Mars 1961/ Bashkimi Sovjetik, dashuri studentësh shqiptarë dhe bombat bërthamore

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Në librin e tij “Rusja e bukur Natalja”, botuar së fundi, Ylli Polovina rrëfen marrëdhëniet e ashpërsuara mes Shqipërisë dhe BRSS në fund të vitit gjashtëdhjetë dhe muajt e parë të 1961.
Në këtë sfond ngjarjesh reale, për lexuesin plot gjëra të panjohura deri tani, zhvillohen edhe historitë e dashurive të shumë të rinjve shqiptarë që në Bashkimin Sovjetik studionin për pilotë avionësh luftarake MIG.

Strehim antiatomik

Kishte rënë me kohë nata e thel!ë, kur Sergei, që sapo kishte dalë me Ninën në dhomën tjetër, hynë të veshur dhe u thanë se do të bënin një vizitë tek prindërit e Ninës, jo shumë larg prej andej. Ata të dy le të rrinin në shtëpi, se jashtë bënte ftohtë. Kastriot Leka u skuq. Gjithnjë ai do të skuqej, kur do të vinte ky çast. Rusët e kishin zakon që në një moment të caktuar të pasdites a mbrëmjes, sajonin ndonjë “vizitë” për ta lënë vetëm për vetëm vajzën me të dashurin e saj.
Sergei me të shoqen po iu thoshin se do të largoheshin për një vizitë dhe ata mund të bënin ç’të donin. Kastrioti ndjeu valën e re të nxehtit në fytyrë dhe nuk e deshi veten. Me këtë zakon liberal të rusëve kishte jo pak bashkëkombës të tij që kishin abuzuar. Por shpërdoruesit më të mëdhenj ishin ata që vendasit i quanin “demokratët tanë”, studentët e demokracive popullore të Evropës Qendrore. Sergei me të shoqen dolën e Natalja i përcolli deri tek deriçka e oborrit. Kur hyri ajo kish një ngjyrë të purpurt ndezur në fytyrë. Iu hodh në krahë dhe u puthën për një kohë që dukej e pafund. Kur përqafimi i tyre i gjatë dha shenjat e shkëputjes, flokët e Nataljes ishin krejtësisht të shprishura. Ajo u pa në pasqyrë dhe qeshi çpenguar. Pastaj iu hodh sërish në krahë Kastriotit.
Se çfarë po transmetonte televizioni ata e vunë re shumë, shumë vonë.
Në ekran panë një dhomë të çuditshme ose më saktë një dhomë tunel me disa oxhaqe. Atje kishte disa kostume kundërgaz e ca enë të tjera të sistemuara ftohtë e frikshëm. Kamera po tregonte edhe një qoshe të dhomës-tunel ku ishin grumbulluar disa shishe vere. U desh jo pak kohe që ata të kuptonin se përse po fliste spikeri i televizionit sovjetik. Ishte një emision mbi mënyrën se si duhej të mbroheshin njerëzit nga bomba atomike. Shtëpia e çuditshme, që nga jashtë dukej si sferë, qe një strehim antiatomik. Ata e ndoqën emisionin gjer në fund. Spikeri thoshte se nga një goditje bërthamore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e një kundërgoditje nga Bashkimi Sovjetik globit do t’i humbnin njëherësh, në pak minuta, rreth treqind milionë njerëz.
-Gjëra të frikshme – rënkoi Natalja – Po ndodhi kjo unë do të vij të rri me ty.

Dy ngjarje

Në ditët e para të nëntorit dy ngjarje tronditën shkollën e aviacionit.

