Çfarë sugjeroi eksperti italian Lorenzoni, kush u shpronësua e kush përfitoi tokë? Reforma agrare e vitit 1946.
Nga Kreshnik KUÇAJ
Në vitin 1928, Ahmet Zogu paralajmëroi parlamentin se do të ndërmerrte një lëvizje të fortë për çështjen e pronësisë në Shqipëri; realizimin e një Reforme Agrare. Pak muaj më vonë, ai iu drejtua zyrtarisht qeverisë italiane duke i kërkuar mbështetje teknike për procesin. E në fakt, qeveria italiane solli në Shqipëri një prej profesorëve më të njohur të kësaj fushe, Giovanni Lorenzonin. Ky i fundit ishte një nga ekonomistët më të njohur në Itali, i specializuar në Vienë dhe Berlin për ekonominë agrare. Krahas funksioneve të tjera, në vitin 1910 ai mbante detyrën e sekretarit të Institutit Ndërkombëtar të Agrikulturës në Romë. Në kohën kur erdhi në Shqipëri, ai ishte pedagog në Universitetin e Firenzes.
Pas mandatimit nga qeveria italiane, ai erdhi disa herë në Shqipëri për të studiuar çështjen agrare. i shoqëruar nga deputeti i Tiranës Said Toptani dhe stenografi i parlamentit shqiptar Gjush (Gjergj) Benussi në cilësinë e përkthyesit, Lorenzoni udhëtoi nëpër Shqipëri nga qershori deri në gushtin e vitit 1929. E në fund të këtyre udhëtimeve, ai përfundoi raportin për çështjen e pronësisë si dhe raportin me sugjerimet se si duhej të ishte Reforma Agrare, e para që prej shpalljes së Pavarësisë. Raportet iu dorëzuan në nëntor të vitit 1929 qeverisë shqiptare, që në fund miratoi Reformën e parë Agrare të Shqipërisë me 13 prill të vitit 1930. Dekretimi u bë me 2 maj të atij viti. “Po prekim ‘Institucionin e Zotërimit’. Reformë Agrare jo revolucionare sipas modelit rus e as ç’nacionalizuese sipas modelit serb apo grek”-Çfarë konstatoi në Shqipëri Giovanni Lorenzoni? “
Një studioz që rron tash sa vjet në Shqipni, pronësinë e madhe private në të tanë tokën e sipërpërmendun e llogarit në 213 mijë hectare, të ndarë ndërmjet afro 165 famije pronarësh të mëdhenj, nga të cilat shumë janë bashkëzotëruese, po të një toke. Në qoftë se proporcioni i dy të tretave në një të tretën është i saktë, pronësia e shteti duhet të kalojë 100 mijë hektarët. Ferma të mëdha e të vërteta nuk ka në Shqipëri, veç tri a katër. E gjithë pronësia e madhe kultivohet në ferma të vogla me bujq ose me qiradhënie, e cila paguhet me prodhim. Bujqit marrin tokë dhe ma tepër se u lypet por vetëm pjesa më e vogël e saj kultivohet” shkruante Lorenzoni në studimin e tij. Sipas tij, në Shqipëri nuk ishte çështja e modifikimit të një instituti apo një pjesë të veçantë të jetës ekonomike, por të një sistemi shoqëror të trashëguar ndër shekuj.
“Këtu lipset të turbullosh një gjendje të qendrueshme për të krijuar një të re, të lartësosh disa elemente, të ulësh të tjera, duke u dhënë tokë këtyre e duke ua hequr atyre për të krijuar klasa të reja e për të prekur Institutin e Zotërimit, që sigurisht nuk është i shenjtë por pse mbi atë kryeson interesi i kombit, por që përdoret më shumë urti kur kërkohet të mbash larg përshtjellime shoqërore të frikshme. Asnjë njëri i urtë nuk i ngjishet këtij problemi kaq të vështirë po nuk qe i shtyrë nga shkaqe të rënda” shkruante më tej ai duke paralajmëruar për delikatesën që paraqiste një lëvizje e tillë për stabilitetin social dhe ekonomik të Shqipërisë. Ai evidenton faktin se në vendet e tjera si Rumania apo Greqia, pjesa më e madhe e Reformave Agrare që u bënë menjëherë pas lufte patën një karakter politik e shoqëror.
“Çfarë karakteri mendohet që t’i jepet Reformës Agrare në Shqipëri? Sigurisht jo karakter revolucionar sipas tipit rus, as ç’nationalizues të tipit serb ose grek. Shqipnija është një shtet europian i organizuar më së miri dhe nuk mund të pranojë grabitje të asnjë klasë, e gjithashtu nuk duhet të ndjehet e frikësuar nga ndonjë kërcënim gjuhe ose politike nga ana e disa elementeve që banojnë në ndonjë pjesë të vogël në krahinat jugore, ashtu dhe s’ka nevojë që të përdorë një vepër ç’nationalizuese nëpërmjet pjestimit të tokës” shkruante më tej Lorenzoni në studimin e tij. Ai evidenton se në krahinat më të pasura të Shqipërisë agrare kishte një përpjestim krejtësisht irracional të pronësisë. Sipas tij, pjesa më e madhe e tokës është në dorë të pak familjeve, “të nja 10 latifondistësh ndoshta e të nja 160 ose 170 pronarësh që kanë më tepër se 100 hektarë si dhe në dorë të shtetit ku jetojnë 18 deri në 20 mijë familje bujqish që posedojnë pak ose aspak”.
