Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e djeshme në plazhin e Korinthit në Greqi ku një vajzë 6-vjeçare është mbytur në sy të babait të saj dhe ky i fundit nuk bëri asnjë përpjekje që të shpëtonte vogëlushe.
Siç raportojnë mediat greke babai i Amelias ka pretenduar para drejtësisë greke se nuk u zhyt në det për të shpëtuar të bijën, sepse vuan nga astma, e për pasojë nuk mund ta mbajë frymën në ujë.
“Më pushtoi paniku kur e vogla ra në det”, citohet të ketë thënë babi i Amelias.
Dëshmia e tij nuk përputhet me ato të të pranishmëve, të cilët theksojnë se vogëlushja shqiptare ishte futur vetëm në det dhe i ati ishte duke ngrënë në një tavernë disa qindra metra më tej.
Ndërkohë, mediat greke kanë zbardhur fjalët e para të nënës së Amelias, e cila është e shkatërruar nga tragjedia që i ndodhi. Ajo thekson se i ati rrinte me vajzën sa herë që nuk ishte në punë, ndërkohë që shprehet se marrëdhëniet mes tyre ishin shumë të mira.
Si ndodhi ngjarja?
Sipas mediave greke, gjithçka nisi mesditën e djeshme, kur babai shqiptar, i divorcuar nga gruaja , mori Amelian për të dalë për të ngrënë në një restorant buzë detit.
Për shkak se moti ishte i paqëndrueshëm dhe i ftohtë, ata nuk do të laheshin në det dhe për këtë arsye nuk morën rroba banje me vete. Pasi kanë ngrënë, sipas dëshmitarët okularë Amelia kërkoi nga i ati që të shkonin te varka që ishte ne det, raporton abcnews.al.
I ati i tha se nuk kishin rroba banje me vete, por Amelia këmbënguli dhe kështu ai pranoi të shkonte te varka me të bijën. Distanca e varkës nga deti ishte rreth 25-30 metra dhe thellësia e ujit 5-6 metra. Deti ishte i trazuar për shkak të motit të keq.
Babai mori një jelek shpëtimi, ia vuri vajzës së tij dhe siç ishin të veshur me rrobat u drejtuan për te varka. Babai nuk kishte me vete telefonin apo sende të tjera. Siç u tha babai rojeve bregdetare, kur ata iu afruan varkës, ai u përpoq të ngrinte në krah Amelian për ta futur në varkë , por ajo rrëshqiti.
Sipas tij pasi rrëshqiti, të miturës i doli jeleku dhe për pasojë 6-vjeçarja përfundoi poshtë varkës.
Ajo që ngre dyshime është fakti që babai nuk bëri asgjë për të shpëtuar të bijën e tij. Ai ka thënë se nuk u zhyt për ta shpëtuar sepse kishte astmë, dhe se nuk mund ta mbante frymën në ujë, raporton abcnews.al.
Pyetja e madhe që mbetet është se pse babai i Amelias nuk bëri asgjë në 3-4 minutat që vogëlushja po luftonte me vdekjen.
Për këtë arsye kanë nisur hetimet për babanë e Amelias, pasi ai akuzohet se ka ekspozuar në rrezik të miturën. Ai u arrestua dje nga policia greke, ndërsa sot është lënë i lirë me kushte kufizuese.
Hetuesi dhe prokurori vendosën lirimin e tij me kufizimin e daljes jashtë vendit dhe paraqitjen e tij çdo ditë të parë të muajit në komisariat.