1.
Në një orë të paradites u hodh nga dritarja e katit të tretë të konviktit, ku banonin shqiptarët, busti i Stalinit. Rexhep Mema, i cili pati ndodhur në dhomë nga që kishte pasur pak dhimbje koke, me të dëgjuar zhurmën, doli në korridorin e katit. Busti prej allçie kishte prodhuar një krismë bombe.
Ndoshta për arsyen se brenda ishte krejt bosh. Megjithatë shqiptari ia kishte dalë operacionit të tij. Pasi iu vërsul poshtë shkallëve, në katin e parë e pati mbërthyer njeriun që kishte hedhur përdhe bustin. Ky qe gjeorgjiani Ekvtime.
-Ptu! – e kishte pështyrë – E ke edhe nga vendi yt!
Ekvtimeja pati ngrirë me stërkalat e pështymës në fytyrë.
Ai qe i armatosur me pistoletë dhe kush kalonte aty afër u nemit. Por gjeorgjiani nuk e kishte hedhur dorën mbi armë. Ky bust që kishte flakur ishte i fundit dhe i vetmi në atë konvikt dhe në të gjithë shkollën. Ishte i studentëve shqiptarë dhe rrinte në dhomën e tyre të partisë. Deri tani ata nuk kishin lejuar t’ua prekte njeri, por edhe nga të tjerët respektohej ky pëlqim i shqiptarëve.
Tashmë njiheshin si mos kritikues të Stalinit. Siç duket autoritetet sovjetike të shkollës e kishin konsideruar tashmë të pa tolerueshme qëndrimin e mëtejshëm të bustit. Ai binte ndesh me kursin e tyre politik. Ata kishin tentuar ta hiqnin pak muaj më parë, por disa kursantë shqiptarë kishin kërcënuar me grevë urie dhe prandaj qenë tërhequr. Njëri prej tyre, ndoshta më i guximshmi, u kish thënë se e kuptonte sjelljen e miqve të tyre sovjetikë. Këta e kishin denoncuar Stalinin për krime dhe patën marrë vendimin publik për heqjen e busteve të tij. Por edhe shqiptarët duhej t’i kuptonin. Udhëheqësit e tyre mendonin ndryshe dhe studentët shqiptarë në këtë shkollë sovjetike aviacioni nuk duhej të dilnin kundër kursit të tyre. Ne nuk pretendojmë që bustet e Stalinit të mbushin auditorët dhe konviktet, ne duam ta mbajmë vetëm në dhomën tonë të partisë. Madje ne e quajmë atë si edhe ju, “Dhoma e Leninit” e për Vladimir Iliçin, si edhe ju, kemi respekt.
Kështu autoritetet qenë rikthyer pa realizuar vendimin e tyre. Ndoshta gjer në këtë çast, kur kishin dërguar Ekvtimenë. Fundi ishte më mirë që një gjeorgjianes të thyente kokën e një gjeorgjiani. Ekvtimeja kishte kohë që ishte larguar, kur aty mbërritën shumë kursantë shqiptarë dhe jo pak nga “demokratët tanë”. Në turmën e studentëve plasi një polemikë e madhe. Më i kudogjenduri ishte Aleksej. Ai thërriste: -Ku janë gjithë ata oficerë të lavdishëm të vendit tonë? Ku është Tukaçevski, ai hero? Ku janë ata teoricienë të mëdhenj si Kamenievi dhe Zinovievi, që i persekutuan me brutalitet, sepse donin lavdinë e shtetit të madh sovjetik? A mund të rrimë ne leninistët e rinj pa folur për kampet e tmerrshme të përqendrimit, ku u tretën rinia e shpresa e atdheut? Stalini është një kriminel i zakonshëm, ai është një huligan dhe këtë e di e gjithë bota. Atëherë përse duhet të jemi dogmatikë dhe pse duhet të mbrojmë dogmatizmin?
Kastriot Leka shihte copat e thyera të bustit dhe nuk i hiqte sytë prej andej. Stalini ishte shndërruar në një gjysmë hundë, diku një pjesë e ballit me një sy, më tej spaleta e djathtë e gjeneralisimit bashkë me një xhep të xhaketës ushtarake. Mustaqet rrinin ndarë më dysh duke marrë pas vetes edhe nga një pjesë buze. Kastriotit iu kujtua një libër për regjisorin francez Kokto, ku një film i tërë ishte xhiruar me bashkimin deri edhe absurd të pjesëve të ndryshme të një trupi njerëzor.
-Ky është një provokacion! Provokacion!
Zëri që thërriste ishte i sekretarit të tyre të partisë. Ai qe krejt i mavijosur prej zemërimit. Kastrioti më në fund i hodhi sytë nga Stalini i thyer dhe ndjeu se nuk kishte përse të bërtiste e klithte. Stalini?! Ai e donte komunizmin, por nuk e ndjente të afërt këtë njeri. Mbase nuk e donte. Ndoshta diku thellë qenies së tij rrinte buzagazi i të atit, me atë jakën e këmishës nxjerrë mbi xhaketë. Ndërkohë sekretari i partisë kishte hyrë mes kursantëve dhe po thoshte diçka. Dëgjohej qartazi vetëm fjala “shokë”. Duhej të shkonte atje. Më mirë bashkëkombësin e tij se rropamat e zërit të Aleksejit, i cili dukej se bërtiste edhe enkas për të. Ai po largohej e nuk vuri re se Maria, pastruesja e katit të tyre të konviktit, po mblidhte pjesët e shpërndara të bustit prej allçie dhe po qante heshtur.