Modeli ‘Lorenzoni’ për Reformën Agrare në Shqipëri ?
Profesori italian propozonte që pronësia të kishte një rishpërndarje që të mundësonte krijimin e fermave me sipërfaqe që të lejonin një rentabilitet ekonomik të tyre. Lorenzoni propozonte pakësimin e pronësisë së madhe si të privatëve, ashtu edhe të shtetit, për të rritur në dimensione pronësinë e mesme dhe të vogël, me qëllim që ato të ishin autonome ekonomikisht. E gjithë kjo, ishte parashikuar të bëhej pa ‘turbulluar” ekuilibrin që ekzistonte. Lorenzoni propozonte që një pjesë e tokës t’u hiqej pronarëve të mëdhenj kundrejt shpronësimit me pagesë dhe t’u jepej pronarëve të mesëm e të vegjël, sërish kundrejt pagesës, me qëllimin që sipërmarrjet e tyre bujqësore të bëheshin eficente.
Në këtë kontekst, Lorenzoni propozoi krijimin e Fondit Agrar Kombëtar që do të shërbente për pronat e vogla bujqësore. Ky fond duhej të administrohej nga Zyra Agrare Kombëtare, që ishte dhe organi më i lartë për zbatimin e reformës agrare. Në këtë fond, parashikohej të bënin pjesë tokat private e shtetërore që konsideroheshin të shpronësueshme sipas konceptit të mësipërm.
Nga ana tjetër, Lorenzoni propozonte përpunimin e një plani kolonizimi që parashikonte përmirësimin e kushteve të pronave bujqësore dhe transferimin në to të familjeve nga vende të tjera. Sipas projektit të Lorenzonit, familjet që do të përfitonin tokë nga Reforma Agrare duhej të kontribuonin në përmirësimin e tokës bujqësore e ky investim do t’u zbritej nga çmimi që duhej të paguanin për marrjen e tokës. Në kushtet kur shumë fshatarë ishin të varfër dhe nuk kishin mundësi për të paguar për tokën, Lorenzoni propozonte që pjesa tjetër e munguar e pagesës të bëhej përmes financimit nga Banka Bujqësore që duhej të krijohej për këtë qëllim. Sa i përket pjesës së shpronësimeve, Lorenzoni propozonte krijimin e ‘minimumit të pacënueshëm’ që parashikonte që pronarëve të mëdhenj t’u lihej një sipërfaqe prej 100 hektarësh, së cilës i shtoheshin 15 hektarë për çdo fëmijë mashkull që banonte me kryetarin e familjes. Ky propozim u mor parasysh nga qeveria shqiptare por vetëm në formulë e kjo në sasi pasi në përfundim, sipërfaqja që u lihej pronarëve të mëdhenj, pra ‘minimumi i pacënueshëm’, u la për 40 hektarë dhe jo 100 hektarë.
Çmimin mesatar i tokës për të gjithë Shqipërinë, Lorenzoni e kishte llogaritur 160 franga ar për hektar. Edhe ky propozim nuk u mor parasysh për faktin se çmimi u la 20 franga ari për hektar. Mesatarja e tokës që do të caktohej për familje bujqish ishte 5 hektarë, një pjesë të cilën e përfitonin me punimet e përmirësimit të tokës e një pjesë me kredi nga Banka Bujqësore për një afat 25 vjeçar. Sipas përllogaritjeve të Lorenzonit, një familje për të përfituar këtë sasi toke, me këtë skemë, paguante vetëm 94 franga ari në vit, çka praktikisht konsiderohej si një shumë e ulët dhe e përballueshme edhe për familjet e varfëra.
Një nga sfidat më të mëdha për realizimin e reformës që shihte Lorenzoni ishte ‘rendi psikologjik’. Për këtë qëllim, Lorenzoni propozonte krijimin e fermave model dhe investimin në arsimin bujqësor. Propozimet e Lorenzonit u reflektuan në pjesën më të madhe në ligjin me 88 nene për Reformën Agrare që u miratua në vitin 1930 nga parlamenti shqiptar. Pas miratimit të ligjit dhe krijimit të institucioneve përkatëse për zbatimin e Reformës, nisi edhe aplikimi konkret i saj. Studiuesi Haxhi Shkoza, njëkohësisht edhe ish inspektori financiar i Oborrit Mbretëror të Ahmet Zogut, vlerëson se ligji solli përmirësime rrënjësore në gjendjen e bujkut shqiptar dhe i dha të drejtë atij që të bëhet zot toke dhe ta punojë atë.
