Ekzistencializmi në poezinë dhe prozën e Moikom Zeqos

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Fatmir Minguli

Kur të analizosh krijimtarinë e Moikom Zeqos nuk mund të rrish pa përmendur një nga dukuritë më delikate të letërsisë që ai krijoi, atë të ekzistencializmit.
Nuk është vetëm letërsia e tij ku ai shfaqet me disa lloj formash për sa i përket zhanreve por edhe vetë jeta e tij ishte nën një lloj autondikimi ekzistencialist. Kjo formë ndikimi e ka shoqëruar shkrimtarin e madh Moikom që në fillimet e tij poetike, sepse poezia qe motorri që u ndez i pari në shpirtin dhe mendjen e tij.
Që në fillim do të përmend një fakt nga jeta e tij se si ky ekzistencializëm vepronte pa dijeninë e tij, ishte i padukshëm për vetë Moikomin.
Në librin e ndaluar “ Brenda vetes” ose “Peshku me krahëza fluture” për botim në vitin 1974 ku sebep ishte poezia “hermetike” për De Radën ku thuhej:

Mbi plagët e Milosaos, si mbi plagët autobiografike
shtrëngon gishtrinjtë e reshkët De Rada
në pragun e poemave shqipe
rri gjaku parathënës poetik i Milosaos

Ky libër u botua po në 1974 çuditërsisht në Kosovë nga Rrahman Dedaj nën kujdesin e Anton Pashkut. Moikomi e mori vesh ekzistencën e këtij libri vetëm në vitin 2006. Ekzistonte dhe nuk ekzistonte.
Ndërsa ekziatencializmi jetësor i Moikomit mund të vërehet në dy etapa të mëdha ku secila etapë përmban dy të tjera brenda tyre. E para etapë është krijimtaria e Moikomit nga vitet ‘60 deri në vitet’90 dhe e dyta është ajo e pas ‘90-s. Brenda etapës së parë shihet një ekzistencializëm, një vetë mosbesim për sa shkruante dhe kjo vazhdoi deri në vitin e keq të 1974- s kur ai pësoi dënimin për hermetizëm në poezi.
Në hermetizmin e tij jetonte ekzistencializmi:

Kryqi i metaltë
lartësohet në majë
si një udhëkryq që s’të çon
gjëkundi.

ose

Në detin e Durrësit pegasi i muzgut
pi mijëvjeçarët prej kripe
ja trikëmbëshat -elektrovinxha tundin
të varur veten time.

