Maqedonia e Veriut dëbon pesë diplomatë rusë

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut më 28 mars njoftoi se ka vendosur të dëbojë pesë diplomatë rusë.

Vendimi i është kumtuar ambasadorit rus në Shkup, Sergei Bazdnikin, i cili është ftuar të martën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

“Sipas informacioneve të marra nga organet kompetente, diplomatët rusë kanë kryer aktivitete që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike dhe do të duhet të largohen nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut brenda pesë ditëve të ardhshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, duke i dhënë mbështetje të plotë sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, ndërsa i është bashkuar edhe sanksioneve të Bashkimit Evropian duke mbyllur hapësirën ajrore për fluturimet nga Moska dhe anasjelltas./REL