Paralelisht me reformën u miratua dhe ligji për krijimin e Bankës Bujqësore. 4 muaj pas miratimit të Reformës Agrare, u miratua edhe rregullorja për aplikimin e saj që përmbante 47 nene. Por menjëherë nisën të shfaqeshin probleme në zbatimin e saj, çka e detyroi qeverinë shqiptare që dy vite më vonë, në 1934, të miratonte disa ndryshime për kontratën tip që duhej nënshkruar për dhënien dhe marrjen e tokës. Reforma nisi të zbatohej pa u ngritur Banka Bujqësore, çka solli që qeveria shqiptare t’i drejtohej sërish Italisë për një tjetër këshilltar. Këtë herë, këshilltari i kërkuar ishte për mënyrën sesi mund të ngrihej Banka Bujqësore që do të kreditonte pagesën e tokave që përfitonin bujqit e nga ana tjetër edhe rritjen e prodhimit bujqësor përmes investimit në makineri e pajisje. Kërkesa për një ekspert krediti bujqësor u shoqërua me një shtojcë të re në ligjin për Reformën Agrare në vitin 1936.
Pas kësaj kërkese, qeveria italiane dërgoi në Shqipëri Francesco Friggionen, që prej 10 vitesh drejtonte seksionin e kreditit agrar në një prej bankave agrare më të njohura të Italisë, Banco di Napoli apo Banka e Napolit. Bankieri 40 vjeçar erdhi në Shqipëri pa shpenzime për palën shqiptare pasi ishte vetë Banka e Napolit që ia pagoi shpenzimet. Po ashtu, kjo bankë iu kishte paguar bursën edhe dy studentëve shqiptarë që të studionin në Itali për kreditin agrar. Megjithatë, në një intervistë për gazetën Drita në vitin 1936, këshilltari italian Friggione do të shprehej se “Banka Agrare nuk do të ketë asnjë lidhje me Bankën e Napolit”. Në vitin 1937, me 1 gusht, Banka e Bujqësisë hapi dyert e veta në një ceremoni zyrtare ku merrnin pjesë kryeministri Kostaq Kota dhe shumë autoritete të tjera. Dyert e kësaj banke do të qëndronin për pak kohë të hapura pasi vetëm pak vite më vonë kjo bankë do të ‘përthithej’ nga Banka e Napolit, që çeli degët e saj në Shqipëri dhe mori përsipër kreditimin agrar.
Problemet e Reformës së parë Agrare/ Copëtimi i pronave për t’iu shmangur Reformës ‘prodhoi’ pronarë fiktivë dhe ngatërruan më tej çështjen e pronësisë. Reforma e parë agrare u përball me shumë probleme. Në thelb, Reforma që kaloi në Kuvend kishte disa ndryshime thelbësore nga propozimet e profesorit të Firenzes, Lorenzoni. Ndryshe nga sa propozonte ai, nga 100 hektarë, reforma parahikonte që atyre t’u liheshin 40 hektarë dhe pjesa tjetër t’u shpronësohej. Po ashtu, nga 160 franga ari që parashikohej vlera e 1 hektari, ajo u llogarit për efekt shpronësimi e blerje 20 franga ari. Një mangësi tjetër ishte se nuk u lidh në mënyrë direkte kreditimi bujqësor me reformën, pasi Banka Agrare u hap thuajse 7 vite pasi u realizua reforma. Nga ana tjetër, Reforma u përball edhe me disa mangësi të tjera. Një ndër mangësitë e hasura ishte ‘devijimi’ që bënë pronarët e mëdhenj të tokave. Studiuesit Iljaz Fishta e Mentar Belegu, te ‘Mbi disa çështje të reformës agrare zogiste” të botuar te Studime Historike 4, viti 1989 shkruajnë se pronarët bënë përpjekje të tjera për t’i shpëtuar Reformës Agrare.