Ai sa e donte Durrësin po aq e kuptonte se Durrësi nuk e donte atë. Ky ështe një stërmundim i madh që ai e reflektoi denjësisht në librin emblematik “Grishja e Florimontit”. Kjo ishte dhe zanafilla e ekzistencializmit të Moikomit e që nuk i u nda gjithë jetën. Pikërisht në këtë libër ai kërkon veten e tij duke shkruar si për vete:
“…Florimont, Florimont, shihe veten në pasqyrë, nëse nuk sheh dhe fytyra të tjera atëhere nuk është dhe fytyra jote në të.”
Në etapat e para ai në poezinë e tij iu drejtua me guxim simboleve dhe metaforave duke i përdorur ato në kuadrin e një hermetizmi që ishte i domosdoshëm për kohën e para ‘90- s. Por ai ishte njëkohësisht dhe ekzistencialist në kuptimin më të thjeshtë që i jepte ai vetë se ishte poet por nuk po kuptohej, se ishte modern, por po kritikohej. Ky ekzistencializëm u përforcua në krijimtarinë e tij pas dënimit fatkeq nga partia e asaj kohe.
Por edhe pas ‘90 kur krijimtaria e Moikomit mori krahë të rinj, ai përsëri mbeti ekzistencialist duke iu drejtuar mistikës në format më të ndryshme. Librat “Syri i tretë”, “Në kërkim të njeriut”, “ Princërit e mistikës” etj, ishin hyrje në botën ekzistencialiste të këtij mistiku të madh. Edhe pse e quante veten mistik panteist ai ishte përsëri brenda normave të një shoqërie intelektuale pa politikë. Nuk ka se si spjegohet ndryshe mosdëshira e tij për promovime të librave të tij. Mendoj se është rast unikal për shkrimtarët e sotëm që të mos promovojnë librat e tyre. Për të kishte rëndësi vepra e tij, dalja në dritë e veprës së tij, prandaj ai shprehet:
“Me problemet e ekzistencës merret letërsia dhe artet. Nga kjo pikpamje letërsia ka përparësi sepse mund të trajtojë dilemat njerëzore sidomos ato të ekzistencës. Pse ekzistojmë? Kush është thelbi i njeriut?…”
Ky është dhe qëllimi final i gjithë asaj krijimatarie pa kufi të Mokim Zeqos.
Nëse përmenda se edhe pas viteve ‘90 janë dy nën etapa të ekzistencializmit të Moikomit do thoja se periudha e parë është ajo mistike e cila shkon deri në periudhën kur ai filloi të botojë kolanën 12 vëllimshme me poezi “Miscellanea”. Mbas botimit të tyre ai hyri në fazën më të rëndë të ekzistencializmit të tij, fill mbas pushimit nga puna nga sistemi politik. Kjo është faza më e vështirë e ekzistencializmit ku pjesa teorike dhe ajo praktike e këtij ekzistencializmi krijuan një hibrid brenda qenies së Moikomit.
Në ato vite ai shkruan: “Shkrimtari vdes fizikisht. Por ai vdes më përfundimisht, më fatalisht dhe tërësisht kur vepra e tij nuk lexohet më. Kjo është e padyshimtë dhe kryesore. Kujtesa e emrit të shkrimtarit është rileximi në hapësirë dhe në kohë. Rileximi është sekreti i mbijetesës. Një sekret i ndërlikuar dhe i pushtetshëm…
…Kjo nuk kuptohet sa duhet se përbën një ambiguitet, ose një dyzim.”
A nuk është ky një konfirmim i ekzistencializmit që vetë ai e pranon, vetë fryma mistike e tij?
Edhe në kohët më të vështira të viteve të monizmit ai ka shkruar poezi ku tejkalonte shumë caqe të normave letrare të njohura e të panjohura:

Një Eol mizor më mblidhte në thes
tërë frymëmarrjen time, rebele.

Në një libër të Sulejman Matos, gjejmë një analizë të tërthortë për këtë lloj ekzistencializmi. Ai sjell këtë poezi si më poshtë:

O, t’i jetosh epokat e pajetuara
të tejkalosh mundësinë, si ide dhe realitet
Pa kuptimet e fjalëve nuk vijnë më tek unë
si anijethyer e një Malte në det.

Ai, Moikomi nuk ia ndalonte vetes fluturimet edhe ato më futuristiket e përsëri mblidhej në vetminë e tij, në pritje të asaj që mund të ndodhte, një shqetësim që nuk iu nda për një kohë të gjatë. Nuk ishte frika aspak ajo që e trembte sepse ai e dinte fare mirë se pushtetet politike rrëzohen dhe poezia e vërtetë qëndron, edhe kur mohohet. Gjithsesi edhe pse entuziast për idetë e tij të shprehura në poezi gjatë dekadave ai në brendësi shihte dyzimin e vetes së tij:

Mbase letërsia
është kufomë
në prishje e sipër.

Mbase jam pirati,
që kurrë s’e gjeti limanin
vetëshqyer në kripë.

Se u ngatërruan yjet
e organizuar pabesisht
nga një hy i çakërdisur.

Në fakt për këto ndërhyrje ekzistenciale në kritikën letrare është folur duke i marrë këto figura lertare si simbolika dhe metafora moikomiane, të veçanta. Por këto simbole dhe metafora dalin jashtë kuptimit të tyre konvencional, sepse ato me dashje apo jo tangentohen për nga ekzistencialja. Moikomi ka qenë tepër i shqetësuar për jetën njerëzore dhe kërcënimin që i vjen njerëzimit. Por ai i bën kujdes dhe e ndien thellë këtë rrezik dhe në poezitë e tij fut luftën filozofike të ekzistencializmit njerëzor.
Këtë luftë pak më vonë e pikërisht pas viteve 2000 ai e përdor dëndur në prozën e tij të shkurtër apo të gjatë.
Duke e parë ekzistencializmin e Moikomit edhe në sferën globale, është hapësira dhe koha ku ai luan me dashje e shpesh pa dashje me këtë ekzistencializëm.

Lexo edhe :  Gazetari Roland Qafoku promovon librin "100 personalitetet më të spikatura të Skraparit"

Muzgpikëllilim im
rëndon mbi planetin pa gjeografi
thyen pasqyrat e hënta të prillit.

