Ka dalë në qarkullim fjalori enciklopedik ushtarak shqiptar

Nga Qendro Zotaj

Fjalori Enciklopedik Ushtarak Shqiptar (FEUSH) është hartuar nën drejtimin e prof. Hasan Çipuri (kolonel në pension) dhe dr. shk. Kudret Mita (kolonel ne pension). Ky fjalor është përgjithësimi i punës shumëvjeçare për përpunimin, shqipërimin, normëzimin, standardizimin dhe kodifikimin në serinë e fjalorëve disagjuhësh e shpjegues të terminologjisë ushtarake të gjuhës shqipe.
FEUSH-i është fryt i mendimit shkencor të një grupi të madh autorësh e bashkautorësh nga të gjitha fushat dhe specialitetet ushtarake. Ai përmban rreth 5200 zëra enciklopedikë, ndër të cilët 1000 zëra jetëshkrimorë dhe rreth 250 ilustrime.
Hartimi i FEUSH-it është përpjekja e parë madhore e grumbullimit dhe sistemimit të njohurive në fushën ushtarake dhe e paraqitjes së tyre në një formë të përmbledhur. Në të përfshihen zëra të thjeshtë nga përkufizimet në madhësinë e një fjalie të vetme deri në trajtimet e gjera të koncepteve dhe dukurive ushtarake.
Në zërat për tematikën teoriko-ushtarake është trajtuar gjendja e doktrinës dhe e shkencës ushtarake shqiptare. Këtu zënë vend edhe problemet e ndërtimit dhe të organizimit të FA në etapa të ndryshme historike etj.
Tematika historiko-ushtarake trajton historinë e luftërave dhe të artit ushtarak shqiptar, duke filluar nga lashtësia e deri në kohën e sotme. FEUSH-i përshkohet nga karakteri kombëtar shqiptar me shtrirje në të gjitha trojet shqiptare: Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni, Greqi dhe diasporë.
Tematika e gjeografisë ushtarake trajton zëra për vendet e dëgjuara në veprimet luftarake, për vendbanime të njohura të lidhura me ngjarje ushtarake të rëndësishme, për ndikimin e faktorëve gjeografikë dhe të dukurive atmosferike në veprimet ushtarake etj. Artikujt tekniko-shkencorë përfshijnë sistemet e armatimit e të teknikës, llojet e armëve, modelet dhe klasifikimet e tyre, përfshirë edhe modelet e armëve të prodhuara në vendin tonë.
Në zërat jetëshkrimorë janë përfshirë personalitete ushtarake, mbretër e princër të trevave iliro-shqiptare me veprimtari të theksuar në fushën ushtarake, prijës e udhëheqës të njohur popullorë, komandantë të çetave atdhetare e luftëtarë të shquar në lëvizjet, kryengritjet dhe luftërat e popullit tonë për çlirim e bashkim kombëtar gjatë gjithë historisë. Këtu përfshihen në radhë të parë oficerë madhorë të ushtrisë shqiptare ose me prejardhje shqiptare brenda ose jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, që vlerësohen për ndihmesat e tyre ushtarake kudo ku kanë shërbyer, si dhe pjesëmarrës të dalluar në luftërat për liri të popujve të tjerë. Vend të rëndësishëm zënë edhe ato figura që krijuan e udhëhoqën formacionet ushtarake në Luftën ANÇ, si anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm (SHP) të UNÇSH, drejtuesit e njësive partizane në shkallë brigade e lart, anëtarët e shtabeve të Ballit Kombëtar e të Legalitetit dhe komandantët e forcave ushtarake nacionaliste. Pas Luftës së Dytë Botërore janë përfshirë kuadrot me kontribut të veçantë në Ushtrinë Shqiptare.
Si përfundim, FEUSH-i pasqyron mendimin teoriko-ushtarak dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë deri në fund të shekullit XX. Në FEUSH janë përfshirë edhe zëra të përpunuar në përshtatje me zhvillimet në ushtrinë tonë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, si dhe zëra të rinj që pasqyrojnë mendimin teorik ushtarak bashkëkohor dhe që lidhen kryesisht me anë të veçanta të zhvillimit të mendimit e aftësive ushtarake, me çështje të sigurisë ndërkombëtare, rajonale e kombëtare, me probleme ushtarake të ligjeve dhe të konventave ndërkombëtare, të operacioneve paqeruajtëse etj. Një vend i veçantë i është rezervuar trajtimit të zërave nga fusha e doktrinës dhe e terminologjisë së NATO-s.
FEUSH-i u botua nga Shtëpia Botuese “IWA BOGDANI” në Prishtinë me ndihmën financiare të ofruar nga Ardita Mita, Besian Mita dhe Ardian Çipuri.

Lexo edhe :  Yiyun Li dhe Barbara Demick mes autorëve të listës së gjatë të çmimit Baillie Gifford

*ish-ushtarak