranë më 1937, kur u njoh me të dhe i fali përjetësisht zemrën e saj, e deri kur ai mbylli sytë përgjithmonë nga kanceri.

Vdekja e bashkëshortit, e shkatërroi aq shumë fizikisht dhe mendërisht Geraldinën aq sa mjekët u detyruan ta izolojnë në Spitalin Psikatrik dhe t’i japin hormone mashkullore. Nga dita kur u shtrua në një dhomë të spitalit Foch e deri kur Mbreti u shua, ajo i qëndroi natë e ditë te koka bashkëshortit të saj. Dramën dhe dhimbjen e saj për Mbretin shqiptar, e përshkruan edhe autorja angleze Gwen Robyns në librin, “Geraldina e Shqiptarëve” (Uet Press, Tiranë 2012) ku shkruan: “Gjatë atyre njëmbëdhjetë vjetëve, Mbretëresha ka ndenjur gjithmonë përkrah tij, duke e ruajtur me pikëllim, pasi, pavarësisht kurave që merrte, ai dobësohej gjithmonë e më tepër. Jetuan për ca kohë në Kanë dhe Mbretëresha e mjekonte vazhdimisht të shoqin. Më 3 janar 1961, Familja Mbretërore dhe shoqëruesit e saj u shpërngulën në Paris. …Sapo mbërritën, princeshat u futën në dhomat e tyre dhe u shtrinë, duke e lënë vetëm Mbretëreshën të merrej me të sëmurin, me shtëpinë në nevojë të menjëhershme për pastrim, pasi nuk kishin shërbëtorë që ta ndihmonin. Për tri javë u përpoq e vetme derisa edhe ajo u sëmur. Thjesht, i kishin shterur fuqitë dhe nuk ishte më në gjendje ta lante, ta ngrinte dhe të bënte gjithë përkujdesjet e tjera për të cilat një burrë i sëmurë kishte nevojë. …Nga angushtia e princeshave dhe nga dhimbja e saj, që nuk gjente ngushëllim, Mbretëreshës Geraldinë i ra të fikët. E motra, Virxhinia që kishte mbërritur në spital, e çoi për të pushuar në hotelin aty pranë. Thirri një mjek për t’i dhënë qetësues. Ky ishte fillimi i një tjetër sëmundjeje të gjatë. Nga hoteli, Mbretëresha u dërgua në spital. Atje ishte një qendër për njerëzit e përvuajtur. Princi Leka e vizitonte të ëmën çdo ditë, por pas një jave trajtimi të vazhdueshëm, drejtori i spitalit i telefonoi dhe i tha: Mamaja jote po vdes. Princi njëzetvjeçar u trondit jashtë mase dhe i kërkoi sqarim. Nuk ka asnjë sëmundje të vërtetë, -i shpjegoi mjeku. Mbretëresha Geraldinë ishte konsumuar fizikisht dhe mendërisht. Princi shkoi menjëherë në spital dhe, kur u përball me drejtorin në zyrën e tij, i vuri revolverin në tavolinë dhe i tha: Im at vdiq për faj të një spitali francez dhe nuk do të lejoj që të vdesë edhe ime më. Duhet të bëni diçka! Mjeku francez u mendua mirë para se të përgjigjej: Ne kemi përshtypjen se asaj i ka shteruar dëshira për të jetuar. Në qoftë se ju na lejoni, kryepsikiatri ynë do të përpiqet të nxjerrë nga pavetëdija e saj arsyen! Dy herë në ditë një mjek dashamirës kalonte afërsisht një orë duke biseduar me Mbretëreshën. Ata flisnin për gjithçka, përfshirë edhe për jetën. Pas disa ditësh, ai i tha Princit Leka se e kishte zbuluar çfarë e shqetësonte Mbretëreshën Geraldinë. Ajo nuk do që të jetojë pas humbjes së të shoqit. Një prej problemeve që, në mënyrë të pavetëdijshme, i shkaktonte shqetësim të vazhdueshëm Mbretëreshës, ishte se çfarë do të bënte me princeshat. I kishte premtuar Mbretit Zog se do të kujdesej për të motrat. Mbretëresha Geraldinë nuk i thyen lehtë premtimet, por tani kishte përshtypjen se nuk mund të merrte më përgjegjësi mbi veten. Vetëm kur mjekët vendosën t’i jepnin ca hormone mashkullore, ajo filloi të përmirësohej dhe t’i vinte fuqia. Mëngjesin e parë që u çua nga shtrati, vuri re që dritaret ishin me hekura. Thirri shërbyesen, e cila menjëherë lajmëroi mjekun. Ai i shpjegoi me mirësjellje se përse e kishin futur në një spital psikiatrik. Ajo kishte arritur peshën 41 kilogramë, me një gjatësi prej 1.77 metra; dukej si një skelet. Mjekët më parë i druheshin qëndrueshmërisë së gjendjes së saj mendore, por tani e kishte marrë veten mjaftueshëm për t’u lejuar të dilte në kopsht (Gwen Robyns, “Geraldina e Shqiptarëve”, biografi e autorizuar, Uet Press, Tiranë 2012).

