Qeveria shqiptare ka vendosur të mos aplikojë fashën 800 kwH të energjisë elektrike, as për muajin Nëntor. Pas Shtatorit dhe Tetorit, kur kjo masë specifike u pezullua për shkak të kursimit dhe reshjeve të shiut, është vendosur që edhe këtë muaj të mos aplikohet.
“Shifrat e kursimit të energjisë për muajin tetor janë domethënëse dhe na japin mundësinë që fashën prej 800 kilovatësh të mos e aplikojmë as për muajin nëntor, duke konsideruar gjithashtu parashikimet e motit me reshje në vijim, si edhe një rënie të caktuar në çmimin e tregut ndërkombëtar të energjisë”, thuhet në njoftim.
Zv.kryeministrja dhe ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku, tha se për abonentët familjarë nuk do të aplikohet fasha.
“Kemi lancuar në muajin tetor një plan të ri, për panelet diellore, dhe pasi kemi mbyllur procesin për ato shoqëri që do ofrojnë instalimin, më datë 1 nëntor kemi hapur garën për të gjithë qytetarët. Vetëm në javën e parë kemi pasur 1026 aplikime”, u shpreh Balluku.