Mbi keqkuptimin dhe keqpërdorimin e termit Oligarki

Nga QAMIL ALUSHI

Te fjalori i sociologjisë i hartuar nga Antonio Sacca është shpjeguar qartësisht termi Oligarki.

“Ky term – thuhet te fjalori është me origjinë greke. Nënkupton qeverisjen e të paktëve, të një grupi të ngushtë individësh që ushtrojnë pushtetin. Në kohët e sotme ky term, nga organizmat e mëdha, në dukje demokratike, në mënyrë të pashmangshme është shtrembëruar duke i atribuar një avantazh të privilegjuar të të qënit vetiak. Sipas disave sa më e gjërë të jetë baza sociale mbi të cilën ushtrohet qeverisja, aq e domosdoshme është Oligarkia. Doktrinat që mbështesin nevojën e oligarkisë janë një formë devijimi nga teoritë demokratike. Aq e dukshme është kjo saqë flitet deri dhe për një “ligj të hekurt të oligarkisë në çdo organizëm masovik që e sjell në vëmendje Robert Michels, 1876 – 1936. Nganjëherë termi unifikohet me atë të elitës me një kuptim negativ e, kritik. Studimet në sferën ekonomike kanë treguar se shoqëritë Perendimore, pa përjashtim, u përfshinë në ekonominë e Tregut të Lirë, mbrojtën me fanatizmin e tyre tradicional pronën private, së cilës i dhanë karakter të shenjtëruar dhe me këtë koncept të rrënjosur thellë e futën ekonominë e tyre në rrugën e prosperitetit dhe të një pasurimi të pashembull që u rrit në sasi e cilësi gjatë gjithë shekujve e vecanërisht, gjatë revolucionit industrial ku shpikjet e teknikës e teknologjisë arritën kulmin në shekullin e XIX-të e të XX–të dhe vazhdojnë të njohin sukses pas suksesi. Qeveritë, tashmë, siç dëshmohet edhe sot, iu përkushtuan forcimit të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke shmangur luftrat në Evropë që nga viti 1815 deri më 1914 kur u bë e pashmangshme shpërthimi i Luftës së Parë Botërore e pas disa viteve edhe Lufta e Dytë Botërore provokuar nga boshti nazifashistë hitlerian, italian e militarist japonez. Një luftë e cila sipas të dhënave të autorit Italian Roberto Battalia, përfshiu popullsinë, ekonominë dhe burimet natyrore të 61 shteteve, ku veprimet Luftarake u shtrinë në teritoret e 40 shteteve, ku morën pjesë 110 milionë ushtarë, u përdorën 2 milionë e 400 mijë aeroplanë, tanke e topa, dhe mbi 50 milionë veta gjetën vdekjen në front dhe në prapavia.

Duke u shkëputur nga analiza e kësaj kohe të largët, një pyetje që vjen natyrshëm e që kërkon analizë e reflektim do të ishte: po sot, në kushtet e reja të ndryshuara të epokës postmoderne, kur kapitalizmi është shndërruar në një imperializëm të lulëzuar, por kur natyra ose më saktë, thelbi shfrytëzues është bërë dhe më i egër, ç’duhet të bëjnë masat milionëshe për të siguruar nevojat minimale për të mbijetuar? Ç’duhet të bëjnë qeveritë për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet shoqëria dhe individi si pjesë e kasaj të tëre?

