Ka një propozim të ri në tregun e turizmit hapësinor. Ai u premton klientëve të tij të ardhshëm mundësinë e vëzhgimit të lakimit të Tokës dhe të zezës së hapësirës, të ulur rehat në një kolltuk, në një kabinë ultra luksoze që do të çohet në një lartësi shumë të madhe nga një tullumbace gjigante. Kompania që propozon këtë ofertë është Space Perspective, e cila së fundi tregoi imazhe të brendshme të kabinës së anijes kozmike për publikun dhe shpreson të fillojë lëshimet nga Qendra Kennedy në Florida deri në fund të vitit 2024. Më shumë se 600 bileta janë shitur tashmë në çmimi 125,000 dollarë secila.
Anija kozmike ka dritare të larta një metër e gjysmë, sedilje mbështjellëse dhe një sistem ndriçimi që prodhon drita me ngjyrë vjollce. Një bar i vërtetë dhe një lidhje interneti Wi-Fi do të jenë gjithashtu të disponueshme në bord.
“Tullumbacja me ajër të nxehtë” do ta mbajë anijen kozmike deri në një lartësi prej 30 kilometrash mbi nivelin e detit, një lartësi shumë më e ulët se ajo e konkurrentëve të saj, përkatësisht anija kozmike e Blue Origin që arrin afërsisht 105 kilometra, ose avionë raketash të Virgin Galactic që prekin 85 kilometra, por që në çdo rast shkon përtej lartësisë së fluturimit të avionëve ndërkontinental (rreth 11 kilometra).
Jayne Poynter, bashkëthemeluesja e Space Perspective shpjegon:
“Kur turistët të arrijnë 30 kilometra lartësi, ata do të jenë mbi 99 për qind të atmosferës së Tokës, gjë që do t’i lejojë ata të shohin hapësirën në ngjyrën e saj të vërtetë, pra të zezën, si bojë, si dhe do të jetë i mundur vëzhgimi i lakimit të Tokës”.
Oferta Space Perspective përfshin një përvojë “turizmi hapësinor” në bordin e një kapsule të pajisur me çdo komoditet, të transportuar në lartësi të mëdha nga një ‘tullumbace e madhe’.
Nuk do të kërkohet asnjë trajnim i veçantë për të hipur në anijen kozmike. Balona do të ngrihet me një shpejtësi maksimale prej rreth 19 kilometra në orë, kështu që udhëtimi do të jetë mjaft i gjatë për t’i lejuar turistët të shijojnë çdo moment të aventurës së tyre: Do të duhen rreth 2 orë për të arritur lartësinë maksimale dhe e njëjta sasi për të bërë zbritjen, e varur nga një parashutë, e cila do të përfundojë me një ulje në oqean. Gjatë kësaj eksperience nuk do të jetë e mundur të përjetohet mungesa e gravitetit, siç u ndodh qoftë edhe për pak minut, turistëve që përdorin mjetet Blue Origin ose Virgin Galactic gjatë udhëtimit të tyre.