(Mbresa nga një takim promovues në Durrës i librit “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë.”)
Nga Fatmir Minguli
E ku mund të ketë udhëtuar një nënë çame në këto vite! Kudo – do të thonte dikush. Ndoshta edhe në Dubai, aty ku shumë “ shqiptarë “ e kanë kthyer Dubain si vend pelegrinazhi por jo fetar. Dikush tjetër do thonte se nëna çame do të ketë udhëtuar në Shtetet e Bashkura të Amerikës apo diku afër saj, në Kanadanë e bukur. Dhe me të drejtë!
Jemi tridhjetë e një vjet në një kohë pasmoniste dhe kufijtë janë hapur, me viza apo pa viza. Por për ku ka udhëtuar nëna çame aty nga vitet pas 1995!
Këtë e mësova pikërisht te Tosi i Barit që bën pjesë në trekëndëshin e Bermudes, sepse janë dhe dy klube rreth e qark të cilët aty në rrëzë të urës së Dajlanit krijojnë këtë trekëndësh ku grumbullohen doganierë, udhëtarë, rojet e portit, peshkatarë e kalimtarë të rastit.
Këtë udhëtim të nënës çame e mësova nga Veseli, një nga bisnesmenët e parë durrsakë me origjinë nga Çamëria. As që do të mësoja këtë histori sa misterioze aq dhe delikate po të mos flisja pë librin e Selman Shemes me titull “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë”.
-E di ti nga është mëma ime? – më pyeti Veseli.
-Nga Filati – iu përgjigja unë, thjeshtë duke u nisur nga një lloj intuite e çastit.
-Po – u hodh Veseli – por jo tamam nga Filati, por pak më tutje, nga Muzhaka.
-Ooou, Muzhaka – thërrita unë – po, po është një ndër fshatrat e shkallës së Zorianit, rreth 12 kilometra larg qendrës, në juglindje të Filatit. Sipas autorit Selman Sheme pas pushtimit grek, pjesa më e madhe e popullsisë emigroi në Shqipëri dhe në Turqi. Fshati kishte dy luturi, mullinj uji dhe shtatë dyqane shërbim.
Po të tilla informacione m’i dha dhe Veseli dhe filloi të më tregojë peripecitë e një udhëtimi aventurë e këto ia tregonte më pas e ëma.
Do të çonte nënën e vet pikërisht në Muzhakë, pikërisht në shtëpinë ku ajo kishte jetuar…do ta çonte pa tjetër!
-Do ta çoja patjetër – thëriste gati me esklamacion ai. Edhe pse nuk e dinte greqishten mori me vete një shokun e vet që dinte greqisht e bashkë me nënën dhe dy vajzat dhe mbas disa peripecive në kufi ia dolën mbanë.
-Udhëtimi drejt Igumenicës e më pas drejt Filatit ishte i jashtëzakonshëm – tregon Veseli – sepse dinim ku ishte Filati po nuk dinim ku ishte Muzhaka. Në qendër të Filatit, miku i Vesleit takoi një djalë dhe i kërkoi të na tregonte se ku ishte rruga për të shkuar në Muzhakë.
Ai, gati si i çuditur, mori një copë letër dhe vizatoi me shenja konvencionale rrugën se nga do të kalonim. Duhet theksuar se në këtë situatë, Veseli ishte krejt i shqetësuar sepse kishte hallin e memës, e cila gati dridhej nga një ndjenjë e çuditshme dhe shikonte si e hutuar, shikonte se ç’po ndodhte rreth e qark. Kishte ardhur në një vend që ishte vendlindja e saj, ishte një tokë që ishte e saj, po i afrohej një fshati që ishte fshati i saj.
Po ku ishte ky fshat i saj!?
Veseli duke ngarë makinën shikonte si i hutuar herë rrugën e pafund, herë gurët anës rrugës deh here herë ndonjë shtëpi të vetmuar anë e tej asaj hapësire pa kufinj.
Kuptohet se ishte Veseli ai që mbante mbi shpatulla dhe brenda në shpirt atë siklet të madh tashmë të shumëfishuar. Ishte mëma e tij tek rrinte e heshtur në sedilen e mbrapme bashkë me mbesat e saj që ishte pamja më direkte e sikletit shpirtëror të Veselit, e më tej…ishte ideja e pashmangshme për të parë shtëpinë e të parëve të tij.
Nuk kemi të bëjmë me një tentativë aventureske, shkurt për të kërkuar një shtëpi inekzistente,jo, kemi të bëjmë me kërkimin e faktit të trashëgimisë shqiptare në Shqipërinë e Jugut apo në Epirin e Poshtëm. Një shtëpi në Çamëri, një shtëpi në ShqipërI asgjë më ndryshe.
