Më mirë të pikturoj një pikturë që shihet një qind herë dhe hyn në kujtesë, se sa një mijë piktura që shihen veç një herë dhe përfundojnë në harresë.
Suela Brown
Nga Zhuljeta Grabocka Çina
Më shumë se një lajm hapja e ekspozitave e zhvillimi i veprimtarive artistike është oksigjen për mushkëritë pas pandemike të njerëzimit. Të lodhur nga marrëzitë luftënxitëse të kohës, fillimi i pranverës së këtij viti ushton si Simfonia e nëntë, në do minor e Beethovenit. Në praktikën muzikore perindimore, kjo simfoni është shembulli i parë i përdorimit të disa zërave në një simfoni korale. Fjalët, që këndohen janë marrë nga poema “Ode gëzimit” e Friedrich Schiller.
Modeli i i përpunuar i Beethovenit u bë “Himni i Evropës” i miratuar nga Këshilli i saj më 1972 e më pas më 1985 prej Bashkimi Europian.
Më shumë se lajmi i dhënies së çmimeve, në rastin e piktores shqiptare Suela Pulaha Brown me banim në Angli, unë çmoj atmosferën e pozitivitetit që ka pushtuar portale e masmedia me një reagim gazëllues.
Të jetuarit në kohë epike, kur “rendi i ri” na troket, ndiesia e bashkimit nën zë me vargun e famshëm të himnit europian: “Gëzimi është i mrekullueshëm…” na sygjeron të shohim diellin brenda nesh e ta kërkojmë kur nuk e kemi.
Suela nuk është vetëm piktore. Ajo është dhe poete.
Poezia e piktura, kanë priviligjin e komunikimit ndjesor të drejtpërdrejtë. Fjala dhe imazhi, krijojnë në tërësinë e tyre një mozaik tingjujsh e ngjyrash poetikë. Vargu në poezinë e Suelës i ngjan penelit të një akuareli, ku shkrihen të gjitha format ekzistenciale në rritmin e natyrshëm të ditëve, muajve e viteve. Natyrshmëria e kohësisë universiale thërret në apel të vërtetat artistike në kohë e vende ky shpirti i saj frymësohet mes Anglisë e Shqipërisë.
Në këtë rast nuancat, fibracionet e ekzistenciale nuk kanë nevojë për stisje të panevojshme figurative. Poezia është verb poetik, skeleti i saj mbushet plot finesë e delikatesë ndjesie, është kuarc zemre, që nuk çon drejt moralizimeve të thata, por fakton pa gjykuar pafajësinë e frymëzimit dhe na shpie drejt zgjidhjeve të hapura e diskutimit të lirë, siç ndodh rëndom në jetën tonë të vrullshme.
E tillë është poezia e Suela Pulaha Brown. Një poezi, kauzale, mozaik tingujsh, që nuk e lëshon lehtë nga duart, në turravrapin e përditshëm të jetës sonë moderne. E bindur në fuqinë e fabulës poetike, që sendërson fuqinë e botës shpirtërore të njeriut e natyrës. Sendërson fuqinë e verbit si një “Vështrim i oqeanit”, siç e thotë edhe titulli i vëllimit, prej të cili ravgon në thellësinë dhe horizontin e tij të pamatë.
U ndala tek poezia e saj, sepse për Suelën e vlerësuar me çmime të para në pikturë, në portretet femërore të divës së artit shqiptar “Perla”, Tefta Tashko Koço, dhe portretit tjetër “Mbretëresha Zheraldinë”, ajo nënvizon: “unë nuk pikturoj me ngjyra, por me mall për vendin tim. Suela ndihet mirë brenda stilit të saj klasik, nxënëse e shkollës së piktorëve korçare të traditës së Vangjush Mios e deri tek mësuesi i saj i pikturës Ilia Xhani. Ajo i jep penelit drithërimën e brendshme të ngjyrës duke luajtur bukur me detaje përfaqësuese historike e intime që dialogojnë e mbeten gjatë në memorjen e shikuesit. Në thjeshtësinë mbresëlënëse të dyja këto portrete kanë një botë të brendshme shpirtërore që shpaloset në bardhësinë e reve dhe në pafundësinë e ngjyrës së qiellit. (ngjyra e fustanit, sfondi etj.)
Ne artistët mbartim një dritë që jep shpresë, ne nuk mund të ndryshojmë botën. Për Suelën, kjo nuk do të thotë peshë e mos realizimit, por është thelbi i detyrimit mëmësor, i ripërtëritjes së gjeneratës së re në një shkallë më të lartë.
Në portretin dedikuar vajzës së saj, Suela Pulaha Brown “Anastasja, bija ime”, ka një përtëritje dehëse, sensualiteti pafajësor si tek Primavera e Botiçelit. Vështrimi, flokët, i gjithë profili ka një pagëzim hyjnor në yllësinë e Rrugës së Qumështit, ashtu si çdo nënë e botës ia dëshiron të lirë e të paqtë fëmijës së vet. Anastasja piktore, bijë e piktores përfaqëson përpjekjet realizuese të të gjithë fëmijëve tanë, në një botë që gazëllehet në “ode gëzimit”.
Nuk është hera e parë kur syri gruas rreh me madhështinë e shpirtit. Jemi shumë të vegjël për injoruar prezencën e saj!