Deputeti dhe kreu i PAA-së, Agron Duka së fundmi ka bërë një prononcim për mediat ku përveç se mbështet qëndrimin e demokratëve në Mirditë për bashkim para zgjedhjeve vendore, ai gjithashtu u bën thirrje të gjitha forcave opozitare të organizohen në mënyrë që të përfaqësojnë sa më mirë qytetarët shqiptarë.
Deklarata e plotë:
“Kam ndjekur me vëmendje qëndrimin e demokrateve të Mirditës, të shprehur nga z. Alfred Duka, i cili nuk sintetizon vetëm vullnetin e tyre për bashkim përpara zgjedhjeve vendore brenda radhëve të Partisë Demokratike, por edhe një këmbanë alarmi për opozitën në të gjitha grupimet e saj, pasi zgjedhjet vendore janë pak muaj larg dhe koha nuk pret.
Përtej pakënaqësive midis palëve brenda PD-së, është jetike për vendin që ky ngërç të tejkalohet sa më parë në forcën kryesore të opozitës, sepse ndërkohë që ne nuk kemi nisur ende organizimin, Partia Socialiste e ka nisur fushatën.
Përsëritja e gabimeve të së shkuarës do të ishte edhe më fatale, pasi qytetarët më shumë se kurrë, kanë nevojë të përfaqësohen nëpërmjet opozitës në institucionet e pushtetit vendor, sepse është e qartë për të gjithë që kjo mazhorancë nuk ka asgjë për të ofruar dhe vetëm çorganizimi ynë, lejon qëndrimin e saj në pushtet!
Ndaj mbështes qëndrimin e demokratëve të Mirditës dhe uroj që ky vullnet i mirë, të përhapet në gjithë Shqipërinë.
Inkurajoj gjithashtu të gjitha forcat opozitare të organizohen një orë e më parë, për të gjetur pikat e bashkëpunimit, të bazuara mbi vlerat e përbashkëta dhe ambiciet për të përfaqësuar sa më mirë qytetarët shqiptarë, duke i dhënë fund monopolit antidemokratik të mazhorancës aktuale moniste.
Si një politikan me një përvojë të gjatë, që në asnjë moment nuk kam vendosur interesat për pushtet mbi qëllimet e përbashkëta, ndjej përgjegjësinë qytetare që të hedh një hap në drejtim të bashkimit të opozitës në funksion të zgjedhjeve vendore, duke mbështetur rezolutën e demokratëve të Mirditës si një platformë që i vlen të gjitha partive opozitare”, është shprehur deputeti Agron Duka.