Për të dhënë përgjigjet e duhura, i duhet drejtuar Marksit, si teoricen socialist, një figurë madhore në historinë e mendimit ekonomik dhe filozofik, një teoricen sociologjik dhe një profet i madh shoqëror. Në veprën e tij gjeniale shkencore “Kapitali” ka përcaktuar një për një nocionet dhe kategoritë e ekonomisë politike dhe i ka shpjeguar ato. Ka nxjerrë në dritë vlerën e mbivlerën, fitimin e superfitimin, çmimet e lëvizjen e tyre në ekonominë e tregut të lirë të sunduar nga konkurenca e egër, krizat dhe falimentimet e pashmangshme. Ka përcaktuar se motorri i përparimit është përplasja, se forca shtytëse në histori, është mënyra me të cilën njerëzit lidheshin me njëri- tjetrin në këtë përplasje të vazhdueshme dhe se “veprimi i parë historik është krijimi i vetë jetës materiale”. Thellësia e mendimit të tij i dha mundësinë të arrijë në përfundimin se nuk është ndërgjegjja që përcakton qënien, por është qenia që përcakton ndërgjegjen e cila është produkt i mënyrës së prodhimit. Me rënien e socializmit, në vendin tonë, siç ndodhi edhe në vendet e tjera, prona kolektive u shndërrua në pronë private dhe në një mënyrë prodhimi diametralisht të kundërt me atë socialiste ku zbatohej një planifikim i centralizuar. Kushteve të reja të ekonomisë së tregut të lirë duhet t’i përgjigjej edhe një ndërgjegje e cila duhej të ishte cilësisht e re, që t’u përgjigjej këtyre kushteve. Gradualisht, mbizotëruese do të ishte ndërgjegjja e individit privat e cila nuk mund të ishte e harmonizuar me tregun e lirë siç e kërkonin rregullat e organizimit kapitalist të këtij tregu. Në ndeshjet e ashpra që diktoheshin mes njerëzve, edhe marrëdhëniet e tyre duhet të ndërtoheshin mbi këtë bazë. Del në pah ndoshta e njërit ndaj tjetrit dhe e të gjithëve kundra të gjithëve në synimet që bëhu sa më shpejt i pasur. Në këtë situatë lëmshi, virtyti njerëzor pëson të çara, ndërgjegjja  shfaqet si një dukuri negative e pushtuar nga antinjerëzorja, nga veset, nga krimet, nga etja për t’i bërë keq tjetrit, nxitur nga interesat e ngushta personale. Gjatë viteve të tranzicionit merr përmasa të papara krimi ndaj jetës së njeriut, rimer fuqinë e dikurshme   “njeriu për njeriun bëhet ujk”, merret me drogë, prostitucion, me trafikim të qënieve njerëzore të mashtruara, me kontrabandë dhe, pothuajse, ekzistenca e ligjit për të bëhet një hiç. Në librin tim titulluar “Një tranzicion, problematik” ku çeshtjet e mësipërme janë trajtuar gjërësisht, ndër të tjera kam sjellë dy shembuj, dëshmi qartësisht të dukshme të kësaj tabloje tragjike: në vitin 2012, për tetë muaj janë vrarë 29 gra e vajza, 2 nga të cilat janë masakruar me prerje të kokës, ndërsa në vite janë vrarë më se 45 biznesmenë. Për keqzbatim të ligjit mbi pronën janë vrarë mbi 8000 persona, për shkak të lejimit të firmave piramidale shumë njerëz humbën paratë e depozituara në këto firma duke përdorur mashtrimin dhe për rrjedhim shpërtheu lufta civile Veri-Jug, u krijuan e u përhapën grupe mafioze kriminale me nje aktivitet terrorist të pandërprerë. Tri tragjedi u shënuan: në Gërdec nga shpërthimi i municionit luftarak  gjetën vdekjen 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë; viktima pati në tunelet e Selitës në afërsi të Qafshtamës; më 21 janar në protestën e zhvilluar u vranë 4 manifestues të pafajshëm.

Lexo edhe :  Pse Moldavia është një bekim politik për Shqipërinë në BE?

Për shkaqe pronësie e varfërie ekstreme, për motive të dobëta e divorcime, deri dhe për një vend në parking, një rrugicë, një parakalim makine, apo për një lopë që është futur në një livadh nga pakujdesia e pronarit dhe ka ngrënë pak barë, janë ndezur zënkat dhe është kaluar në veprime brutale që, herë-herë, kanë përfunduar në krime të rënda. Të gjitha këto janë dëshmi që flasin për një urrejtje të thellë ndaj njëri-tjetrit, për mungesën e dashurisë e të ndjenjës së solidaritetit kolektiv e individual, një tregues i goditjes së pamëshirshme të vlerave njerëzore të së kaluarës në mënyrën e të komunikuarit. Është imperative dhe e domosdoshme që për të frenuar e shmangur këtë krizë morale në  rënie me tipare negativiteti që ka marrë kaq shumë vrull, sa s’është vonë, të shihen nga forcat politike  si një këmbanë alarmi dhe, me një bashkërendim e bashkëveprim social, politik, kulturor, të hapet rruga për një rikthim tek e mira, për të mundësuar pastrimin e ndërgjegjes me një revolucion në vlerat njerëzore, që të synojë krijimin e një klime të shëndetshme, të zhduket dhuna në çdo formë që shfaqet, duke mos harruar për asnjë çast se dhuna prodhon dhunë, prodhon kriza shpirtërore e pasiguri të jetës. Unë që i njoh se si veprojnë realisht ligjet kapitaliste, nuk do isha i drejtë nëse e akuzoja Kryeministrin për ngritjen e çmimeve. Së pari, qeveria nuk është rregullatore e tregut të lirë kapitalist. Kjo është e para. E dyta, qeveria me buxhetet financiare që realizohen nga taksat, financon vetëm punonjësit e sektorëve të destinuar për shërbimin publik e sigurinë e vendit, mbështet me fonde zhvillimin e zgjerimin e arsimit publik për të përgatitur punonjës e kuadro të aftë, por nuk ka detyrim për punësimin e njerëzve të papunë që nuk kanë ecur me kohën e me rregullat e kapitalizmit në veprim. Do të ishte absurde që oligarkia të merret si një çështje e palidhur me natyrën e kapitalizmit. Do të ishte gjithashtu absurde të mendohet se oligarkia të mos të bënte ç’është e mundur duke përdorur të gjitha format për të fituar simpatinë dhe mbështetjen e pushtetit, pavarësisht se i cilit krah do të ishte. Asaj nuk i mungon as eksperienca, as paraja, për të realizuar synimet e saj. Dhe duhet ditur se historia e oligarkisë tregon se edhe kalimi nga kapitalizmi klasik në kapitalizëm imperialist nuk e ka dobësuar atë, por e ka forcuar edhe më shumë. Ndërkohë, asnjë forcë nuk mund ta pengojë atë për të luajtur rolin e donatorit në mbështetje të qeverisë kur ajo ia kërkon atë edhe për infrastukturë, për vepra me rëndësi të karakterit kombëtar, pse jo edhe për fushatat elektorale dhe për fatkeqësi natyrore si në raste tërmetesh shkatërruese