Panik në aeroport, një predhë e pashpërthyer gjendet në valixhen e një pasagjeri (Video)

Panik në aeroportin kryesor të Izraelit pasi një familje amerikane është përpjekur të hipë në një avion me një bombë të vjetër, të pashpërthyer të cilën e kishin futur në bagazhin e tyre për ta marrë si suvenir.

Autoriteti i Aeroporteve tha se familja kishte udhëtuar në kodrat Golan të Izraelit verior, ku një nga fëmijët gjeti municionin dhe e mori me vete. Rajoni ishte skena e luftimeve të ashpra në Luftën Gjashtë Ditore të vitit 1967 dhe mbetjet e konfliktit, si minat tokësore dhe telat me gjemba, janë shpërndarë në zonë.

Në videot e shpërndara në rrjetet sociale mund të shiheshin pasagjerët nën panik në përpjekje për t’u larguar sa më parë. Autoriteti i Aeroporteve të Izraelit tha se një burrë u shtrua në spital me lëndime të marra ndërsa u përpoq të ikte. Autoriteti i aeroportit tha se familja u lejua të hipte në fluturimin e tyre pas një marrjeje në pyetje nga stafi i sigurisë.