Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për gazetën spanjolle “El Pais”, ku ka folur për situatën politike dhe dialogun me Serbinë.
Ai ka deklaruar se shteti spanjoll duhet ta njohë Kosovën, pasi asgjë të përbashkët nuk kanë rastet mes Kosovës dhe Katalonjës e baskëve.
Kurti ka theksuar se njohja e shtetit të Kosovës do ta ndihmonte Spanjën ta demonstronte se rastet nuk janë të njëjta pasi Serbia ka bërë genocid në Kosovë.
“Spanja duhet dhe do ta njohë Kosovën. E di që ka disa ankesa, por, siç ka thënë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, kur fitoi çmimin ‘Princi i Asturias’: ‘Spanja nuk duhet të krahasohet kurrë me Serbinë, sepse Serbia bëri gjenocid në Kosovë’. Besoj se pikërisht me njohjen e Kosovës, Spanja tregon se Katalonja dhe baskët janë raste të ndryshme’, ka thënë Albin Kurti.
I pyetur nëse ekziston rreziku për konflikt të hapur mes Serbisë dhe Kosovës, ai pohoi se: “ka tension të madh sepse Beogradi refuzon të pranojë krimet e bëra në luftën në Kosovë. Për shembull, për masakrën e Reçakut, më 15 janar 1999, thonë se nuk ka ekzistuar. Ata e mohojnë krimin. Përveç kësaj, ata nuk e njohin pavarësinë tonë dhe kanë kryer 48 operacione rreth kufirit tonë: 28 janë ushtarake dhe 20 janë të xhandarmërisë’.
Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar gjatë ditës së djeshme në Bruksel, ku ka zhvilluar një takim tre-palësh me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borell si dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiç.