Zgjedhjet e 14 majit/ Berisha dhe Meta nënshkruajnë marrëveshjen

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe kreu i PL-së, Ilir Meta kanë nënshkruar sot marrëveshjen e bashkëpunimit mes tyre në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Marrëveshja është nënshkruar në një hotel në Tiranë dhe jo në selinë e një prej partive politike.

I pari që ka mbërritur në Hotel Tirana për të nënshkruar paktin e bashkëpunimit ka qenë kreu i PL-së, Ilir Meta. Pak minuta pas tij ka mbërritur edhe Berisha. “Mos harro është procesi i ekzekutimit politik të personit më negativ që ka pasur Tirana në qeverisje”, u shpreh Berisha teksa mbërriti për të firmosur marrëveshjen me Metën.

Një ditë më parë Meta deklaroi se Partia e Lirisë do të fusë kandidatët e saj në procesin e primareve që po zhvillon Komisioni i Rithemelimit.

Sakaq, Euronews ka zbardhur marrëveshjen, ku Meta dhe Berisha dakordësohen në 6 pika:

  • Konkurrimi për Kryetarët e Bashkive do të bëhet me kandidatë të përbashkët, të cilët vendosen nga rezultati i konkurrimit në primare, që do të organizohen nga Partia Demokratike e Shqipërisë.
  • Referendumi, si forma e shprehjes direkte të vullnetit të qytetarëve, për çdo çështje që i shqetëson, në nivel qendror apo lokal, do të jetë angazhim madhor dhe i patjetërsueshëm, për të cilin PDSH dhe PL do të ndërmarrin të gjitha nismat ligjore dhe aksionet publike të nevojshme për realizimin e kësaj të drejte kushtetuese të mohuar prej 25 vjetësh.
  • Këshillat Bashkiake, si institucionet më të rëndësishme të përfaqësimit të qytetarëve, do të drejtohen nga përfaqësues të propozuar nga Partia e Lirisë, në rastet kur këshilltarët e kësaj të fundit rezultojnë përcaktues në sigurimin e shumicës në këta këshilla.
  • Të angazhohen për realizmin e transparencës së plotë për menaxhimin dhe përdorimin e të gjitha fondeve publike, si edhe të gjitha vendimeve të Këshillave Bashkiake dhe të Bashkive që lidhen me to, përfshirë organizimin e seancave të hapura publike, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, në funksion të llogaridhënies para qytetarëve.
  • Të angazhohen, me prioritet të veçantë, për realizimin e vazhdueshëm të seancave publike të hapura të Këshillave Bashkiake, me lidhje live në televizionet kombëtare dhe rrjetet sociale, ku qytetarët të dëgjohen në mënyrë të drejtpërdrejtë në seancat plenare.
  • Të angazhohen përmes nismave të përbashkëta institucionale, për ndalimin e betonizimit kriminal dhe korruptiv të qyteteve, duke i dhënë përparësi në vendimmarrjen lokale shëndetit të qytetarëve dhe gjelbërimit të qyteteve.
Lexo edhe :  Berisha: Kartelet e drogës po përleshen për postin e ministrit të Brendshëm