“Njeriu që më shpëtoi nga çmendia në atë periudhë të potershme ishte kontesha hungareze, Zhizelë Alvensleben de Shonborn, e pagëzuar Zhizhi nga miqtë. Ajo më merrte me makinën e saj çdo të premte pasdite dhe qëndroja me të për fundjavë në vilën e saj të bukur pranë një fushe golfi në Shën Nom la Bretshë”, -shkruan mbretëresha në kujtimet e saj.

Për t’i bërë një varrim dinjitoz dhe për të ngritur një monument mbi varrin e  njeriut më të dashur të saj, për të cilin të gjithë shqiptarët të ndiheshin krenarë, ajo la peng unazën e fejesës me diamantin blu prej 14 karatësh që Zogu e pati blerë te Cartier.  “Hoqa nga gishti unazën, që im shoq e kishte blerë te Cartier dhe u përpoqa të lija pas të gjitha kujtimet . Për cilindo që sot e mban në dorë, ajo është thjesht një unazë tepër e hijshme diamanti, por për mua përfaqëson kujtimet e një jete të tërë” -thotë Geraldina.

Pas vdekjes së bashkëshortit, jeta Geraldinës nuk ka qenë shumë e thjeshtë. Ajo u detyrua të shiste të gjitha xhevahiret për të siguruar jetën e saj dhe të djalit. Në vit pas vdekjes së Mbretit, u largua edhe Franca bashkë me djalin e saj 20 vjeçar, Lekën për t’u vendosur në Spanjë, e më pas në South Africa ku qëndruan deri më 28 qershor 2002 kur u kthyen përfundimisht në Tiranë. Dhjetë vjet më pas, u kthyen nga Parisi edhe eshtrat e mbretit Zog, të cilat qëndruan për 49 vite me radhë në varrezat pariziene. Eshtrat e tij u zhvarrosën më 14 nëntor 2012 me kërkesë të Qeverisë shqiptare. Me këtë rast u u organizua në Paris një ceremoni zyrtare me nderime ushtarake, ku morën pjesë shefi i Protokollit i Presidentit francez, prefekti i Parisit, një delegacion i qeverisë shqiptare i drejtuar nga ish ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, trashëgimtari i Kurorës Mbretërore, Princ Leka, anëtarë të tjerë të Familjes Mbretërore shqiptare dhe personalitete të njohura të diasporës shqiptare në Francë. Eshtrat u rivarrosën më 17 nëntor në Mauzoleumin Mbretëror në Tiranë në një ceremoni madhështore shtetërore ku mori pjesë Presidenti dhe Kryeministri i Shqipërisë, si dhe figura të larta nga familjet mbretërore rumune, malazeze, ruse dhe shqiptare. Trupi i mbretit dhe i familjarëve të tij tani ndodhen në Mauzoleun Mbretëror të rindërtuar në Tiranë.