Në listën e veprimeve që u bënë në këtë periudhë ishin shit-blerjet fiktive, ndarja e sipërfaqeve të tokës në mes pjesëtarëve të familjeve të tyre e shumë akte të tjera. “Në këtë mënyrë, pronarët e ngatërruan pronësinë mbi tokën duke ua kaluar pronën personave të dytë dhe këta të tretëve. Në qarkun e atëhershëm të Beratit (Berat, Lushnje, e sidomos Fier) u bënë mbi 160 shitje fiktive për 31 mijë e 492,7 hektarë” shkruajnë studiuesit ndërsa analizojnë Reformën Agrare. Nga ana tjetër, studiuesit shohin mangësi në punën e strukturave shtetërore për zbatimin e reformës e për këtë qëllim përmendet si dëshmi suprimimi i Drejtërisë së Përgjithshme të Reformës Agrare si institucion më vetë në vitin 1937 dhe krijimin në qershorin e vitit 1938 të Drejtorisë për Administrimin e Çifligjeve Shtetërore,
“Në bazë të këtij ligji, ndërpritej Reforma Agrare në Çifligjet e Shtetit. Kjo drejtori do të administronte pronat shtetërore duke ua dhënë përsërit me të tretë bujqve në bazë të kontratës tip e cila që nga shpallja e Reformës Agrare më 1930, sikurse u tha, nuk ishte zbatuar as nga pronarët çifligarë, as nga shteti. Pas gati 10 vitesh nën presionin e fshatarësisë dhe të opinionit publik përparimtar, përfaqësues të administratës zogiste u detyruan që të pranonin se ligji i Reformës Agrare, i miratuar në 1930 kishte të meta që e kishin penguar zbatimin e tij. Në një relacion të zyrës së Reformës Agrare, pranë Ministrisë së Ekonomisë Kombëtare drejtoria e Bujqësisë, të 18 marsit të 1939 viheshin në dukje një tok të metash si të ligjit në fjalë, ashtu edhe të rregullores relative.
Aty theksohej se toka e shpronësuar ka qenë gjithnjë e cilësisë më të dobët, e papërshtatshme për instalim, se neni 4 i ligjit i jepte të drejtën çdo anëtari të familjes pronare të zgjidhte pjesën më të mirë të tokës që nuk prekej nga reforma dhe se pronarët në përgjithësi nuk i kishin përfillur organet e Reformës Agrare dhe se neni 9 nuk parashikonte masa kundër tyre etj” shkruajnë më tej studiuesit ndërsa analizojmë se çfarë nuk funksionoi te Reforma e parë Agrare. Dy studiuesit kanë analizuar dhe efektet që ka pasur Reforma Agrare dhe duke iu referuar një dokumenti të vitit 1939 që trajton gjerësisht Reformën Agrare, rezulton se toka e shpronësuar nga kjo reformë ka qenë 2 mijë e 992,3 hektarë tokë në çifligje private dhe 3 mijë e 383,5 hektarë tokë në çifligje shtetërore. Gjithsej, sipas studiuesve, Reforma Agrare preku 6 mijë e 375,8 hektarë tokë në të cilat u instaluan 1905 familje emigrantësh nga Kosova dhe bujqish me 8 mijë e 763 frymë.
Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore solli në Shqipëri jo vetëm ndryshimin e pushtetit politik, por edhe ndryshimin e modelit ekonomik. Si rrjedhojë, në një vend ku ekonomia bazohej kryesisht të bujqësia, rindarja e pronës nuk mund të ishte një element i dorës së dytë në procesin e atyre që u konsideruan si reforma transformuese. Pa humbhur kohë, pushteti i ri kishte hartar një program disa dimensional që në thelb synonte të ndryshonte pronësinë mbi tokën. E ky program, kishte dy qëllime; qëllimi i parë ishte goditja e shpejtë e pronarëve të mëdhenj të tokave për t’i eleminuar nga jeta ekonomike e vendit e si rrjedhojë dhe nga ndikimi politik ndërsa qëllimi i dytë ishte ai i rishpërndarjes së pronave, duke u dhënë tokë atyre që nuk e kishin. Në vitin 1944, pronësia ishte e ndarë në këtë mënyrë: 7 latifondistë me 14 mijë e 554 hektarë tokë; 4 mijë e 713 pronarë të pasur, me 91 mijë e 133 hektarë tokë; Çifligje të shtetit me 50 mijë hektarë tokë; 128 mijë e 961 pronarë të mesëm e të vegjël me 237 mijë e 668 hektarë tokë. Referuar këtyre të dhënave zyrtare të kohës, rezulton se 60 % e pronës zotërohej nga kategoria “fshatarë të mesëm dhe të vegjël” dhe 23 % nga pronarë të pasur.
Varianti i parë ‘i rrezikshëm” i Reformës Agrare”
Ndërsa po diskutohej programi për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të Shqipëri, në grupimin politik që sapo kishte marrë pushtetin pas luftës. Do të spikaste edhe një mendim alternative. Pjesë e mendimit alternativ ishin deputetë e figura të njohura publike si Shefqet Beja, Kostandin Boshnjaku, Kolë Kuqali, Selaudin Toto, Gjergj Kokoshi etj. Regjimi i kohës i cilësonte idetë e tyre si një sit ë frymëzuara nhga i ashtuquajturi “oportunizëm i djathtë” i Sejfulla Malëshovës. Ky i fundit, ishte i mendimit që reforma agrare të realizohej duke mbrojtur edhe ata që për kohën cilësoheshin si ‘fshatarë të pasur”. Malëshova ishte anëtar i Komisionit qeveritar për hartimin e ligjit të Reformës Agrare dhe kryetar i Këshillit Ekonomik por do të eleminohej nga funksionet e larta politike gjatë periudhës së regjimit komunist.