Veseli duke ngarë makinën shqetësohej se nuk po shihte as edhe një lloj shtëpie gjatë gjithë asaj rruge të gjatë. Ku ishte Muzhaka? Ku ishte shtëpia e të parëve të tij? E të pyeste të ëmën, ishte e kotë. Ajo, atëhere kur i larguan me forcë nga toka e tyre ishte e re në moshë e tani e strukur në qoshe të sediles së makinës nuk fliste! Ajo vetëm ishte e fikësuar, e frikësuar në tokën ku kishte lindur!
Kjo pamje e tmerronte Veselin i cili filloi të dyshonte te fjalët e ati jdajli që bëri dhe skicën në atë cope letër, atë letër që Veseli e mbante përpara mbi korskodë sikur të ishte pergamen egjiptian që do ta çonte drejt piramidës së Keopsit.
Edhe pse veseli e kishte në krah shokun e tij të besës, përsëri ndjenja e pasigurisë e shqetësonte duke i dhënë një lloj angushtie.
O zot! I kishte dhënë fjalën mëmës së tij që do ta çonte në shtëpinë ku ajo qe bërë nuse dhe i gjithë ky udhëtim kishte vlera edhe pse kishin kaluar gjithë ato tunele në rrugën për në Igumenicë, gjithë ato kilometra rrugë ku bardhësia të vriste sytë.
Por më shumë se bardhësia monotone e stërgjatur e shkëmbinjve anës rrugës, Veselin e gërryente krimbi i mos besimit. Mosbesimi për të arrtur në tokën e premtuar, në shtëpinë e mës së tij.
Tek dëgjoja rrëfimin e Veselit më kujtoheshin tregimet reale të shkrimtarëve durrsakë me origjinë çame si Namik Mane që shkoi në Koskë, një fshat edhe ky si vendbanim rural i gjeohapësirës së Filatit, apo shkrimtari Kadri Ali që shkoi në Paramithi e kështu mund të përmend shumë shkrimtarë të tjerë durrsakë me origjinë came.
Por le të kthehem te udhëtimi i vështirë nënës çame në kërkim të shtëpisë së hershme të saj.
Pikërisht në momentin kur Veselit i kishin humbur tërë shpresat për të kapur sinoret e fshatit të dashur Muzhakë, në momentin kur durimi i tij po i afrohej fundit, para makinës u shfaq figura e një burri të moshuar. Dukej se ishte nga ato anë. Një frenim i fuqishëm i makinës e trembi burrin por shoku i Veselit, ai që fliste greqishten aq rrjedhshëm zbriti me të shpejtë dhe mbasi u përshëndet me atë burrë të bëshëm i kërkoi t’ i tregonte rrugën për te shtëpia sipas adresës që i kishte dhënë Veseli. Ai burrë nuk lëvizi as edhe qerpikun duke thënë se nuk dinte gjë..për çudinë e të gjithëve u dëgjua zëri I nënës së Veselit që zgjati kokën nga dritarja e makinës që tha “Shabani”.
Befas, si një çudi, burri i bëshëm u drodh, hapi krahët, filloi t’ i lëvizë anash e djathtas. Ishte kthyer në një njeri tjetër…
O zot! Filloi të flasë shqip!
-Shabani… po… o…. Shabani… O zot!
Ai u tregoi rrugën dhe ndiqte makinën nga mbrapa. Veseli e ngiste makinën me ngadalë duke e ndjerë veten në një lloj gjendje absurd. A ishte e vërtetë që po shkonte te shtëpia e premtuar!? A ishte e vërtetë se ky burrë i bëshëm që i ndiqte nga pas, do të tregonte të vërtetën?
Tek shkruaja këto radhë që improvizoheshin nga një tregim i thjeshtë por shumë mbresëlënës i Veselit, kujtova përsëri librin e çuditshëm të prof.dr. Selman Sheme me titull “ Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë”, libër që u promovua në Durrës në 13 prill 2022 me pjesmarrjen e shumë studjuesve edhe me origjinë nga Çamëria.
Por burri që ndiqte makinën e Veselit kish qenë i sinqertë.
-Ja dhe pak, arritëm, e shihni atë shtëpi me gurë të bardhë e të rrënuar…
Kur arritën…nëna zbrir nga makina dhe puthi token. Pastaj puthi gurët e bardhë që nuk përbënim më mure por ishin rrëzuar aty nga vetë natyra dhe ndodheshin apo aty, nën hijen e mureve të mëparshëm. mure që hijeshonin në ato vite të 1945- ës e shumë më parë.
Dhe ja! Dëshira e Veselit u realizua! Nëna e tij pa shtëpinë e saj ashtu siç kishte qenë… dhe aty përbri ishte ndërtuar një shtëpi tjetër, larg shtëpisë së nënës çame. Shtëpia e saj ishte aty dhe ngrihej si një përmendore jo si piramida e Keopsit, por si piramida e kombësisë shqiptare.