2.
Ngjarja e dytë ndodhi ditën tjetër, pothuajse në të njëjtën orë. Në një nga “Dhomat e Leninit“ të godinës së konviktit ku më të shumtët qenë rusë, u gjet portreti i Hrushovit i goditur mbi tridhjetë herë me një armë sportive. Pas kësaj ngjarjeje të bujshme orët e mësimit u bënë më të shkurtra, disa leksione pothuaj nuk nisën fare e disa sa vetëm filluan pa shkuar kurrë gjer në fund.
Askush nuk e kishte mendjen në ato që thuhej e shkruhej në dërrasat e zeza. U hap me shpejtësi fjala se këtë punë e kishin bërë shqiptarët si përgjigje për thyerjen e bustit të Stalinit. Por në këtë kohë që mendohej se fotografia e Hrushovit ishte qëlluar me pushkë sportive, asnjë shqiptar nuk ishte parë aty rreth e rrotull. Megjithatë thashethemet e hamendjet zienin. U pyetën me radhë pastrueset, por ato pohuan se nuk kishin parë njeri me armë sportive të dilte nëpër korridor. Nuk kishin dëgjuar as krisma armësh. Të dërguarit e drejtorisë sqaronin se armët sportive pothuaj nuk bëjnë zhurmë dhe nuk po u kërkonte njeri të pranonin ekzistencën e krismave. Atëherë ato tundnin kokat dhe thoshin se sido që të ishte ato nuk kishin parë të huaj të hynte, përveç oficerit të rojës që u ishte hakërryer të mos fusnin njerëz brenda. U krijua një situatë e ndërlikuar. Shqiptarët u mblodhën grupe-grupe dhe ndiheshin të shqetësuar. Dyshimi se këtë gjest mund ta kishte kryer ndonjëri prej tyre ra shpejt. Fati që këmbëngulën se ai ishte ‘një provokacion sovjetik për t’i fajësuar si terroristë. Moska dhe Tirana kishin hyrë në një luftë tashmë të ashpër dhe aviatorët shqiptarë mund të gjendeshin pretekst për ta ashpërsuar edhe më këtë duel midis Enver Hoxhës dhe Hrushovit. Ndoshta edhe përgatitej justifikimi i ndonjë mase izoluese dhe represive ndaj Shqipërisë. Kursantët e asaj shkolle mund të ishin “gozhda” ku mund të varej “xhaketa”. Pasdite filluan t’i thërritnin një nga një në komandë.

Lexo edhe :  Arrestimi i Musine Kokalarit, intelektualja disidente e regjimit komunist

E papritur

Në ato ditë të fund dhjetorit kursantët e shkollës së aviacionit njoftoheshin se në qytet ishte hapur një ekspozitë për sëmundjet nga infektimi radioaktiv. Ajo vinte prej Leningradit dhe kishte disa ditë që shëtiste nëpër qytetet e mëdhenj të Bashkimit Sovjetik. Lajmërimi u bë me një bujë dhe zell të tepruar. U tha në auditor, u përsërit nga pedagogët, nga instruktorët, u fol për të në mensë, në rreshtimin e mëngjesit, në atë të mbrëmjes, gati në të gjitha urdhëresat dhe kujtesat që dilnin. Tani bisedat kishin krye temë këtë ekspozitë të papritur. Më në fund, përkrah afishes doli edhe një grafik vizitash. I stolisur me vija të kuqe e të verdha, shpjegohej se ndërtesa, ku ekspozita ishte vendosur, nuk i përballonte vizitat e njëhershme të asaj shkolle të madhe ndërkombëtare aviacioni. Prandaj do të bëhej me një radhë të caktuar. Për çudi të parët në këtë grafik qenë shqiptarët.

