E rëndë/ Hipi në anijen gjermane për t’i shpëtuar luftës, 18-vjeçarja ukrainase përdhunohet nga dy burra

Për shkak të luftimeve të ashpra që po zhvillohen në Ukrainë, të shumta janë gratë dhe vajzat që janë detyruar të largohen nga vendi i tyre, por duke u bërë dhe pre e lehtë e abuzimeve dhe shfrytëzimeve seksuale.

Së fundmi, një refugjate 18-vjeçare nga Ukraina raportohet se është përdhunuar nga dy burra në bordin e një anijeje-hotel që Gjermania kishte vënë në dispozicion për evakuimet nga lufta.

E reja ka deklaruar se ishte përdhunuar nga dy burra njëri pas tjetrit, në anijen hotel “Oscar Wilde”, ndërsa pas denoncimit të saj dy burrat janë arrestuar, raporton e përditshmja gjermane “Bild”.

Anija raportohet se përveç klientëve me pagesë kishte marrë dhe rreth 25 refugjatë ukrainas që i largoheshin luftës në Ukrainë. Të larguarit nga Ukraina janë kryesisht gra e të moshuar dhe shqetësimet kanë qenë në rritje për mbrojtjen e tyre nga trafikantët njerëzorë që tentojnë t’i kthejnë në viktima shfrytëzimi.

Rasti është të paktën i dyti përdhunim i adoleshenteve ukrainase, pas arrestimit të një burri në javën e kaluar në Poloni, nën akuzë se sulmoi seksualisht një 19-vjeçare ukrainase që po i largohej konfliktit.

Burri 49-vjeçar u ndalua në Wroclaw të Polonisë në fundjavë pasi kishte joshur të renë me premtimet për ndihmë dhe tani përballet me 12 vjet burgim për krimin.