Kur nisi puna për hartimin e Reformës Agrare, Këshillit Ekonomik iu paraqit një raport alternativ për mënyrën sesi duhej realizuar reforma, por kuy raport u cilësua si ‘i rrezikshëm” nga pushteti i kohës. Raporti i paraqitur nga ‘të djathtët’parashikonte një Reformë Agrare të zhvilluar në disa faza. Autorët e propozimit propozonin që fillimisht të miratohej një ligj tranzitor që të krijonte shkëputjen e bujqve nga pronarët. Shkëputja parashikohej të bëhej përmes dhënies së tokës fshatarëve që i punonin tashmë ato kundrejt qirasë apo formave të tjera të bashkëpunimit. Në këtë mënyrë, mund të shmangeshin pakënaqësitë mes fshatarëve dhe pronarëve e nga ana tjetër, qeveria merrte kohën e duhur për të krijuar një projekt reforme agrare të përshtatshëm, që do të aplikohej në një moment të dytë.
Projektligji alternative që propozohej parashikonte që bujqit që ndodheshin në pronat që do të shpronësoheshin do të vazhdonin t’i punonin ato për llogari të tyre derisa të zbatohej ligji përfundimtar mbi Reformën Agrare. Gjatë kësaj kohe ata nuk mund t’i shisnin apo jepnin me qira e as t’i hipotekonn ato. Po ashtu, projekti alternative parashikomnte që tokat e shtetit, tokat e konfiskuara dhe pronart private që nuk përdoreshin për bujqësi të shpronësoheshin dhe t’u jepeshin bujqve. Një propozim tjetër ishte ai që pronarëve që merreshin me bujqësi t’u lihej në pronësi 40 hektarë për ata që kishin bujqësi të zhvilluar dhe që kishin kontribuar në luftën për çlirimin e vendit si dhe nga 20 hektarë për pronarët e tjerë të mëdhenj. Propozimi parashikonte që çdo familje fshatare të përfitonte në 3 hektarë në toka me cilësi mesatare kur kishin dy anëtarë dhe nga gjysëm hektari për çdo pjestar më shumë të familjes si dhe 1.5 hektarë kullotë. Për tokat që do të shpronësoheshin, pronarët do të shpërbleheshin. Shpenzimet e shpronësimit, propozohej që të përballoheshin nga një fond i veçantë agrar, i përbërë prej kontributit vjetpr të fshatarësisë që do të përfitonte nga reforma dhe nga kontributi i shtetit me anë të Bankës Bujqësore. Praktikisht, ky propozim ishte i ngjashëm me atë të vitit 1930, që bazohej mbi rekomandimet e Lorenzonit.
Ky projekt u konsiderua nga regjimi komunist si një ‘projekt me pasoja të rrezikshme politike, ekonomike e shoqërore”. Qeveria e kohës e rrezoi këtë projekt duke i hapur rrugë projektit të ri, që në thelb parashikonte shpronësim pa limit dhe pa dëmshpërblim të pronarëve. Para realizimit të Reformës Agrare u ndërmorën disa hapa përgatitorë. Hapi i parë ishte konfiskimi i pasurive bujqësore atyre që konsideroheshin si ‘armiq të popullit”. Me 15 dhjetor të vitit 1944 u miratua ligji për konfiskimin e pasurive të të arratisurve politikë. Këtij ligji i nënshtroheshin të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, duke përfshirë dhe tokat. Po ashtu, këto komisione përcaktonin se cilat toka u duheshin ndarë atyre që kategorizoheshin si fshatarëve të varfër. Komisionet duhej të zbulonin çdo akt mashtrimi e spekulimi, shitblerje false fshehje të këtyre pasurive që mund të kishin bërë pronarët ose administratorët e tyre me qëllim që t’i shpëtonin konfiskimit. Për këtë qëllim, kryesia e këshillit antifashist nacional-clirimtar me 14 janar të vitit 1945 nxorri edhe një ligj tjetër sipas të cilit të gjitha aktet e kryera pas konferencës së pezës e vitit 1942 që kishin të bënin me ndryshimin e gjendjes jurudike të pronësisë mbi këto pasuri nuk kishin asnjë vlerë.