Kuptohet se figurat poetike tejkalohen në poezinë globale të Zeqos, atje ku mega metafora kthehet në një amebë gjigante që prek skaje të paskajshme atje ku lindja është perëndim, ku jugu ngatërrohet me veriun, ku rracat nuk përbëjnë thelb ndrysheshmërinë midis tyre, e ku metaforat vetëkthehen në ekzistencializëm.
Kur pas vitit 1990, Moikomi filloi të botojë librat e me prozë mbizotëronte mistika e tij dhe ai përpiqej ta fuste atë mistikë brenda kuadrit ekzistencialist, pra të ishte mistik dhe të dyshonte nëse ishte mistik. Në librin “Gjumashët e Efesit” ai shkruan:
“E nëse gjeni ndonjë ditë ndonjë të cakërdisur, krejt të ndryshëm nga të tjerët, me një ndricim të syve inteligjentë, plot mosbesim dhe dëshpërim të rreptë, që nuk përgjigjet, por vetëm pyet, që ende e ruan aftësinë e habitjes, atëhere ndiqeni pas, është një nga të paktit, lexues të vërtetë të botës..”
Dhe disa herë vetë Moikomi e ka shkruar se shkrimtari është lexuesi dhe lexuesi është shkrimtari.
Ai ndoshta ndjek dhe idenë e Bodlerit se “ Bota i kënaqet privilegjit të pakrahasueshëm për të qenë vetevetja dhe e huaj…”
Ndërsa në librin “Shitësit e kaosit” ekzistencializmi i Moikomit merr forma të tjera, ndryshe nga ato të mistikës, sepse është një ekzistencializëm më konkret, më i prekshëm dhe i kultivuar në mjedisin shqiptar. Brenda këtij kaosi Moikomi futet dhe vetë duke sjellë për herë të parë tregimet e llojit “Non finita”- të papërfunduara. Kjo bëhet me qëllim sepse ai fut të kundërtat brenda një tregimi apo eseje, ku lexuesi të futet thellë në idetë që Moikomi shpalos. Dhe të kundërtat realizojnë ekzistencialen, pohimin dhe mohimin, pasigurinë dhe dëshirën për të dhënë subjektin e papërfunduar. Dhe gjithçka ndodh në unin e shkrimtarit.
Një nga pjesët më të fuqishme ku Moikom Zeqo dallohet si ekzistencialist është studimi mbi Migjenin ku për herë të parë sjell të vërtetat ekzistencialiste të veprës së Migjenit. Ai thotë për Migjenin se tërësia e tij e ka emrin “ankth ekzistencial” ku ngërthehet dilema “Ç’jemi ne?”
Eshtë një ngjashmëri mes ekzistencializmit të dy këtyre shkrimtarëve, por secili në mënyrën e vet e në kohën e vet. Dhe ja në vitin 2012 vjen “Libri i sinopseve” që unë në një analizë timen këtë libër e kam quajtur “ankthi i ekzistencës”. Edhe pse me shkrime ndryshe në llojin e sinopseve ai paraqet figura personazhesh që jetojnë mes dyzimit si te “ Dy personazhe në një” dhe “ Personazhet A.B,C”. Dyzimi është në këtë libër si një kërkesë për transformim të vetes nëpërmjet personazheve, dhe shumica e tregimeve ka subjekte nga Bizanti dhe jo vetëm nga Bizanti, çka tregon një lloj ankthi përvëlues dhe filozofik të ekzistencës reale të autorit. Po kështu ky ankth ekzistencial gjendet dhe te libri “Eunukët ëngjëllorë”.
Ndërsa në vazhdim të dy librave që përmenda më lart ku Moikomi tangjencialisht takon ekzistencializmin në librin tjetër të tij “Blici i ëngjëjve” shkruan drejt për drejtë:
“Dhe habitem me veten, pra ekzistoj”…. ku shpreh ekzistencilaizmin shumë planësh si njeri, si poet, si studjues e analist. Në çdo libër të tij ka gjithmonë një “farëmbjellës” shenjë e optimizmit të lindjes së diçkaje të re, që përkon me ekzistencializmin e tij, që ai kishte si bashkëudhëtar të shpirtit.
Duke i quajtur prozat e tij metafizike ai po vetë e përcakton këtë metafizikë si inkandeshente, përvëluese e ekzistencialitetit, e dilemave, e ngulçit, e kundërvënieve titanike, e mendimit dhe kundërmendimit, etj. Mendjemadhësia dhe mediokriteti në letërsi nuk e njohin ekzistencializmin dhe Moikomi e ka shtjelluar disa herë në intervistat e tij të veçanta këtë problem si për vete ashtu edhe për shkrimtarët shqiptarë. Ai e konsideronte shkrimtarin si rebelin heretik të thirrjeve të mëdha të brendshme. Nga ky shqetësim mbi dilemat, mbi mungesat e qenies, ai bën lojën e letërsisë duke u pozicionuar herë si lojtar, e herë si spektator i kësaj loje. Këto tendenca ai i shfaq në librin e tij “Në kërkim të njeriut”.
Në këtë libër ai vjen me formën e katërt të ekzistencializmit të tij, ajo që e ka munduar vazhdimisht, mungesën e paraleleve në letërsinë shqiptare me letërsinë botërore ndër shekuj, atë letërsi që frymohet pikërisht nga pikëpyetjet e mëdha të njerëzimit dhe jo për letërsinë lineare, aq të zakonshme në kohët tona.
Këto janë katër format që mbart letërsia e Moikom Zeqos për gjatë të gjithë veprave të tij.
Në intervistën “ Letërsia si çështje ekzistenciale” ku analizohet libri i tij “Vetullat hyjnore”. ai shkruan mes të tjerave se qëllimi i subjekteve absurde apo drejt apokalipsit gjeografik është nxjerrja esenciale e idesë së një ekzistencializmi me kostum kombëtar shqiptar të letërsisë, një apokalips shoqëror.
Vepra e Moikom Zeqos është e gjallë. Vetë ekzistencializmi i tij është “farëmbjellës” për ne. Te ekzistencializmi i tij shoh mundësitë e bërjes së shkrimeve apo librave të tjerë që për ide dhe motive kanë vetë jetën ekzistenciale të Moikom Zeqos. Ky është dhe thelbi i veprës së tij. Në këtë aspekt të ekzistencializmit mund të shihet fare mirë një nga temat e krahasueshmërisë së ideve të personazheve kryesorë në romanin “Pse” të Sterio Spases, me “Njeriu pa cilësi” të Robert Musil dhe “Obllomovi” të Ivan Goncarov. Eshtë një temë studimore shumëplanëshe mbi personalitetin ekzistencialist të personazheve të këtyre romaneve.
Moikomi jeton akoma me veprën e tij duke na frymëzuar për punë serioze jo vetëm në letërsi. Kritika e specializuar mbase duhet ta shohë më hollë këtë dukuri të veprës dhe të vetë jetës së Moikom Zeqos.

