Alibeaj mesazh Berishës para Mike Pompeo-s: Ka humbur busullën, PD vetëm krah SHBA-ve

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kreu i Grupit Parlamentar Enkelejd Alibeaj teksa ka folur në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënies diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së, është shprehur se historia e Shqipërisë me SHBA, në njëfarë mënyre paralelizohet me marrëdhënien e posaçme që SHBA ka mbajtur me Partinë Demokratike.

Marrëdhëniet e PD-së me SHBA për Alibeajn janë shprehje e qartë e orientimit perëndimor të Shqipërisë. Vetë PD sipas tij, që prej krijimit është produkti më madhor i kësaj ngjizjeje ndërmjet ShBA dhe botëkuptimit dhe orientimit pro-perëndimor të shqiptarëve.

Alibeaj ka pasur edhe një mesazh për Sali Berishën, që e lexoi para Ish-sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo. Alibeaj ndonëse jo duke përmendur emrin e Berishës tha se ende sot njerëz që kanë humbur busullën e që duan t’i tregojnë rrugën Amerikës.

Sipas tij këto njerëz kanë humbur rrugën në oborr dhe duan t’ia humbin rrugën edhe Shqipërisë.

“Nuk do t’ia dalin. Nuk do t’ia dalin sepse kanë kundër shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe historinë e tyre mbi 100 vjeçare.” u shpreh Alibeaj.

Për Alibeajn në një marrëdhënie të tillë partneriteti dhe vlerësimi në favor të shqiptarëve, Shqipëria dhe Partia Demokratike kanë vetëm një rrugë patriotike: të vazhdojmë të jemi në krah të SHBA.

Kujtojmë se ambasadorja Yuri Kim u shpreh se SHBA do të ndërpresë marrëdhëniet me Partinë Demokratike nëse Sali Berisha i shpallur non grata vjen në krye të kësaj partie.

Nga ana e tij Ish-sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka thënë gjatë fjalës së tij në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënies diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së se kjo miqësi e mirë do të vijojë edhe prej shekujsh të tjera.

Ai tha se Shqipëria dhe SHBA kanë bërë një punë të mirë në luftën kundër terrorizmit, ndërsa shtoi se në 30 vitet e fundit janë bërë përpjekje reale për rrënjëzimin e demokracisë. Sipas Pompeos, nuk ka rëndësi se cili është në pushtet, por e rëndësishme është të zhbëhet korrupsioni dhe konsolidohet liria e demokracia.

Fjala e Alibeaj:

Si për të gjithë ju, ashtu dhe për mua është kënaqësi e veçantë që jemi mbledhur sot, e të celebrojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Mikut të vyer, dhe të ftuarve iu përcjell përshëndetjet më të përzemërta në emër të Partisë Demokratike, e cila vlerëson pa asnjë lëkundje marrëdhëniet që Shqipëria ka me SHBA-në.

Ekzistenca formale e shtetit shqiptar u vulos në 28 korrik 1922, kur Sekretari i Shtetit Charles Evans Hughes autorizoi komisionerin për Shqipërinë Maxwell Blake t’i dorëzonte ministrit të Jashtëm Pandeli Evangjelit, njoftimin me shkrim për njohjen de jure të Shqipërisë nga SHBA. Në fakt, realisht njohja e Shqipërisë nga SHBA, kishte ndodhur kohë më parë, atëherë kur Presidenti Wilson kundërshtoi copëtimin e shtetit shqiptar sipas ujdive të arritura nga fuqitë e tjera.

E pra, historia e shtetit tonë, që në fillesë është shenjuar prej ndihmës dhe mbrojtjes së ShBA. Pas natës së errët 45 vjeçare të diktaturës komuniste, ripërtëritja e kësaj marrëdhënie ndër të tjera përkon edhe me lindjen e Partisë Demokratike. Historia e paskëtajme e Shqipërisë me ShBA, në njëfarë mënyre paralelizohet me marrëdhënien e posaçme që ShBA ka mbajtur me Partinë Demokratike.

Marrëdhëniet tona janë shprehje e qartë e orientimit perëndimor të Shqipërisë. Vetë PD që prej krijimit të saj është produkti më madhor i kësaj ngjizjeje ndërmjet ShBA dhe botëkuptimit dhe orientimit pro-perëndimor të shqiptarëve.

Qasja e SHBA ndaj Shqipërisë mund të përmblidhet në një togfjalësh: ndihmë dhe mbështetje. Ndihmë dhe mbështetje në çdo hap dhe sektor të rëndësishëm. Ndihmë dhe mbështetje me rezultate të prekshme. Mbështetje haptazi dhe fjalë të thëna troç në çdo situatë. Edhe pse ndonjëherë mund të jemi lënduar në moment, nga fjalët e thëna troç, kemi kuptuar që ndihma ka qenë e sinqertë. SHBA na kanë ndihmuar, duke na qenë në krah, në sfidat tona për të kapërcyer tranzicionin, për të forcuar shtetin e së drejtës dhe për të ndërtuar ekonominë e tregut. Çdo shqiptar është dëshmitar, dhe njëkohësisht mirënjohës, për të gjithë ndihmën që SHBA na ka dhënë ndër vite.