Referuar një studimi të kryer nga Faik Qytyku, të publikuar në revistën “Studime Historike” të vitit 1988, nga të dhënat e 19 nënprefekturave rezultonte se deri në fund të qershorit të vitit 1945 ishin konfiskuar 21 mijë e 485 hektarë tokë. Në bazë të regjistrimeve të kohës, rezulton se në Elbasan u konfiskuan toka me sipërfaqe 5 mijë e 993 hektarë, në Durrës 785 hektarë, Korçë 1 mijë e 273 hektarë, Tiranë 545 hektarë dhe Vlorë 1 mijë e 925 hektarë. Vetëm në këto 5 qarqe, ishte reralizuar 50 % e shpronësimeve, me rreth 10 mijë e 521 hektarë. Konfiskimit iu nënshtruan në radhë të parë pronat bujqësore të atyre pronarëve që konsideroheshin se kishin tradhëtuar interesat e larta të atdheut dhe kishin kryer krime ndaj popullatës. Në listë ishin pronat e disa pronarëve të mëdhenj të atyre viteve si Shefqet Vërlaci, Ibrahim e Dervish Biçaku, Irfan Ohri, Veli Juba, Nazmi Alltuni, Abaz Kupi, Qemal e Nexhmedin Vrioni, Nuredin e Xhelal Vlora, Kadri e Hajdar Cakrani, Et’hem Frashëri, Omer Fortuzi, Maliq Bushati, Jup Kazazi etj. Tokat e konfiskuara u dhanë pothuajse të gjitha për përdorim të përkohshëm deri në zbatimin e Reformës Agrare, te bujqit që i kishin punuar më parë ose te fshatarët e varfër. Në këtë mënyrë, konfiskimi i pasurive të atyre që konsideroheshin si kriminelë lufte apo që ishin të arratisur politikë solli asgjësimin e asaj që konsiderohej si bazë ekonomike e kundërshtarëve të regjimit.
2-Komisionet dhe zyrat per tokat e shtetit.
Referuar studimit të publikuar te Studime Historike, shteti i ri trashëgoi 65 mijë e 643 hektarë tokë çifligje shtetërore nga të cilat rreth 50 mijë hektarë tokë e punuar ose e punueshme. Për të studiuar gjendjen e tyre dhe për të përgatitur zbatimin e Reformës Agrare në to, në dhjetor të vitit 1944 u krijua pranë Ministrisë së Ekonomisë, Komisioni për Tokat e Shtetit. “Komisionet dhe zyrat e tokave të shtetit regjistruan dhe evidencuan të gjtihë bujqit që kishin në përdorim këto toka, studiuan dhe evidencuan gjendjen e secilit bujk, gjendjen familjare, sasinë e tokës që kishte në përdorim, familjet e shpërngulura nga zonat e tjera e që ishin vendosur në to nga këshillat nacionalçlirimtare. Njëkohësisht ato kërkuan e gjetën harta dhe plane për disa nga këto çifligje dhe u bënë organeve më të larta propozime konkrete lidhur me ndarjen e administrimin e tyre. Këto të dhëna i shërbyen ministrisë së ekonomisë për përgatitjen e ligjit të reformës agrare dhe pastaj zbatimin praktik të saj në këto toka” shkruan Qytyku në studimin e tij për këtë periudhë.
Gjatë këtij procesi një rëndësi e madhe iu kushtua edhe kërkesës për shpërngulje të familjeve që ishin dëmtuar nga lufta apo që nuk kishin tokë bujqësore që mund ta shfrytëzonin për nevojat e tyre. Me miratimin e këshillave nacionalçlirimtare u bënë zhvendosje provizore për shumë familje dhe u dhanë tokë për një vit bujqësor nga tokat e shtetit familjeve pa tokë dhe me pak tokë. Historiani i njohur saktëson se pavarësisht se u cilësuan si komisione të reformës agrare, në fakt komisionet për tokat e shtetit e ushtruan veprimtarinë e tyre vetëm për pronat shtetërore dhe funksionuan për një kohë shumë të shkurtër nga dhjetori 1944 deri në verën e vitit 1945.
Ndalimi i shitblerjes, i tjetërsimit dhe i hipotekimit të pronave bujqesore.
Një vendim shumë i rëndësishëm i ndërmarrë para shpalljes së Reformës së re Agrare ishte ai i pezullimit të procesit të shitblerjes së tokës, tjetërsimit të saj apo hipotekimit.
Me 19 janar të vitit 1945 doli një urdhëresë e posaçme nga Ministria e Drejtësisë që parashikonte ndalimin e shitblerjes, hipotekimit, pjestimit apo tjetërsimit të pronave bujqësore. Sipas kësaj urdhërese, zyrat noteriale e zyrat e hipotekës ndaloheshin të nxirrnin e të lëshonin akte që kishin si objekt shitblerjen ose ndryshimin e gjendjes juridike të pronësisë së pronave bujqësore. Kjo masë në fakt erdhi si reagim ndaj përpjekjeve që mund të bënin pronarët e tokave për të mos u prekur nga shpronësimi. Në këtë periudhë u konstatuan shumë veprime të shpejta për ndarjen e pronësisë përbrenda familjeve pronare ose tentativa për shitjen apo dhurimin fiktiv të shpejtë të pronave. Në këtë periudhë, nuk munguan as hetimet për këtë qëllim ku rezultoi se praktika të ngjashme ishin bërë thuajse në çdo prefekturë e nënprefekturë të vendit.
Krijimi i komiteteve të fshatarëve të varfër.