Të fundit

‘Google Maps’ zbardh misterin e një vrasje njëvjeçare, imazhet ‘nxjerrin zbuluar’ autorët

Autoritetet spanjolle kanë zbuluar një mister vrasjeje njëvjeçare me një asistencë të papritur nga Google Street View. Policia Kombëtare arrestoi...

Mandarinat shqiptare të bllokuara në BE, Resuli: Dy pesticide të rrezikshme!

Presidenti i Urdhrit të Veterinerëve Ervin Resuli i cili një ditë më parë bëri publik skandalin e mandarinave shqiptare të bllokuara në BE tha...

Përplasje në Kuvend/Noka shtyn Shehajn nga foltorja dhe i hedh telefonin në tokë: Mu hiq!

Përplasje në Kuvend mes Flamur Nokës dhe Agron Shehajt. Largohu mos më detyro të flas më shumë, je bërë klouni i veliajt këtu. Hapuni çuna, nuk...

Berisha mbetet “non grata” në SHBA: Nuk jam këtu për të diskutuar të shkuarën

“Nuk jam këtu për të diskutuar të shkuarën. 5 nëntori u dha përgjigje këtyre. Kjo është administratë që ka humbur”. Kështu u përgjigj kryetari...

Ligji i gjuhëve të huaja në RMV, Dimitrevski: Nuk preket marrëveshja e Ohrit

Zoran Dimitrevski, zëvendës ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka vizituar Korçën, ku ka shprehur mirënjohjen për 80-vjetorin e...

Lajme të tjera

Web TV