A do jesh në zyrë më 12 nëntor?! Rama: S’mund të themi ‘a do ia lësh hasmit kullën’

Edi Rama ka qenë i ftuari i parë i Sokol Ballës, në emisionin “Real Story”.

Në bisedën me gazetarin, Rama u pyet edhe për protestën e opozitës të paralajmëruar më 12 nëntor dhe deklaratat nga Paloka dhe të tjerë se atë ditë do të futen në kryeministri.

“Këta e mendojnë raportin me përfaqësimin dhe mandatin qeverisë si një raport me paralajmërime dhe kërcënimesh në këto kohë që është shumë specifike për të gjithë bashkësinë euro atlantike të cilës i përkasin. Këta meritojnë neveri dhe asgjë tjetër. Janë thjesht ferra në këmbët e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, i komentoi Rama deklaratat e opozitës.

Ndërsa i pyetur nëse do të jetë në zyrë atë ditë, Rama u përgjigj:

“Nuk jemi këtu duke shkruar këngën e re të Oso Kukës por jemi në një vend anëtar i NATO-s dhe nuk mund të mendohet në këto terma që ‘a do jesh ti në kullë kur të vijë hasmi apo do ia lësh hasmit’. Kjo gjuhë është e papranueshme”.