Ekspozita e sëmundjeve nga infektimet radioaktive

Një orë para se të niseshin për në ekspozitë mbërriti urdhri që bashkë me shqiptarët të shkonin dhe kursantët kinezë. Autoritetet e shkollës nuk dhanë asnjë sqarim përse kishte ndërruar plani i parë i tyre, por shumëkush e lidhi ngjarjen me përplasjet e fundit politike në kampin socialist.
Para ekspozitës rreshti i gjatë i kursantëve kinezë dhe shqiptarë ndenji një kohë të mirë sa të futeshin brenda. Nëpër korridore ata dëgjuan që ekspozitën ta thërrisnin muze.
Në ballë të godinës me germa të mëdha qe shkruar se ajo nuk ishte një ekspozitë për sëmundjet nga infektimi radioaktiv, por për kurimin nga to. Studentët i lexuan dhe i rilexuan fjalët qetësuese në hyrje, duke kërkuar të kuptonin misterin e të gjithë asaj thashethemnaje të përhapur në shkollë, ku ekspozita paraqitej si vend i tmerrit.
Dera vazhdimisht rrinte e hapur dhe prej andej dilnin herë pas here njerëz. Kursantët u a qepnin menjëherë sytë për të deshifruar frikë apo paqe në vështrimet e tyre. Disa çifte policësh i shihnin shqiptarët me bishtin e syrit dhe flisnin zë ulët me njëri-tjetrin. Më në fund shoqëruesi i kolonës, çifuti Bremen, doli nga ndërtesa e muzeut. Me të ishte edhe një njeri shumë i shëndoshë e që dukej tamam si fuçi birre. Pas pak rreshti i kursantëve futi kokën në ndërtesën masive dhe të gjithë shtangën. Disa makete njerëzish të djegur nga rrezatimi bërthamor ishin duke dhënë shpirt në pozicione nga më të ndryshmet. Qe një tkurrje e një kruspullosje trupash nga një dhimbje e llahtarshme. Rreshti i njerëzve provoi ndjenjën se kishte hyrë në gojën e
një ndërtese lubi. Pastaj lëvizi ngadalë si në një ngërç. Po hynin në një korridor të gjatë dhe gjysmë të errët. Maketet e njerëzve gjysmë kufoma nuk kishin të mbaruar. Në të vërtetë qenë manekinë, por të punuara kaq mjeshtërisht sa truri i gjithsecilit binte në grackën e përngjasimit me njeriun e vërtetë dhe kjo shkaktonte terror psikologjik. Nga kokat dhe gjokset e manekinëve derdhej vazhdimisht gjak, lëkura digjej, eshtrat shtrembëroheshin me një shpejtësi të tmerrshme, drita të mëdha ndizeshin e fikeshin si në makth për të imituar rrezatimin bërthamor. Rexhep Mema ishte bërë dyllë i verdhë. Tek hyrja e një salle të madhe ai i mbajti këmbët dhe kërkoi ujë. Në të vërtetë ujë po kërkonin edhe disa kursantë të tjerë.
-Na ka zënë sëmundja e gjakut – tha dikush.
Një tjetër mezi po mbante të vjellët. Si të kishte mbirë nga dheu, një nëpunës shërbimi u vërsul tek njeriu që po gulçonte dhe, pasi e kapi fort nga të dy bërrylat, ja uli kokën mbi një enë të rrumbullakët të vendosur në qoshe. ‘ Tek kinezët kishte plasur paniku. Një pjesë e tyre kishin dalë duke lëshuar disa thirrje në gjuhën e tyre si të kishin provokuar kataklizmin e përshkruar nga ungjilli. Me ta pati dalë edhe Palush Bardhoshi. Atij i kishte rënë të fikët dhe dy policë e kishin lënë jashtë në dëborë deri sa kishte ardhur në vete. Janaqi më kot thoshte “mos çani kokat, këto janë gënjeshtra”. Kastriot Leka mbahej, sidoqoftë. Kjo shkaktoi ngacmimin “ai nuk ka dalë kot në tabelën e nderit”. Po hynin në sallën qendrore. Atje ishte imituar shpërthimi bërthamor. Në çdo faqe muri kishte nga një shpërthim të tillë. Të dukej vetja se ishe në një vend të zhveshur e të pambrojtur nën mëshirën e shpërthimeve të pafund të bombave atomike.
-Bomba! – thirri me një zë të ngjirur Rexhepi.
Ai po tregonte një sferë të madhe që rrinte në mes të sallës. E rrethuar nga parmakë elegantë të mbajtur nga zinxhirë të hollë e që shkëlqenin nën ndriçimin e katër shpërthimeve të mëdha që rrethonin vizitorin. Shumica iu afruan me kujdes armës bërthamore. Ishte një maket i bombës atomike të hedhur në Hiroshima. Disa zgjatnin duart dhe i mbështetnin mbi sferë.
-Janaq, na bëj një fotografi! – tha me zë disi të holluar Bujar Andoni.
Janaq Papa në fillim nuk kuptoi asgjë.
-Vërtet, na bëj një fotografi – përsëritën disa zëra.
Kursantët u gjallëruan dhe nisën të shihnin njeri tjetrin në sy. Rexhep Mema ia shkrepi të qeshurit. Vështrimet kërcyen edhe mbi të, pastaj u larguan sepse e kuptuan se shoku i tyre po përdorte të qeshurin për të zbuar edhe gjurmën e fundit të llahtarit nga bomba.
-Më qafsh, Janaq, një pozë! – thirri Palush Bardhoshi.
U krijua sa hap e mbyll sytë një pështjellim gazmor dhe Janaqi hoqi aparatin nga supi. Të gjithë u turrën rreth Bujar Andonit, trupi i madh i të cilit shërbeu si direk për t’u mbështetur të tjerët.
Bomba e madhe mbeti pas shpinës së tyre.
-A ja vutë mirë bythët, djem? – thirri Bujari.
-I vumë, i vumë – u përgjigjën të gjithë mes të qeshurave.
– Jepi tani Janaq!
Ky tashmë kishte zënë këndin e përshtatshëm që të fuste pamjen sfiduese antiatomike të shqiptarëve, vuri aparatin në sy dhe tha në mënyrë ceremoniale:
-Shikoni këtu, tek xhaxhi!
Dhe e shkrepi.