Lexo edhe :  Platforma globale ‘Plug and Play’ në Tiranë, Veliaj: Regjistroni falas fëmijët

E përkundër kësaj, qasja e Shqipërisë dhe e PD veçanërisht, ndaj SHBA, duhet të përmblidhet po ashtu në një togfjalësh: luajalitet dhe mirënjohje. Luajalitet dhe mirënjohje sepse PD beson se ndihma dhe mbështetja, e dhënë me bujari dhe dashamirësi, afron Shqipërinë me vlerat themelore të demokracisë funksionale, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, dinjitetin njerëzor dhe ekonominë funksionale.

Luajaliteti dhe mirënjohja kërkojnë edhe sinqeritet. Të jem i sinqertë, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA ka patur edhe periudha jo të shëndetshme. Ka patur edhe ngërçe. Shkak për këto ngërçe kanë qenë kryesisht paaftësia jonë për të kuptuar, ndonjëherë edhe refuzimi për të pranuar, e pastaj për të vënë në jetë në politikën shqiptare, vlerat mbi të cilat funksionon shteti i së drejtës, demokracia dhe fuqia e votës në vendin mik, në SHBA. Mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, pushtetarët e korruptuar, ata që kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten kërcënimi më i madh ndaj partneritetit tonë me SHBA.

Edhe sot ka ende të tillë. Ka njerëz që kanë humbur busullën e që duan t’i tregojnë rrugën Amerikës. Kanë humbur rrugën në oborr dhe duan t’ia humbin rrugën edhe Shqipërisë. Nuk do t’ia dalin. Nuk do t’ia dalin sepse kanë kundër shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe historinë e tyre mbi 100 vjecare.

Shqiptarët janë të vetëdijshëm, e po ashtu falenderues, se nga partneriteti me ShBA, të fituarit e mëdhenj janë shqiptarët. Ne e dimë që ShBA e kanë vlerësuar gjithmonë miqësinë shqiptare, dhe shqiptaret jo rastësisht renditen sot si një ndër popujt më proamerikanë. E kjo marrëdhënie e shkëlqyer ka dhënë dhe frutet e veta. Në 100 vite, ShBA u dhanë shqiptarëve 2 shtete të pavarura. Asnjë lëvizje çlirimtare kombëtare shqiptare nuk ka bërë dot sa ShBA për Shqipërinë. ShBA kanë folur, ndihmuar, dhuruar dhe garantuar lirinë shqiptarëve, ngado ku janë, më shumë se të gjitha lëvizjet kombëtare të marra së bashku. Ndër të fundit është mbështetja për anëtarsimin në NATO. E ne shqiptarët i jemi mirënjohës SHBA për këtë mbështetje.

Në një marrëdhënie të tillë partneriteti dhe vlerësimi në favor të shqiptarëve, Shqipëria dhe Partia Demokratike kanë vetëm një rrugë patriotike: të vazhdojmë të jemi në krah të SHBA.

Partia Demokratike është sot më e kthjellët se kurrë, se ajo Amerikë që vulosi suksesin e lëvizjes demokratizuese të vendit në fillim të viteve 1990, vetëm besimi te vlerat e demokracisë që ajo përfaqëson, do të mund ta nxjerrin Shqipërinë nga kurthi i politikës së korruptuar dhe të dështuar të tranzicionit. Ne duhet, ne mundemi dhe do e nxjerrim Shqipërinë nga tranzicioni politik, korruptiv, kaotik, i tejzgjatur, që po vret përditë shpresat e shqiptarëve, që po largon të rinjtë e intelektualët, që po plak dhe po mpak popullsinë në Shqipëri. Ne do të dalim nga ky tranzicion. Dhe kjo jo vetëm si shpresë. Kjo do të ndodhë! Sic historia ka treguar, kjo do të ndodhë edhe falë mbështetjes së SHBA.

Në emër të Partisë Demokratike ju falenderoj nga zemra për të gjithë mbështetjen e dhënë, me besimin se e ardhmja do të jetë edhe më e mirë. Për Partinë Demokratike nuk ka asnjë mëdyshje se partneriteti ShBA-Shqipëri dhe ShBA-PD është i blatuar dhe buron në lidhjen mes dy popujve dhe si i tillë mbetet i paprekshëm per çdo administrat e në çdo kohë.

Falemnderit dhe gëzuar këtë përvjetor jubilar!

Të fundit

Qindra lëkundje tërmeti në dy ditë, mbyllen shkollat në ishullin më të njohur të Greqisë

24 orët e fundit kanë qenë shqetësuese për Greqinë. Konketisht për ishujt Santorinit dhe Amorgos të cilët janë lëkundur...

OJF-të në Shqipëri do të kontrollohen për terrorizëm dhe keqpërdorim fondesh

Shqipëria ka përcaktuar kontrollin e Organizatave jofitimprurëse edhe përkundër mundësisë së të qenurit të tyre aktivitet me keqpërdorime. Praktika është bërë e ditur përmes...

Pasojat janë të rënda, Kanadaja hakmerret pas vendimit të Trump për tarifat

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka vënë në jetë premtimin e tij për vendosjen e tarifave të gjera për mallrat nga Kanadaja, Meksika dhe...

Netanjahu niset në Uashington: Trump mund të riformojë Lindjen e Mesme

Kryeministri izraelit Netanyahu u nis sot për në Uashington, ku do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në Uashington, DC të martën. Lajmi...

G Bani i shpreh pëlqimin, Danja: Këtë situatë mbaje ti mbi supe…

G Bani ka shprehur pëlqim për Danjën, situatë e cila u diskutua këtë mbrëmje. I pyetur gjatë Primes, banori ka pranuar se ka krijuar...

Lajme të tjera

Web TV