Një nga veprimet më të rëndësishme në kuadër të përgatitjes për Reformën e re Agrare ishte krijimi i Komiteteve të Fshatarëve të Varfër. Nëpërmjet tyre, synohej thyerja e rezistencës që mund të krijohej për zbatimin e shpejtë të reformës agrare. Duke huazuar modelin sovjetik, më 20 qershor të vitit 1945 Ministria e Ekonomisë nxorri një urdhëresë të posaçme sipas së cilës në çdo fshat, krahinë ose çiflig të madh krijoheshin Komitete të Fshatarëve të Varfër që kishin në përbërje 16-18 anëtarë. Komitetet e ushtronin veprimtarinë e tyre në tokët e shtetit dhe atyre që u ishin konfiskuar e atyre që konsideroheshin si tradhëtarë. Ndërsa pronat private të mëdha nuk përfshiheshin në ligjin që rregullonte veprimtarinë e komiteteve.
Komitetet kishin detyrë që të zbulonin e të regjistronin të gjitha tokat e shtetit, të privatëve, enteve private e fetare, si dhe ato të konfiskuar, të gjenin kufinjtë e vërtetë të këtyre pronave dhe të përcaktonin ndarjen e tyre sipas kulturave bujqësore, të regjistronin të gjithë bujqit që ndodheshin në këto prona, gjendjen familjare dhe ekonomike të tyre. Kushdo që neglizhonte ose abuzonte në kryerjen e detyrave, që jepte informata të gabuara ose refuzonte t’u jepte ndihmën e kërkuar me qëllim, do të dënohej si sabotator sipas ligjit të 21 dhjetorit të vitit 1944 për sabotatorët e luftës. Pas këtyre masave përgatitore, me 29 gusht të vitit 1945 u shpall ligji i Reformës Agrare. Në bazë të këtij ligji, shpronësoheshin e u ndaheshin fshatarëve pa tokë ose me pak tokë, çifligjet dhe pronat e mëdha private e të institucioneve fetare. Ligji përjashtonte nga shpronësimi tokat me madhësi deri në 40 hektarë kur pronari e drejtonte vetë ekonominë dhe e shfrytëzonte me mjete të përparuara, deri në 20 hektarë kur pronari e shfrytëzonte dhe e administronte vetë tokën por e shfrytëzonte atë me mjete të zakonshme pune si dhe deri në 7 hektarë për ata pronarë që nuk merreshin me bujqësi me kusht që brenda dy viteve ta punonin vetë ose ta vinin tokën nën administrimin e tyre të drejtëpërdrejtë.
Reforma parashikonte që çdo familje fshatare të përfitonte 5 hektarë tokë. Kur numri i pjesëtarëve të familjes ishte mbi 6 persona, atëhere për çdo person më tepër shtohej gjysëm hektari tokë. Shitja, blerja dhe dhënie me qira e tokës u ndalua. Por pa kaluar shumë kohë, ligji për Reformën Agrare do të ndryshohej me argumentin se ishte gabim lënia pronarëve e sasisë së tokës nga 20-40 hektarë, që konsiderohej si shumë e madhe. Edhe në këtë rast, historia duket se përsëriti vetveten si në aspektin e sjelljes së autoriteteve shtetërore, ashtu edhe në aspektin e modifikimit të ligjit. Të vetmet ndryshime ishin filozofia e reformës dhe objektivat që synoheshin të arriheshin përmes saj. Njësoj si me reformën e Ahmet Zogut, edhe këtë herë zona e parë ku u zbatua Reforma Agrare ishte Myzeqeja. Me 3 shtator të vitit 1945 nisi matja e tokave në rrethin e Lushnjes dhe në atë të Beratit. Po në muajin shtator të atij viti filloi puna për matjen e tokave në rrethin e Fierit dhe Vlorës për të vijuar më pas me rrethet e tjera.
Për të drejtuar punën praktike të zbatimit të Reformës Agrare, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Pyjeve u ngrit Drejtoria e Reformës Agrare që zëvëndësoi Drejtorinë e Tokave të Shtetit. Njësoj si në reformën e vitit 1930, me 25 nëntor të vitit 1945 Enver Hoxha do të dorëzonte personalisht tapi në Gore të Lushnjes te fshatarët. Ngjashmërisht me reformën agrare të viteve ’30, edhe reforma e vitit 1945 shfaqi probleme. Ndaj në maj të vitit 1946, pa u bërë ende 1 vit nga miratimi i ligjit, Reforma Agrare u amendua duke iu bërë disa ndryshime të rëndësishme. Këtë herë, faji iu la idevë ‘oportuniste’ të Sejfulla Malëshovës, që ishte funksionar i lartë komunist e njëkohësisht drejtonte Këshillin Ekonomik. “Shpallja e Reformës Agrare dhe dorëzimi i tapive të para kishte ngjallur entuziasëm mirëpo ku u zbatua në praktikë ligji i gushtit të vitit 1945 u konstatua se linte në praktikë shumë prona te pronarët e pasur duke mos plotësuar dot nevojat e të gjithë fshatarëve për tokë.
