Nga Bujar Meholli
Ndër vite ka pasur shkrimtarë që nuk kanë dashur të ekspozohen në publik, kanë lënë krijimet e tyre të flasin. Bruno Traven është njëri nga ta. Emri dhe vendlindja e vërtetë nuk i dihen. E gjithë biografia e tij është objekt diskutimi. Romani “Anija fantazmë” është kryevepra e tij, por kush ishte në të vërtetë Bruno Traven? Traven ishte vetëm njëri nga pseudonimet e shumta që përdorte ky autor misterioz, aventurier dhe revolucionar. Biografia e tij është shumë interesante; ajo ka ngjallur dhe ngjallë vazhdimisht debate ndër historianë e studiues të cilët janë përpjekur ta zbulojnë sekretin që qëndron prapa identitetit të tij. Por, shumica pajtohen se Traven ishte Ret Marut, aktori dhe anarkisti i larguar nga Evropa. Traven ishte tip që vazhdimisht ikte nga ekspozimi, preferonte ta linte punën, gjegjësisht romanet që të flisnin dhe t’i shfaqnin idetë e tij. Dëshira e madhe që kishte për të ruajtur privatësinë dhe anonimitetin dëshmohet edhe nga pseudonimet e shumta që përdorte për ta maskuar identitetin. Disa nga to ishin: Ret Marut, B. Traven, Torsvan e Hal Croves. Ret Marut-i që mishërohet me Travenin, ishte aktor gjerman që më vonë do të përfshihej në politikat anarkiste, duke redaktuar po ashtu revistën anarkiste “Der Ziegelbrenner”. Ret Marut tingëllon çuditshëm, emër ireal; disa supozojnë se është anagrami i fjalës gjermane “traum” për ëndrrën; në mitologjinë e vjetër hindu “marut” është perëndia e vetëtimës që godet e shkatërron pemët në pyje.
Disa studiues thonë se vendlindja e tij është në qytetin Schwiebus në Poloninë e sotme. Bruno Traven është autor i dymbëdhjetë romaneve dhe disa tregimeve të shkurtra me subjekte aventureske dhe gjithmonë me qëndrimin kritik ndaj kapitalizmit. Marut-i mori pjesë aktive në kryengritjen bavareze të vitit 1919 si censor i shtypit borgjez. Pas shkatërrimit të Lëvizjes së Këshillit, do të rishfaqet më vonë në Meksikë në fillim të viteve ’20 ku me emrin Traven do të shkruajë romanin “Anija fantazmë” i cili pa asnjë dyshim është një ndër romanet më të mira të shekullit XX, kritikë e mprehtë sociale, ironi e hollë e shfrytëzimeve shtazore ndaj punëtorëve, mungesë lirie e veprimi, shkurt: pasqyrë reale e realitetit të nderë socio-politik të kohës. Libri u botua në vitin 1926 dhe u bë bestseller ndërkombëtar, kurse më 1934 u botua edhe në versionin anglisht. Romanet e tij u bënë të njohura edhe për shkak të biografisë misterioze dhe instinktit të autorit për të mbetur anonim. Një anarkist që iku nga situata politike në Evropë dhe u vendos në Meksikë ku shkroi romanet e tij. (?) Traven-i e konsideronte Marksin radikal dhe përçmonte izolimin e sindikatave të punës. Sikurse viti i lindjes, ashtu edhe ai i vdekjes nuk është i saktë. Disa thonë se Traven-i ka lindur më 23 shkurt të vitit 1882, disa të tjerë më 3 maj të vitit 1890, ndërsa vdekja e tij mendohet të ketë ndodhur në vitin 1969 kur ai ishte 87-vjeç në Meksiko Siti. Te romani “Anija fantazmë”, marinarit amerikan, personazhit kryesor, i duhet të përballet me zyrtarët burokratë, policët e konsujt që nuk kujdesen për punëtorët pa dokumente, gënjejnë e manipulojnë në emër të rregullit dhe ligjit. Ai dëbohet vazhdimisht pa u marrë parasysh, flaket tej si i padëshiruar kudo. “Historia më e mirë moderne e detit që kam lexuar. Ishte e tmerrshme, fantastike dhe e vërtetë” shprehet shkrimtari James Hanley, kurse Lincoln Colcord nga “New York Herald Tribune” thotë se “ky libër nuk është vetëm histori deti, por është një sfidë në botën moderne”.“Anijen fantazmë”, kritikët e vlerësojnë për fuqinë hipnotike, universalitetin dhe origjinalitetin e saj. Ata e krahasojnë letërsinë e Traven-it edhe me Gork-in. Traven-i u botua dhe u lexua me entuziazëm e madje edhe u nominua për çmimin “Nobel” por anonimiteti i tij ishte gjithmonë problem, edhe pas vdekjes. Si rrëfimtar, është shumë i talentuar. Pikëpamjet e tij janë radikale; ai ishte anarkist, antikapitalist dhe antikomunist. Letërsia e tij bën pjesë te ato letërsi që nuk vdesin kurrë. Siç thotë historiani dhe gazetari Bruce Catton “romani i Travenit është befasues, paraqet tmerret që mund t’i ndodhin një burri në botën e pasluftës në Evropë… në një botë që është çmendur”.