Përvjetori i Ushtrisë së Kuqe

Ishte më 23 shkurt 1961. Ai u festua me pompë të madhe. Pasdite u rreshtua e gjithë shkolla dhe gjatë fjalimit të tij, midis të tjerash, Smirnovi tha “Forcat e Armatosura të Bashkimit Sovjetik janë forca zhdukëse”. Pas ceremonisë u dha një film për armën bërthamore sovjetike. Shqiptarët nuk vajtën. Të rregullt në rreshtim për shfaqjen ata dhanë justifikimin ‘Filmat janë punë qejfi”.

Të fundit

“Kam interes të luaj me Eglin”/ Gjesti bën deklaratën e fortë: Më interesojnë klikimet…

Teksa ishin duke bërë debat me njëri-tjetrin Aldo i kthehet Gjestit duke i thënë: Ti je fallso, ti je imitim....

Kina i përgjigjet CIA: E pamundur që Covid-19 të ketë dalë nga laboratori

Kina pretendon se është e pamundur që virusi që shkaktoi pandeminë Covid-19 të ketë dalë nga një laborator kinez. “Përfundimi shkencor (…), i arritur nga...

Zjarr i madh në bashkinë e Parisit

Një zjarr i madh shpërtheu në orët e para të së hënës (27/1) në bashkinë e qarkut 12 të Parisit. Në videot e publikuara në internet,...

E rëndë në burgun e Reçit, i burgosuri 35-vjeçar i jep fund jetës

Sandër Deda, 35-vjeçar, i burgosur në burgun e Reçit, është vetëvarur. Shtetasi në fjalë, sapo është vënë re nga punonjësit e burgut, është transportuar për...

Psikologjia/ Një metodë e pagabueshme për të mësuar më mirë!

Këshilla që ndokush dëshiron t'u japë atyre që duhet të japin provim është gjithmonë e njëjta: filloni herët, mos e kufizoni veten në minutën e fundit ! Por...

Lajme të tjera

Web TV