Ndaj në maj të vitit 1946 u shpall shtojca e ligjit mbi ndryshimin e ligjit të Reformës Agrare. Në bazë të këtij ndryshimi të gjitha tokat, vreshtat, ullishtet, kopshtet, ndërtesat dhe inventari bvujqësor që ishin pronë e atyre që nuk i punonin vetë, shpronësoheshin. Këto toka u ndaheshin fshatarëve pa tokë dhe atyre me pak tokë. Në këtë mënyrë, ligji i ri shfuqizoi klauzolën e mëparshme që parashikonte t’u linte pronarëve 20 deri në 40 hektarë tokë” shkruajnë studiuesit e njohur të ekonomisë, Iljaz Fishta e Veniamin Toçi te “Ekonomia e Shqipërisë në vitet e para të ndërtimit socialist: 1944-1948”.
Zbatimi i kësaj reforme u përball me probleme të mëdha që në fillim për faktin se kishte refuzime të mëdha për t’a zbatuar. Shumë pronarë tentuan që të shfrytëzojnë hapësirat ligjore për të shmangur shpronësimin, por në fund përfunduan në gjykatë si të paditur. Nga ana tjetër, mjaft ekspertë që po zbatonin në terren reformën agrare u ndëshkuan me argumentin se kanë bërë shkelje. Nuk munguan as konflikte të dhunshme mes përfituesve të pronave dhe të shpronësuarve. Madje, zbatimi i reformës solli përgjakje e studimet përmendin një ngjarje në Elbasan ku pronari i shpronësuar vrau me granatë familjen fshatare që kishte përfituar pronën në saj të reformës. Reforma Agrare konsiderohej nga regjimi si një aksion shumëplanësh, politik, ekonomik e shoqëror për shkak të objektivave që synonte të arrinte. Kjo reformë zgjati 15 muaj, nga shtatori i vitit 1945 deri në mesin e nëntorit të vitit 1946. Data 17 nëntor e vitit 1946, kur u dorëzuan tokat e fundit, u cilësua si dita e përfundimit të reformës dhe hyri në histori si Ditë Feste.
Edhe pse 17 nëntori u cilësua si Dita e Festës së Reformës Agrare, sërish puna vijoi dhe më tej. Në dhjetor të vitit 1946 u krijuan Komisionet e Shqyrtimit të Lutjeve dhe Ankesave që kishin si qëllim që të shqyrtonin pretendimet që kishin palët, si të shpronësuarit, ashtu edhe përfituesit e tokave bujqësore. Pas tyre, u krijuan edhe Komisionet për Shqyrtimin e Veprimeve të Reformës Agrare që funksionuan nga dhjetori i vitit 1946 deri në fund të marsit të vitit 1947. Gjatë kësaj kohe, në vetëm 8 qarqe, sipas studiuesve Fishta e Toçi, u shqyrtuan më shumë se 8 mijë ankesa, pjesa më e madhe ë të cilave nga pronarët e shpronësuar. Në konsideratë, u morën vetëm një përqindje e vogël e ankesave dhe vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre, kryesisht nga fshatarë që kishin përfituar tokë, morën zgjidhje.
Në përfundim të Reformës Agrare, në vend situata e pronësisë ishte si më poshtë: Pronarë të shpronësuar terësisht 8 mijë e 714. Sipërfaqja e shpronësuar 54 mijë e 499 hektarë. Pronarë të shpronësuar pjesërisht 10 mijë e 641. Sipërfaqja e shpronëusar 64 mijë e 997 hektarë. Çifligje të shtetit 50 mijë hektarë. Ente fetare, shpronësuar 3 mijë e 163 hektarë. Në total, sipërfaqja e shpronësuar arrinte në 172 mijë e 659 hektarë ndërsa numri i pronarëve të prekur arrinte në 19 mijë e 355. Nga Reforma Agrare përfituan 70 mijë e 211 familje një sipërfaqe prej 172 mijë e 659 hektarë tokë. Në total, me shpronësimet, shpërndarjen dhe rishpërndarjen e pronës, Reforma Agrare preku 32 mijë hektarë tokë. “Në Shqipëri, dhënia e tokave fshatarëve nga Reforma Agrare u bë pa shpallur shprehmisht shtetëzimin e tokës. Ky akt në të vërtetë vetëm formalisht nuk u kryer. Reforma Agrare ndaloi shitblerjen e tokës, tjetërsimin, dhënien me qira ose lënien peng të tokës. Me këto masa ligjore, në përmbajtje Reforma Agrare çoi praktikisht në shtetëzimin socialist të tokës” shkruajnë studiuesit Fishta e Toçi në studimin e tyre. Praktikisht edhe kjo dhënie e tokës në fakt ishte më shumë në përdorim pasi brenda pak vitesh, koncepti i pronës private në Shqipëri do të zhdukej terësisht e çdo pronësi do të ishte shtetërore…