Historia e Mbretëreshës Shqiptare, Geraldine ka qenë subjekt në disa libra biografikë dhe filma dokumentarë në Francë duke ngjallur interes të madh te publiku francez, por aq sa historia e familjeve të mëdha mbretërore shumëvjeçare të Europës. Veçohet libri i biografes së njohur franceze, Joséphine Dedet me titull, “Géraldine Reine Des Albanais (Criterion, Paris, 1997) dhe filmi dokumentar nga ish ministri i Kulturës në Francë, Frederic Miterrand. Ky dokumentar u shfaq në vjeshtën e vitit 2016 në kanalin franko-gjerman ARTE dhe u shpërnda edhe në televizione të tjera. Në intervistën që Miterrand i dha gazetarit, Aleksandër Furxhi në emisionin “Kapital” në “Vizion Plus” TV, ndër të tjera thotë: “Personazhi i Mbretëreshës Geraldinë në vitin ‘38-të, kur Europa po shkonte drejt tmerrit nga pikëpamja historike, për mua është një personazh pozitiv, e cila sjell një farë elegance, zemrën, mirësjelljen në një periudhë shumë të tmerrshme. Gjithashtu më bën shumë përshtypje që shqiptarët e kujtojnë mbretëreshën Geraldinë, ndërkohë që ajo ka qenë mbretëreshë vetëm për një vit. Geraldina ishte e bukur si një yll kinemaje. Ishte tmerrësisht e bukur, dhe kameramanët donin ta ndiqnin, siç mund të ndjekim sot artistët e kinemasë nëpër botë, e ndiqnin gazetarët dhe pas fundit të Monarkisë shqiptare, dëshironin të dinin ku ishte, ta filmonin, ta admironin, ekziston një pjesë adhurimi ndaj saj, dhe është e këndshme të shohësh në televizion diçka të tillë”.

Shkrimtarja dhe biografja franceze, Joséphine Dedet, e ka botuar dy herë në frëngjisht në Paris, monografinë e saj, “Geraldina, Mbretëresha e shqiptarëve” (Paris, 1997; shkurt 1912). Botimin e dytë e ka botuar në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të shtetit Shqiptar duke e pasuruar me kapituj shtesë. Në këtë botim ajo sjell gjëra të pathëna nga fëmijëria dhe rinia e Mbretëreshës, njohjen me mbretin Zog, 60 vitet në ekzil e deri te pasionet e veçanta sportive. Dedet e ka njohur personalisht Geraldinën dhe e ka takuar disa herë në Paris dhe në South Africa ndaj gjithçka që shkruhet në monografinë e saj për Mbretëreshën është reale dhe exluzive.

Krahas këtyre librave dhe dokumentarëve në Francë, historia e mbretëreshës dhe e mbretit shqiptar është pasqyruar edhe në qindra artikuj dhe intervista që janë botuar në revistat dhe gazetat franceze. Një informacion të detajuar jep studiuesi dhe përkthyesi i njohur me banim në Francë, Aurenc Bebja në librin e tij me titull, “Mbreti Zog dhe familja mbretërore në shtypin francez të kohës 1923-1952” (“Toena”, Tiranë, 2020).

 

Të fundit

Situata nga zjarret në Los Anxhelos mbetet e rrezikshme, 25 numri i viktimave

Miliona banorë të pjesës jugore të Kalifornisë po përballen me një situatë të re të rrezikshme të mërkurën. Autoritetet...

Paund digjital? Mbretëria e Bashkuar pritet të marrë vendim brenda dy vitesh

Banka e Anglisë ka njoftuar se vendimi nëse do të zbatohet një paund digjital nuk do të merret deri në vitin 2027. Në një...

Vizita në Mbretërinë e Bashkuar, Spiropali:Forcim i bashkëpunimit parlamentar

Me ftesë të Kryetarit të Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar, Sir Lindsay Hoyle, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, nisi sot vizitën zyrtare...

7 karakteristikat e njerëzve të pakënaqur nga jeta

Në jetë ka ngjarje që mund të na shkaktojnë dhimbje të madhe, trishtim apo zemërim të thellë. Të gjithë, herët a vonë do të...

4 banka ndërkombëtare udhëheqin Shqipërinë në marrjen e eurobondit, 600 mln € para marsit

Katër banka ndërkombëtare, me ekspertizë në proceset e emetimit të eurobondeve do të udhëheqin Shqipërinë në daljen në tregjet e huaja për të marrë borxh gjatë...

Lajme të tjera

Web TV