Broja i pakënaqur nga vlerësimet në lojën FIFA 23: “Jam më i shpejtë se Sterling”

Nga një bisedë me humor e për cështje loje, vjen një konfirmim i rëndësishëm. Armando Broja është lojtari më i shpejtë i Chelsea dhe konsensusin e ka dhënë Ben Chilwell.

Gjithçka lindi në debatin mbi vlerësimet e lojtarëve të dhënë nga FIFA. Organiata botërore sapo ka publikuar lojën e re elektronike FIFA 23.

Edhe lojtarët e Chelsea kanë krahasuar statistikat e tyre, por një veprim i tillë ka shkaktuar pakënaqësi te Armando Broja.

Sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë mendon se krijuesit e lojës, kanë gabuar të dhënat e tij mbi shpejtësinë.

Në videon e publikuar nga klubi, idea ishte befasia që iu shkaktua Mason Mount, kur i dorëzuan skedën e tij në FIFA 23 me të dhëna false.

Vetëm se në fund të videos, shfaqet Broja të cilin e kanë bërë më të ngadaltë se shumë shokë të skuadrës.

“Unë jam më i shpejtë se Raheem”, ankohet Broja para shokëve të skuadrës, i ngushëlluar menjëherë nga Ben Chilwell: “Me shumë mundësi je. Me shumë mundësi je më i shpejti në skuadër. Por ata nuk të njohin ende vëlla”, konfirmoi lojtari anglez.

Broja impresionoi sezonin e kaluar i huaziar te klubi i Premier League, Southampton, duke shënuar 6 gola në 32 ndeshje. 21-vjecari u kthye te Chelsea këtë sezon dhe është aktivizuar në 6 ndeshje në të gjitha kompeticionet për Blues deri tani në këtë sezon.