“Anija fantazmë” ka një ambient të mërzitshëm/monoton, ku servohet ushqim i varfër dhe ku Traven-i me humorin e zymtë përshkruan në detaje shqetësimet e marinarit amerikan. Secili në anije u bindet rregullave të ashpra. Por, si u katandis marinari në këtë anije të frikshme me emrin “Jorik”, e cila kishte origjinë të dyshimtë dhe pronarët e vërtetë të saj mbeteshin të fshehur prapa certifikatave dhe provave false? Marinari nga Orleansi i Ri që ka ardhur në Belgjikë me anijen “Tuskaluza” që bartte pambuk, ku punonte, mbetet në qytetin Anversë, pasi që kishte shëtitur qytetin dhe ishte futur në një pijetore ku e kishte zënë gjumi. Kalvari i tij fillon kur anija niset pa të dhe ai mbetet fillikat pa asnjë dokument. Megjithëse në fillim mendon se do t’ia dalë të futet në ndonjë anije tjetër dhe të kthehet në shtëpi, ai do të ndodhet para një xhandari belg i cili ia kërkon dokumentet. Këtu fillon rrugëtimi i vështirë i marinarit amerikan që vërtitet sa në njërin shtet në tjetrin, duke u maltretuar e shfrytëzuar nga shoqëria e egër kapitaliste, kundër së cilës ishte vendosmërisht Traven-i. Përmes tragjedisë së këtij amerikani, në sfond shfaqet historia e mijëra punëtorëve që punonin në marinë dhe që shfrytëzoheshin mizorisht, midis periudhës mes dy luftërave, duke u mashtruar dhe grabitur.
Nga Belgjika, marinari do të rropatet në Francë, Gjermani, Holandë e Spanjë me rrezikun për ta burgosur çdoherë, meqë ishte pa dokumente, pa identitet. Për të shpëtuar merr emra dhe kombësi të ndryshme. Ndërkohë kërkon të gjejë punë për të mbijetuar, këtë e gjen te anija “Jorik”, kapiteni i së cilës ia ofron dhe instituti i marinarit – pranim i punës që të ofrohet. Nga marinar, bëhet kaldajist. Dhe këtu fillon tmerri i vërtet për të. “Joriku” është anije e padëshiruar. Ajo përbëhet nga makineritë e dështuara, ndryshku, dhe ekuipazhi i saj është çdoherë në zvogëlim sepse punëtorët hidhen në det kur nuk mund ta përballojnë më skllavërinë, ata nuk kanë dokumente, rrjedhimisht s’mund të gjejnë punë tjetër kund sepse s’mund të dalin më nga “Joriku”. Pronarët nuk investojnë pothuajse asgjë, megjithëse dikur kjo anije ishte krenare për produktet e rëndësishme që bartte; tashmë ajo lundron për në brigjet e Lindjes së Mesme duke shkarkuar dhe ngarkuar municione të paligjshme.
Vetëm penda e Traven-it di t’i përshkruajë aq detajisht vuajtjet dhe shfrytëzimin që u bëhej punëtorëve aty, mes tyre edhe marinarit amerikan që tashmë mban emrin e rremë Pipip. Pipipi do ta gjejë një mik me të cilin t’i ndajë vuajtjet bashkë, ai është Stanislavi nga Polonia. Gjersa e shfletojmë librin dhe shohim apatinë e kapitenit të “Jorikut” i cili nuk i sheh si njerëz punëtorët e tij, rritet urrejtja ndaj personave të tillë dhe shfrytëzimeve të çfarëdo lloji.
Fare lehtë vërehet edhe urrejtja e madhe e autorit ndaj kapitalizmit, të cilin e sheh si Qesarin modern. Përmes ironisë së hollë ai shfaq haptas urrejtjen kundër gjakpirësve kapitalistë. “Gladiatorët e kohës së sotme po të përshëndesin, o Qezar, o kapitalizëm! Ne vdesim mu në mes të zhulit, aq të rraskapitur, sa nuk jemi në gjendje t’i hedhim as dhe një grusht ujë fytyrës. Ne ngordhim për bukë, sepse shoqëria duhet të kursejë për t’i bërë ballë konkurrencës. Vdesim në heshtje e në mjerim për ty, o Qezar. Ne s’jemi askush, po ama jemi më besnikët e tu, ata që ti s’ke nevojë t’u paguash pension”, shkruan Traven-i. Penda e këtij anarkisti misterioz hyn në fondin e artë të spektrit të letërsisë aventureske me nuanca politike dhe protestuese; kemi të bëjmë me një autor që thur mjeshtërisht narracionin, përshkrimet i ka shumë të gjalla, portretizimi që ia bën shoqërisë burokratike i shëmbëllen letërsisë gogoliane, kurse humori i zymtë përzierë me kritikën socio-politike, Traven-in e përafron me letërsinë brechtiane.