Bashkimi i PD-së/ Mbështetësit e Bashës nuk duan Berishën kryetar

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, teksa ka folur për bashkimin e demokratëve nuk ka toleruar kandidimin për kryetar të Sali Berishës. Ky i fundit si kundërpërgjigje i tha se demokratët kanë votuar atë dhe se do të futet në garë si çdo demokrat

Hyrja e ish-kryetarit Sali Berisha në seli blu, solli pakënaqësi nga përkrahësit e Lulzim Bashës. Por ndryshe nga 8 janari kur u tentua të futej me dhunë, këtë herë Berisha është futur si “triumfator”, duke pasur si “kartë hyrjeje” pikërisht vendimin e gjykatës. Menjëherë pas marrjes së vendimit të Gjykatës së Tiranës, Sali Berisha bashkë me deputetët e tij ka shkuar në selinë blu dhe pikërisht në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së Gazmend Bardhi. Në një tryezë të vogël, që i ngjante një cep kafeneje kanë diskutuar për bashkimin e Partisë Demokratike Sali Berisha, Alibeaj flasin, Albana Vokshi, Arbi Agalliu, Gazment Bardhi, Edmond Spaho si dhe Flamur Noka. Nga fotot që u servirën dukej se Berisha ka marrë në dorë frenat e Partisë Demokratike. Takimi ka qenë me shtrëngime duarsh, por më pas sërish palët janë ndarë në qëndrimet e tyre, pasi Alibeaj, kryetar i komanduar i PD kërkon largimin e Berishës nga e drejta për të kandiduar për kreun e ri të PD. Enkelejd Alibeaj ka thënë se bashkimi mes demokratëve duhet të ndodhë vetëm nëse ish-kryeministri Sali Berisha ndërmerr një akt dorëheqjeje, ashtu sikurse edhe ish-kryetari Lulzim Basha. Sipas Alibeajt nuk bëhet fjalë vetëm për moskandidimin e zotit Berisha në krye të PD, por për t’u mënjanuar nga gjuha e vrazhdë dhe futja e helmit në mesin e demokratëve. “Zoti Berisha s’ka qenë ndonjëherë anëtar i grupit parlamentar të PD, sepse konsituimi ka ndodhur në seancën e parë të parlamentit dhe ky është fakt. Kur themi grupi parlamentar, është ai që u njoh më 10 shtator. Është nevojë e aksionit politik, është nevojë e mënyrës, qasjes politike se si mundet të përballet regjimi. S’mund të përballet me regjim, duke pasur së pari non grata. Kjo është e qartë. Aksioni politik duhet të jetë real. Është nevojë e domosdoshme e ndodhur nga rregullat e moralit politik. Kjo ka treguar forcë, motive të brendshme. Bashkimi ndodh thjeshtë. Ndonëse para disa ditësh pretendohej se njëra anë e krizës është Lulzim Basha, ai e bëri aktin e tij, i mori të gjitha kusuret”, tha Alibeaj. Edhe pse jo të artikuluar tamam, Alibeaj e ka parë Berishën si të keqen e Partisë Demokratike. “Kështu do të duhet të ndodhë akti tjetër simetrik për të hequr elementët e krizës. Kështu njerëzit bashkohen rreth të mirës së tyre, të bëhen shumicë në publikun shqiptar. Edhe vetë zgjedhjet e 6 marsit kanë treguar, që një pjesë e mirë e publikut shqiptar që nuk është dakord me regjimin komunist të Edi Ramës, nuk kanë ardhur të votojnë për PD për këtë arsye. Përvoja elektorale dhe politike tregon pikërisht këtë gjë. Duhet të bëjmë maksimumin drejt këtij synimi. Bashkimi i brendshëm është një element. Dy anoda dhe katoda do të duhet të largohen që pjesa tjetër të jene të shëndetshme dhe ta rrezatojnë te pjesa tjetër e publikut”, tha Alibeaj. Por kryeministri Berisha nuk i ka kthyer një përgjigje të drejtpërdrejt Alibeajt sa i takon kandidimit, por ai tha se do jua lë anëtarëve, edhe pse nuk heq dorë nga kandidimi për të marrë frenat edhe një herë pas tetë vitesh të Partisë Demokratike. Berisha tha se pa diskutim do jetë pjesë e garës për kreun e PD, por se anëtarësia ka në dorë fatin e tij, siç merr në dorë dhe fatin e partisë. Ai ka ftuar çdo deputet, cilindo që të garojë dhe foli për një garë më të hapurën që ka ndodhur ndonjëherë. “Që të them se më detyron të përsëris përgjigjen…pa diskutim që unë do të jem, do të jem në garë të hapur dhe ftoj cilindo koleg, deputet, jo deputet që dëshiron të garojë, është i mirëpritur në një garë të hapur, të ndershme, me rregulla. Nga ana tjetër i ftoj ata që kanë ndërmend të kandidojnë, të formojnë ekipin, të përcaktojnë rregullat që dëshirojnë dhe i garantoj se do jetë gara më e hapur që ka ndodhur ndonjëherë. Por tani të themi që nuk mund të ketë, nuk vendos më Sali Berisha për veten e tij, vendosi 6 marsi, vendosën një lëvizje që filloi unike në llojin e saj, ku anëtarësia merr në dorë fatin e partisë, por anëtarësia merr në dorë dhe fatin tim”, tha Berisha. Ai foli dhe për një takim të grupit parlamentar, të të gjithë deputetëve dhe tha se aty duhet të jetë vendi i debatit mes demokratëve. “Ajo çka unë i sugjerova z. Alibeaj që grupi parlamentar të jetë institucioni ku të zhvillohet debati mes demokratëve. Edhe dje para gazetarëve këtë ngrita. Mendoj se ai ishte dakord me këtë, plotësisht. Natyrisht unë këtë e quaj si një hap të rëndësishëm në procesin e bashkimit të demokratëve sepse unë kam vlerësim për deputetët dhe për grupin parlamentar. A do ndodhë? Unë e quaj të mundshme që ndodh ajo. Deputetë janë, bashkë janë, të mblidhen”, tha Berisha.

Lexo edhe :  Blushi: Prisja dorëheqje masive sot

Bashistët mbahen me “non gratat” e Berishës

Në harkun e pak orëve nga vendimi i Gjykatës për të njohur statutin dhe vendimet e kuvendit të 11 dhjetorit, kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka dalë dy herë para medias. Së pari, për të komentuar vendimin e gjykatës, të cilin e konsideroi skandaloz. Në daljen e tij të dytë publike, Alibeaj foli për takimin me Berishën dhe Grupin e Rithemelimit. Ai tregoi bisedën me ish-kryeministrin, duke vënë në dukje sipas tij edhe vendimin ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Teksa Berisha kërkoi bashkim të demokratëve kudo ndodhen, kryetari i komanduar tha se bashkimi i PD do të ndodh vetëm me ata demokratë që nuk cenojnë vlerat dhe marrëdhëniet me SHBA dhe BE. “Skena të tilla si ato të 8 janarit nuk duhet të përsëritën më. Mendja e njerëzve të kësaj partie duhet të jetë e hapur dhe të jetë e hapur duhet të pranojmë realitetin dhe realiteti është bashkimi me ato vlera që nuk cënojnë marrëdhëniet me SHBA dhe BE dhe këto vlera nuk hidhen në votim”, tha Alibeaj.