Në seancën parlamentare deputetja e PD-së Grida Duma ka ngritur pikëpyetje për vetvrasjen e Ilvi Metës në Komisariatin e Kavajës. Nga ana tjetër Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u shpreh se ngjarja e rëndë është dokumentuar dhe i riu sipas tij është vetëflijuar, ndërsa ka pranuar se efektivët e proceduar nuk ishin të kujdeshsëm.
Gjatë seancës Parlamentare, deputetja demokrate Grida Duma është ndalur në ngjarjen e fundit që u shënua në qytetin e Kavajës ku një i ri u gjet i vetvarur në ambientet e komisariatit. Ajo gjatë seancës publikoi dy foto që sipas saj tregojnë një lidhëse që ngjan me atë të këpucëve ku pretendohet se ka vrarë veten i riu Ilvi Meta. Duma u shpreh se me një sy normal mund të kuptohet se një gjë e tillë vështirë se mund të ndodhë. Ajo tregoi se ka shkuar mbrëmjen kur ndodhi ngjarja në familjen e djalit ku është hasur me vajtimin e nënës dhe pretendimet e të atit i cili ka thënë se nuk ka mundësi që ai të ketë vrarë veten. “I ftoj kolegët e mazhorancës dhe opozitës me gjithë padëshirën për të bërë jetë parlamentare t’i hedhim një sy kësaj fotos këtu. Janë dy foto në Komisariatin e Kavajës me një lidhëse që ngjan me atë të këpucëve më shumë se lidhëse kapuçi që pretendohet se ka vrarë veten. Një sy normal nuk ka nevojë për ekspertizë për të kuptuar se zor se mund të ndodhë kjo. Këto janë provat e administruara. Sigurisht kemi qenë, do qëndrojmë gjithmonë përkrah drejtësisë dhe hetimit”, tha Grida Duma. Ajo ka dhënë edhe një arsye se pse është ndalur tek ky rast, duke mos paragjykuar punën e prokurorisë. “Ndaloj tek ky rast për një arsye edhe më madhore se zbardhja e të vërtetës. Sepse kam shkuar atë natë në familjen e djalit të vdekur në Komisariate dhe më e kobshme se sa vdekja në të gjitha humbjet e jetëve është një vajtim, sidomos i nënës dhe grave të familjes, por aty kishte pllakosur heshtja. Mpirja, mungesa e të vërtetës dhe trauma ishin më të mëdha se morti. Aty tek ajo familje përveçse ishte vuajtja e njerëzve të shkelur të cilët janë të paragjykuar dhe të gjykuar, pyeta për çfarë akuzohej djali, tha për një derë alumini, për vjedhjen e një dere alumini. Madje tha se e kanë dënuar disa herë për gjëra që nuk i ka kryer, madje është dënuar kur ka qenë tek motra në Greqi, e kishin bërë zakon tha, sa herë që ndodhte ndonjë vjedhje ordinere gjenin fajtorin tek ai. Mendoj se sa janë ata që nuk mbrohen dot”, tha ajo. Duma e ka mbyllur fjalën e saj me një shprehje për të treguar se të pambrojturit dhe të varfërit do të jënë në zbatim të forcës së ligjit. “Këtu po i rrëshqiti këmba të varfërit je i mbaruar”, u shpreh Duma.
Reagimi i Bledi Çuçit
Në seancën e djeshme në Kuvend, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i është përgjigjur deputetes Grida Duma pas fjalës së kësaj të fundit për vetëvrasjen e Ilvi Metës në Komisariatin e Kavajës. Akuzave të ngritura nga Grida Duma për mungesë të transparencës së kësaj ngjarjeje, Çuçi iu përgjigj duke theksuar se është e patolerueshme që të bëhet politikë me këtë ngjarje dhe që të abuzohet me viktimat. “Nuk bëhet politikë dhe nuk abuzohet me viktimat dhe të bëjmë këtu prokurorin gjyqtarin apo policin. Shpreh ngushëllimin tim për atë ngjarje fatkeqe. Është nga raste më të pastër sa u takon hetimit penal apo procedural. Jo vetëm kaq, por i kemi shkuar deri në fund sëbashku me agjencinë përkatëse. Nuk ka asnjë aludim që të hedhë dyshime për ngjarjen as nga prokurori as nga hetuesit as nga mjekët ligjore, madje meqë përmende edhe Avokatin e Popullit, për rastësi kanë qenë edhe dy përfaqësues të Avokatit të Popullit dhe ju ftoj të lexoni raportin, ku thuhet se dhomat janë në përputhje me standardet ligjore”, është shprehur ministri i Brendshëm. Ai i ka bërë thirrje që të mos i ngatërrojnë ngjarjet me politikën, ndërsa i ka këkruar Grida Dumës të kërkoj ngritje të hetimit parlamentar. “Ju bëj thirrje që të gjithë bashkë të përpiqemi dhe të largohemi nga kjo retorikë politikë. Nuk është e lehtë por nuk i shërben Shqipërisë një gjë e tillë. I ftoj të gjithë deputetët të bëjnë hetim parlamentar nëse nuk binden pas hetimeve të gjykatës. Më vjen keq që akuzoni rëndë struktura ta policisë së Kavajës sikur ata janë vrasës”, tha Çuçi.