Kreu i Partisë Demokratike ka thirrur shqiptarët në protestë edhe nëpërmjet një spoti të publikuar në media ku thekson “Zgjohu shqiptar, mos thuaj çmë duhet mua…”. Ndërsa drejtoritë arsimore nga ana tjetër kanë dhënë urdhër që mësuesit më 7 korrik të jenë në punë, pavarësisht se prej disa ditësh kanë marrë pushimet verore.
Kryetari i Partisë Demokratike e ka marrë seriozisht protestën e 7 korrikut. Vetëm pak ditë na ndajnë nga kjo datë dhe kreu i PD, së ka intensifikuar takimet me grupet e interesit madje duke parashtruar programin qeveritar kur të vijnë në pushtet, ku një ndër pikat ishte edhe për dhënien e pasaportës shqiptare për të gjithë kosovarët që e duan atë. Një tjetër premtim që është më gjithëpërfshirës për emigrantët është se nuk do të ketë zgjedhje pa votën e emigrantëve. Ditën e djeshme, Partia Demokratike ka trasmetuar një spot publicitar ku ju ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që janë të pakënaqur nga Qeveria të marrin pjesë në protestën e 7 korrikut. Ajo që theksohet në spot është protesta kundër rritjes së çmimeve. Në spot tregohet si reagojnë qytetarët me indiferencë përballë problemeve të të tjerëve dhe më pas përballen vetë me pasojat e kësaj sjellje. PD i bën thirrje qytetarëve shqiptarë të reagojnë pasi Shqipëria i duhet çdo shqiptari. “Zgjohu shqiptar, mos thuaj ç’më duhet mua. Shqipëria i duhet çdo shqiptari. Mblidhemi më 7 korrik”, thuhet në spot. Deputeti demokrat, Belind Këlliçi theksoi ndër të tjera se do të jetë surprizues numri i pjesëmarrësve. Teksa renditi problemet, që sipas tij, po rëndojnë sot mbi shoqërinë shqiptare, deputeti Këlliçi theksoi se në protestë do të vijnë edhe shqiptarë që jetojnë jashtë dhe që kanë prerë tashmë biletën. “Jam i bindur që numri do të jetë i madh. Ka shumë njerëz që kanë prerë biletën dhe po vijnë për të protestuar, sepse edhe pse jetojnë jashtë, kanë familjet këtu dhe rritja e çmimeve ndjehet edhe tek ata. Do kemi surpriza. Rreth ditës së martë apo të mërkurë mund të kemi shifra konkrete. Kjo protestë duhet të na bashkojë të gjithëve”, tha Këlliçi.
Kushi urdhër për mësuesit
Deputeti i PD-së Luçiano Boçi ka publikuar mesazhin që i ka dërguar një mësuese, ku thotë se janë urdhëruar që të shkojnë në punë më 7 korrik, dita e protestës së thirrur nga opozita. Boçi shkruan se Rama e di mirë se ç’domethenë kjo protestë, ndaj është sulur me hordhinë e tij me bllokime e kërcënime. Sipas tij, mësuesit e qytetarët në datën 7 do jenë në bulevard. “Tmerri që vjen nga protesta. Rama e di mirë se ç’domethënë protesta e 7 Korrikut. Tmerri e paniku ndaj saj është i prekshëm. Për ta penguar atë ai nuk përdor thjesht ndryshimin gënjeshtar ditor të çmimit të karburantit. Ai e di që joshja nuk mjafton. Ndaj është sulur me hordhinë e tij me bllokime e kërcënime. Këtë po bën me mësuesit. Megjithëse zyrtarisht ata janë me pushime urdhërohen nga drejtuesit të paraqiten me forcë në shkollë, kundër çdo ligji e kodi dhe sidomos të jenë prezent në datën 7 Korrik. Por e ka kot! Mësuesit e qytetarët në datën 7 do jenë në bulevard”, shkruan deputeti Luçiano Boçi.